Këshilla të dobishme 59

 

  • Kërko falje për vëllezërit e tu muslimanë!

Nga Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “Vërtet që unë, gjersa jam në sexhde, kërkoj falje për shtatëdhjetë prej vëllezërve të mi muslimanë; të gjithë i përmendi me emrat që i kanë dhe me emrat e baballarëve të tyre.” (Sijer A’la’m En-Nubela’, 9/55).

 

  • Synimi yt le të jetë bota tjetër!

Nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar thotë: “O bir i Ademit! Angazhohu me adhurim ndaj Meje, do ta mbush gjoksin me pasuri dhe do ta largoj varfërinë. Në të kundërtën, do t’i mbush të dyja duart me punë dhe nuk do ta largoj varfërinë.” (Ahmedi, 8681 dhe Tirmidhiu, 2466. Shejh Albani e ka vlerësuar si sahih në Sahih Sunen ibën Maxhe, nr. 4107). Nga Enes bin Maliku (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e ka preokupim kryesor jetën e pastajme (ahiretin), Allahu do t’ia vendosë pasurinë në zemër, do t’ia bashkojë punët dhe do t’i vijë dynjaja duke qenë e përulur. E, kush e ka preokupim kryesor jetën e kësaj bote, Allahu do t’ia vendosë varfërinë mes dy syve, do t’ia shpërndajë punët gjithandej dhe nuk do t’i vijë nga dynjaja veçse aq sa i është caktuar.”(Tirmidhiu, 2465. Shejh Albani e ka vlerësuar si sahih në Es-Silsile Es-Sahiha, 2/670). Dijetari i madh El-Mubarekfurij në veprën e tij “Tuhfetul-Ahuedhij sherh Xhami’it-Tirmidhij”, thotë:

“Kush e ka preokupim kryesor” domethënë: “Kush e ka si qëllim dhe synim kryesor të vetin.”

“Allahu do t’ia vendosë pasurinë në zemër” domethënë: “E bën të kënaqur me atë që e ka, në mënyrë që të mos lodhet duke kërkuar shtesë.”

“do t’ia bashkojë punët” domethënë: “Çështjet e shkapërderdhura, duke e bërë me mendje të përqendruar (bashkuar), dhe duke ia vënë në dispozicion të gjitha shkaqet prej nga nuk e pret fare.”

“dhe do t’i vijë dynjaja” domethënë: “Ajo që i është caktuar dhe ndarë si hise prej saj.”

“duke qenë e përulur” domethënë: “E nënshtruar, e përçmuar dhe që i shkon pas; nuk ka nevojë për ndonjë mund të madh në arritjen e saj, përkundrazi, dynjaja i vije hazër dhe lehtë, edhe pse ajo dhe ithtarët e saj e urrejnë këtë.”

“(E, kush e ka preokupim kryesor jetën e kësaj bote), Allahu do t’ia vendosë varfërinë mes dy syve” domethënë: nevojën për krijesa, sikur të ishte një gjë që i rri gjithmonë para syve.

“do t’ia shpërndajë punët gjithandej” domethënë: çështjet që i ka të mbledhura (rregulluara).

“dhe nuk do t’i vijë nga dynjaja veçse aq sa i është caktuar” domethënë: “Duke qenë vetë ai i përuluri (i përçmuari). Andaj, nuk i vjen shtesa që e kërkon, përkundër dëshirës së tij dhe dëshirës së atyre që janë si ai.

 

 

  • Prej mëkateve më të mëdha dhe sjelljeve më të shëmtuara

Nga Abdullah bin ‘Amr bin El-‘Asi (radijAllahu anhuma) përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet se prej mëkateve më të mëdha është që njeriu të mallkojë prindërit e vet.” Njëri nga të pranishmit tha: “O i Dërguar i Allahut! Si ka mundësi që njeriu të mallkojë prindërit e vet?” Ai tha: “E shan babanë e tjetrit dhe ky e shan babanë dhe nënën e tij.” (Buhāriu nr. 5628, Muslimi nr. 90 dhe Tirmidhiu, nr. 1902).

Pra, kur njeriu e shan babanë apo nënën e dikujt dhe ky pastaj ia kthen duke e sharë babanë apo nënën e tij, atëherë sikur i pari e ka sharë babanë apo nënën e vet, ngaqë është bërë shkak për sharjen e tyre. Hafëz ibën Haxher El-‘Askalānij në “Fet’hul-Bārī sherh Sahīhil-Buhari” thotë: “Ajo çfarë përmendet në këtë hadith është një pjesë prej sjelljes së keqe me prindërit.

“O i Dërguar i Allahut! Si ka mundësi që njeriu të mallkojë prindërit e vet?”: Kjo është shprehje e habisë nga pyetësi, ngaqë natyra e shëndoshë e refuzon një gjë të tillë. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) sqaroi se, edhe nëse në shumicën e rasteve ai nuk e bën vet një gjë të tillë, ka mundësi që të bëhet shkak për fyerjen e tyre; dhe kjo është prej gjërave që mund të ndodhin shpesh. Ibën Bettāli thotë: “Ky hadith merret si bazë/parim për pengimin e rrugëve që çojnë drejt gjërave të ndaluara. Po ashtu prej tij përfitohet se: nëse vepra e dikujt shpie në haram, atëherë atij i ndalohet ajo vepër, edhe nëse nuk e ka për qëllim gjënë e ndaluar.”

 

  • Mbrojeni veten tuaj nga çdo e keqe

Nga Abdullah bin Hubejb (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “Në një natë me shi dhe shumë të errët dolëm për ta kërkuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që të na e falte namazin. Pasi që e gjeta më tha: “Thuaj!”, mirëpo unë nuk thash asgjë. Përsëri më tha: “Thuaj!”, mirëpo prapë nuk thash asgjë. Herën e tretë më tha: “Thuaj!”, e unë ia ktheva: “Çfarë të them?” Ai më tha: “Thuaj! (kul) huwAllāhu ehadun dhe dy suret mbrojtëse, në mëngjes dhe në mbrëmje nga tri herë, të mjaftojnë për çdo gjë!” (Ebū Dāudi, 4/321, nr. 5082 dhe Tirmidhiu, 5/567, nr. 3575. Shejh Albani e vlerësuar si të vërtetë në “El-Mishkāt”, nr. 2163).

El-Mubārekfūrij në “Tuhfetul-Ahuedhij” thotë:

“dy suret mbrojtëse” janë suret El-Felek dhe En-Nās.

“të mjaftojnë”: domethënë: të tria suret bashkë.

“për çdo gjë”: Et-Tībij tha: “Domethënë: largojnë prej teje çdo të keqe. Do të thotë largojnë të keqen fund e krye.”

 

  • Mënyra e larjes nga xhunubllëku

Pyetje: Si është mënyra e larjes nga xhunubllëku? Përgjigje: Lavdi Allahut, Zotit të botëve. Larja nga xhunubllëku ka dy mënyra: mënyrën e obligueshme dhe atë të pëlqyeshme. Mënyra e obligueshme është përfshirja e tërë trupit me ujë, domethënë që njeriu të lajë tërë trupin me ujë, me çfarëdo lloje forme. Këtu bënë pjesë kur njeriu e bën nijet (larjen) dhe zhytet i tëri në ndonjë enë të madhe, apo në ndonjë përrua, derisa uji të përfshijë gjithë trupin e tij. (Këtu futet edhe shpëlarja e gojës dhe hundës, siç e hasim në disa fetva tjera të shejhut, sh.p). Me këtë ai pastrohet nga xhunubllëku.

Mënyra e pëlqyeshme është si vijon:

Së pari: i lanë duart, domethënë shuplakat, tri herë.

Së dyti: e pastron organin si dhe papastërtitë që i janë ngjitur nga kontakti seksual.

Së treti: merr abdes sikur kur dëshiron të falet, domethënë e shpërlanë gojën, hundën, e lanë fytyrën dhe duart deri në bërryla, pastaj i fërkon me duar të lagura kokën e veshët, dhe i lanë këmbët (deri në nyje).

Së katërti: e lanë kokën, dhe kur të bindet se ka lagur mirë lëkurën e saj, i hedh ujë edhe tri herë tjera. Patjetër uji duhet të arrijë tek rrënjët e flokëve.

Së pesti: e lanë pjesën e mbetur të trupit me ujë, një herë. Kjo është një ndër format e ligjësuara, siç lexojmë në hadithin e Aishes radijAllahu anha, ku përshkruhet sesi merrte gusël Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E, nëse pastrohet sipas mënyrës së përmendur në hadithin e Mejmunes radijAllahu anha, s’ka gjë. Kjo mënyrë është e përafërt me atë të parën, përveçse ndryshojnë në atë që këmbët nuk i lanë në fund të abdesit, porse krejt në fund të guslit, siç bëri një gjë të tillë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

-Imam El-Uthejmini (Allahu e mëshiroftë)

www.ibnothaimeen.com

 

 

  • Dijetari asket, Davud Et-Taij (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “O bir i Ademit! U gëzove ngaqë arrite atë që e shpresoje, e nuk mendove se këtë e bëre me humbjen e një pjese të jetës; pastaj veprat tua i shtyve për më vonë, sikur dobia e tyre të ishte për dikë tjetër e jo për ty.” (Sifet Es-Safue, 3/140).

 

  • Nga Abdullah ibn Amr ibn El-As (radijAllahu anhuma) përcillet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet, besimi në zemrat tuaja hahet (shtirret), ashtu siç hahet rroba. Andaj, luteni Allahun t’ua përtërijë besimin në zemrat tuaja!” (Hakimi, 1/4. Imam Albani e ka vlerësuar si të mirë (hasen) në “Es-Sahiha”, nr. 1585)

 

  • Malik ibn Dinari (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shenja që tregon se njeriu e do Allahun është përmendja e shpeshtë e Tij, sepse kur dikush do diçka, e përmend shpesh atë.” (“Shu’abul-Iman” i Bejhekiut)

 

  • Imam El-Euza’ij (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Dija fetare është ajo që vjen nga shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ndërkaq, çdo gjë që s’vjen prej tyre, nuk është dije fetare.” Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Njerëzit do të jenë të mbuluar nga të mirat, përderisa dija u vjen nga shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe nga dijetarët e mëdhenj të tyre. E, kur ajo t’u vjen nga të vegjlit dhe të përçahen, do të shkatërrohen.” Fet’hul-Barij, 17/195.

 

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Aktet e ligjësuara të fesë janë ushqim për zemrat. Ndaj, kur zemrat ushqehen me bidate, në to nuk mbetet vend për sunete, dhe ato bëhen sikur të kishin ngrënë ushqim të keq.” (Iktida Es-Sirat El-Mustekim, 1/104)

 

  • Imam Ebu Amr El-Euza’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ec gjurmëve të selefëve (gjeneratave të para të muslimanëve) edhe nëse njerëzit të refuzojnë dhe ki kujdes nga opinionet e njerëzve edhe nëse t’i zbukurojnë ato me fjalë!” (“Tedhkiretul-Huffadh”, 1/180).

 

  • Abdullah ibn Umeri (radijAllahu anhuma) thoshte: “Mirësia është gjë e lehtë: fytyrë e buzëqeshur dhe fjalë të buta.” (“Ujun El-Ahbar”, 2/390)

 

  • Vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe!” (El-Ankebut, 45). Ndër shpjegimet e këtij ajeti: “Përmendja e Allahut është më e madhe sesa të mbetet me të ndonjë vepër e shthurur apo e shëmtuar. Përkundrazi, nëse përmendja e Tij është e plotë, e fshin çdo gabim dhe mëkat.” (Medarixh Es-Salikin, 2/398).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu më i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër është ai që e pason më së shumti të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), si në anën e brendshme, ashtu edhe në të jashtmen.” (El-Ihnaijje, 500)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa herë që mëkati zvogëlohet në sytë e njeriut, rritet tek Allahu.” (Ed-Da’u Ued-Deu’a, 38).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Edhe pse njerëzit thonë me gjuhët e tyre: “la ilahe il-lAllah”, megjithatë, shqiptimi i saj sinqerisht nga zemra ka realitet krejt tjetër.” (El-Fetaua, 10/260)

 

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bindja ndaj Allahut plotësohet në varësi të realizimit të teuhidit.” (El-Fetaua, 10/260)

 

 

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Çdo ditë, në të cilën nuk i bëhet mëkat Allahut, është festë.” (Letaif El-Me’arif, 278)

 

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Mëshironi, do të mëshiroheni! Falni, Allahu do t’u falë!” (Përcjellë nga imam Ahmedi. “Es-Sahiha” nr. 482). Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu i patëmeta më së shumti i do krijesat të cilat cilësohen me ato që rezultojnë nga atributet e Tij.” (El-Uabil Es-Sajjib) =

 

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Xhumaja deri në xhuma i fshinë mëkatet e bëra mes tyre, nëse nuk veprohen ato të mëdhatë.” (Muslimi).

 

  • Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Jeta e mirë” është Islami dhe Suneti.” (Dhemm El-Kelam i Hereviut, 6/14)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush e njeh Allahun, patjetër se do e dojë Atë. Ndërkaq, kush e do Atë, prej tij largohen retë e errëta dhe zemra i zbrazet nga brengat e pikëllimet, sepse me Allahun kurrë nuk ka pikëllim!” (Tarik El-Hixhratejn, 420)

 

  • Ebul-Abbas Muhammed ibn Ja’kub ibn Esamm (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Dy pjesëtarë të sektit havarixh (ata që i shpallin si të pafe muslimanët), ishin duke bërë tavaf rreth Qabesë. Njëri prej tyre i tha shokut të vet: “Askush prej këtyre njerëzve këtu, s’do të hyjë në Xhenet, përveç meje dhe teje.” Shoku ia ktheu: “Xheneti, hapësira e të cilit është sa qiejt e toka, qenka krijuar vetëm për mua dhe ty?!” “Po.” “Atëherë mbaje për vete.” – i tha shoku dhe u largua. Pas këtij rasti, ai e braktisi rrugën e havarixhëve dhe u udhëzua.” (Sherh Usul I’tikad Ehli Es-Sunneti, i imam El-Lalekaij, 7/1307).

 

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) tregon se mësuesi i tij ibn Tejmijje (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Kënaqësia e Allahut është te nxitimi në kryerjen e urdhrave të Tij.” (Medarixh Es-Salikin, 3/59).

 

 

  • Bëje shprehi që të flasësh pak, përveçse në gjëra të mira, sepse kjo tregon për fenë, mendjen dhe burrërinë e njeriut. Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Përpara thuhej: “Sa njeri i mirë është filani, mirëpo fjalët e një muaji i thotë brenda një dite.” (Tertib El-Medarik, 2/36)

 

 

  • Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush i njeh njerëzit, rehatohet.” (Ez-Zuhd, i Bejhekiut, 101). Domethënë: rehatohet nga dyfaqësia, nënshtrimi dhe shtirja ndaj njerëzve, sepse e di se ata nuk sjellin as dëm e as dobi.

 

  • Gjëja më e çmuar dhe më e ëmbël është nëna… Ajo është rruga që të shpie në Xhenet. I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) porositi: “Mos iu ndaj nënës, sepse Xheneti është tek këmbët e saj.” (Ahmedi dhe Nesaiu). Medito mirë rreth kësaj pjese: “Mos iu ndaj nënës” Shejh Salih Es-Sindij (Allahu e ruajttë).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit