Këshilla të dobishme 58

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “O ti që Zotëria yt të liroi nga zjarri! Ki kujdes e mos u kthe në robërinë e mëkateve, pasi që u bëre njeri i lirë! Zotëria yt të largon nga zjarri, e ti i afrohesh atij? Ai të shpëtoi prej tij, e ti e hedh veten në të dhe nuk i shmangesh?! Oj rini e pendimit! Mos u ktheni e të thithni gjirin e epsheve, pasi që ju është ndarë! Thithja e gjirit është për foshnja e jo për burra. Mirëpo, patjetër duhet të ketë durim ndaj hidhëtisë së zvjerdhjes. E, nëse duroni, kënaqësia e epshit ju zëvendësohet me ëmbëlsinë e besimit në zemrat tuaja.” (Letaif El-Me’arif, 381, 399)

 

  • Mos u ndiej i vetmuar!

Dijetari i madh Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Ajeti: “Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi.” (El-Fatiha, 7), jep shenjë për shoqërinë e njeriut gjatë ecjes së tij në këtë rrugë (rrugën e drejtë), dhe se pikërisht ata janë që Allahu u dha mirësi, të dërguarit, të vërtetët, dëshmorët dhe njerëzit e mirë, në mënyrë që atij t’i largohet vetmia e veçimit nga njerëzit e tjerë. Kjo ngaqë ai e ndien se shoqëria e tij përgjatë kësaj rruge janë: të dërguarit, të vërtetët, dëshmorët dhe njerëzit e mirë.” (Komenti i Akides Uasitjje, fq. 9) =

 

  • Kjo kohë është kohë e butësisë

Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kjo kohë është kohë e butësisë, durimit e urtësisë dhe nuk është kohë e ashpërsisë. Shumica e njerëzve janë në injorancë, shkujdesje dhe në dhënie përparësi jetës së kësaj bote. Andaj, me patjetër duhet të ketë durim dhe butësi, në mënyrë që thirrja islame dhe mësimet e saj t’u arrijnë njerëzve. Allahu na udhëzoftë të gjithëve!” (Mexhmu’ul-Fetaua, 8/376).

 

  • Çdo vepër të fëmijëve, lidheni me sunetin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)

-Kur t’ia krehësh flokët fëmijës tënd, tregoji se këtë e bën ngaqë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush ka flok, le t’i nderojë ato.”

-Kur t’i hedhësh parfum, tregoji se ketë bën ngaqë kështu vepronte i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), i cili e donte shumë parfumin.

-Kur fëmija yt shkon në shkollë, përkujtoja fjalën e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kush merr rrugë për të kërkuar dije, Allahu ia lehtëson rrugën drejt Xhenetit.”

-Kur t’i buzëqeshësh fëmijës tënd, tregoji se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është lëmoshë.”

-Kur ta lavdërosh fëmijën tënd, tregoji se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Fjala e mirë është lëmoshë.”

-Kur t’i zbrazësh ushqim në pjatën e tij, tregoji se këtë e bëre ngaqë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Zbrazja nga kova jote në kovën e vëllait tënd është lëmoshë.”

-Kur të jesh në ndonjë ndejë dhe aty ka njerëz të moshuar, kërko nga fëmija yt që t’i nderojë ata, ngaqë ne me këtë i bindemi të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), i cili ka thënë: “S’është prej nesh ai i cili nuk e mëshiron të voglin tonë dhe nuk e respekton të moshuarin tonë.”

-Kështu pra, çdo vepër të fëmijëve lidheni me sunetin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe me jetën e tij; mësojani atyre hadithet e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Nëse e bëni këtë, atëherë dijeni se në zemrat e tyre e keni mbjellë dashurinë për të.

 

  • Të folurit për njerëz

Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Të folurit për njerëz nuk lejohet, veçse për atë që ka njohuri të plotë dhe druajtje të plotë nga Allahu.” (Mizan El-I’tidal, 3/46)

 

  • Mirësjellja me prindërit

Jezid ibn Habibi (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “T’i mundësh prindërit me fjalë është sjellje e keqe.”

Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) u pyet për një njeri, të cilit nëna i thotë të prishë agjërimin vullnetar? Ai tha: “Le ta prishë, dhe nuk detyrohet me kompensim të asaj dite. Po ashtu, ai shpërblehet për agjërim dhe mirësjellje ndaj nënës.”

Prej mirësjelljes ndaj prindërve është kur fëmija të mundohet të kuptojë nevojat e prindërve para se ata t’i kërkojnë ato. Kjo është më e plotë dhe ndikon më shumë tek ta.

Nëse Allahu të ka zgjedhur për t’u kujdesur për prindërit apo njërin prej tyre, atëherë mos lejo që shejtani ta prishë këtë pozitë duke të thënë: “Përse vetëm ti po kujdesesh për ta? Ku janë fëmijët tjerë?”

Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) i tha njërit: “Të ha dark me nënën, të jem plot ngrohtësi e i afërt me të, të jem i tillë që ajo të gjejë prehje kur të më shikojë, është më e dashur për mua sesa kryerja e një haxhi vullnetar.”

Tregohet se një njeri, edhe pse i martuar, për gjashtë vite me radhë natën e kalonte te babai i tij i moshuar, në mënyrë që t’i shërbente. Kështu veproi derisa babai i vdiq. Ndërsa tani kujdeset e i shërben nënës së tij të moshuar.

Nëse prindërit të lëndojnë, mos mbaj në vete diçka kundër tyre, por shfaqu atyre se nuk je prekur, edhe nëse zemra të copëtohet, sepse ata shpejt bëhen pishman; ndërkohë që pikëllimi yt ua thyen zemrën dy herë.

Prej mirësjelljes ndaj prindërve është edhe kur para tyre shfaq raporte të mira me vëllezërit dhe motrat e tua, kur hesht ndaj gjërave me të cilat ata të lëndojnë, kur i arsyeton, kur flet për të mirat që i kanë dhe ua fsheh gabimet.

Prej gjërave që të lëndojnë është edhe kur prindi ka disa fëmijë të rritur e të mençur, pastaj nuk i sheh me të. Përkundrazi atë e shoqëron një shofer i panjohur deri te xhamia apo spitali.

Sjellje e keqe me prindërit është edhe kur mjetet moderne, si për shembull telefonat e mençur, të pengojnë nga komunikimi me ta. Është turp që në prani të tyre të angazhohesh me gjëra të tilla.

Sjellje e mirë me prindërit është edhe kur ua mëson gjërat e fesë të cilat ata nuk i dinë, në mënyrë që ta adhurojnë Allahun me dije të ngritur mbi argumente. Mirëpo këtë bëje me fjalë të mira dhe edukatë të lartë.

Folu për gjërat që ata i dëshirojnë, e jo për gjëra që ti i dëshiron. Jepu të kuptojnë se i do dhe se je i lumtur që u shërben.

Nuk është prej sjelljes së mirë kur u jep të kuptojnë se vëllezërit e tjerë nuk kujdesen për ta dhe se ti je i vetmi që e bën një gjë të tillë. Vazhdimisht kujtoju se ata dy janë prehje e syrit për të gjithë dhe se shkujdesja e ndonjërit prej vëllezërve ishte për shkak të ndonjë angazhimi të papritur.

Shfaqi babait dhe nënës qoftë edhe diçka nga veprat e mira që i bën. S’ka asgjë që e gëzon zemrën e tyre më shumë sesa kur shohin se fëmija i tyre është një musliman i mirë.

Mos u grind me vëllezërit e tu para prindërve dhe mos e ngrit zërin, sepse kjo i shqetëson ata dhe është mos respekt ndaj pozitës së tyre.

Duhet të dish se kur prindërit plaken, u shtohet nervozizmi, u shpeshtohen kërkesat dhe u pakësohet durimi.

Përgjëroju Allahut me lutje që të të ndihmojë dhe të japë sukses për sjellje të mirë me prindërit.

“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (El-Isra, 23-24)

 

  • Si ta shfrytëzosh kohën!

Vëllezërit vazhdimisht ankohen se koha po u humb pa ndonjë dobi.

Kujdes vëllai im, jeta ecën!

Përcakto qëllimet/planet e tua afatgjate dhe ato ditore!

Patjetër duhet që çdo natë të ndash një pjesë të saj për t’u falur.

Po ashtu, patjetër duhet të ndash një pjesë të ditës për të lexuar Kuran.

Kujdesu për këto dyja ashtu siç kujdesesh për jetën tënde!

Fli në pjesën e parë të natës, menjëherë pas jacisë, pastaj zgjohu për namaz nate!

Mos i shpeshto takimet me njerëz!

Mos ha tepër!

-Mos fol tepër!

-Përzierja e tepërt me njerëz ta humbet kohën gjatë ditës dhe të largon nga leximi. Po ashtu ta humb kohën e natës dhe të largon nga namazi!

Sikur njeriu të mendonte rreth kohës së tij, do e gjente se pjesa më e madhe e saj shkon në gjëra për të cilat do të pendohet në ditën e Kiametit. Mirëpo, atëbotë, nuk është koha e pendimit!

 

  • Kush i gëzohet jetës së kësaj bote

Sufjan Eh-Theuri (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Kush i gëzohet jetës së kësaj bote, i hiqet nga zemra frika ndaj botës tjetër.” (Sijer A’la’m En-Nubela’).

 

  • Hoxha i Islamit, ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njerëzit janë dy llojesh: Kërkues të fesë dhe kërkues të dynjasë. Shejtani i urdhëron kërkuesit e fesë me shirk e bidat, ndërsa kërkuesit e dynjasë me shfryrje të epsheve trupore.” (Mexhmu’ul fetaua, 11/670)

 

  • Shpërndarja e dijes fetare

Imam Abdullah ibn Mubareku (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk di të ketë diçka më të vlefshme, pas gradës së profetësisë, sesa shpërndarja e dijes fetare.” (Tarih Dimeshk, 33/455)

 

  • Xhemati (bashkësia) është ajo që përputhet me të vërtetën

Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Xhemati (bashkësia) është ajo që përputhet me të vërtetën, edhe nëse je i vetëm.” (Tirmidhiu, 4/467. Imam Albani (Allahu e mëshiroftë) e ka vlerësuar si të vërtetë në “Ta’lik ala Mishkat El-Mesabih” (1/61).

Nu’ajm ibn Hammadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse prishet xhemati, atëherë kthehu në atë që ishte ai para se të prishej, edhe nëse je i vetëm, ngaqë në këtë rast ti konsiderohesh xhemat.” (Bejhekiu dhe El-Lalekai në “Sherh Usul I’tikad Ehlis-Sunneti uel-Xhema’ati, 1/122, nr.160).

 

  • Dallim i madh mes dy grupeve të njerëzve

Disa nga selefët (gjeneratat e para të muslimanëve) thoshin: “Dallim i madh mes disa njerëzve të vdekur, por që zemrat ngjallen me përmendjen e tyre dhe mes disa të tjerëve të gjallë, por që zemrat vdesin me shoqërimin e tyre.” (Er-Risale Et-Tebukije, fq. 86).

 

  • Kujdes nga mëkatet që i bën fshehtas, sepse ato të shkatërrojnë!

Allahu i Lartësuar thotë: “…që Allahu ta njohë atë që i frikësohet Atij, kur askush nuk e sheh.” (El-Maide, 94). Në këtë kuptim, njëri nga selefët tha: “Frika jote nga era kur e lëviz derën, është më e rëndë sesa mëkati që je duke e bërë.” Njëri që ishte sprovuar me shikim në haram tregon: “Dëgjova një zë tek dera; zemra më arriti në fyt dhe trupi mu shtang. E mbylla kompjuterin shpejtazi dhe e hapa derën; mirëpo ishte vetëm një mace.” Musliman, Allahu është më afër! Kur je vetëm dhe je duke bërë mëkat, mos u mashtro me heshtjen e gjymtyrëve tua, sepse do të vijë Dita kur do të flasin. Allahu i Madhërishëm thotë: “Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Ja Sin, 65). Mes njeriut dhe asaj që e shpie në poshtërim, s’ka gjë tjetër përpos “murit” të mbikëqyrjes së Allahut. Andaj, kush e rrëzon këtë muri, është bërë trim. E, sa e shëmtuar është trimëria ndaj Allahut! Dijetari i madh Esh-Shenkitij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të gjithë dijetarët janë të një mendjeje se Allahu nuk ka zbritur në tokë këshillues dhe parandalues më të madh për njerëzit sesa ajetet që flasin për mbikëqyrjen e Tij.” Njëri nga selefët tha: “Mos u bëj mik i Allahut kur je me të tjerët dhe armik i Tij kur je vetëm.” Në këtë kohë themi: “Arritja tek harami është bërë shumë e lehtë.” Mirëpo duhet të dimë se: “Kjo është kohë në të cilën afrimi tek Allahu nëpërmjet braktisjes së harameve është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.” Telefonat e mençur dhe kompjuterët janë sikur arkat. Pra, ose vepra të mira që vazhdojnë edhe pas vdekjes, ose vepra të këqija që vazhdojnë edhe pas vdekjes. Çfarëdo që vendos në to, do ta gjesh në regjistrin tënd në Ditën e Kiametit. Kujdes nga mëkatet e fshehta; veçanërisht ato që kryhen nëpërmjet telefonave të mençur dhe kompjuterëve gjatë mungesës së familjes dhe njerëzve, sepse kjo e godet mu në zemër qëndrueshmërinë tënde në fe! Kryej adhurime të fshehta, sepse kështu e ruan veten nga cytjet e epsheve! Andaj, nëse dëshiron që deri në vdekje të jesh i qëndrueshëm në fe, përherë sille ndërmend mbikëqyrjen e Allahut! Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mëkatet e fshehta janë shkak për dështim, ndërkaq, adhurimet e fshehta janë shkak për qëndrueshmëri në fe.” Nëse njeriu e zbukuron gjendjen e tij kur është vetë, Allahu do t’ia zbukurojë vetminë në varr. Nga Theubani (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Në Ditën e Kiametit do t’i njoh disa pjesëtarë të ummetit im që do të vijnë me vepra të mira e të bardha sa malet e Tihames, mirëpo, Allahu do t’ua shndërrojë në pluhur e hi.” Theubani tha: “O i Dërguar i Allahut! Në i përshkruaj dhe na i shfaq ata, në mënyrë që mos bëhemi prej tyre, pa e ditur!” Ai tha: “Ata janë vëllezërit tuaj. Janë njerëz si ju dhe falen natën ashtu siç faleni edhe ju. Mirëpo, kur të vetmohen me harame, i kryejnë ato.” (Përcjellë nga ibn Maxhe. Imam Albani e vlerësuar si të vërtetë). Allahu thotë: “Largohuni nga gjynahet e hapëta dhe të fshehta, sepse, ata që kanë bërë gjynahe, patjetër që do të ndëshkohen për atë që kanë vepruar.” (El-En’am, 120).

 

 

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit