Këshilla të dobishme 60

 

  • Fragment nga jeta e imam Uthejminit (Allahu e mëshiroftë)

Një ditë prej ditësh, gjersa shejhu ishte duke ndenjur afër xhamisë së tij bashkë me disa nxënës të cilët e pyesnin rreth meseleve të fesë, papritmas u shfaq një veturë atraktive dhe e shtrenjtë. Shoferi i saj doli dhe iu afrua shejhut. Pasi ia la çelësat në dorë i tha: “Këtë veturë e ke dhuratë nga filani i biri i filanit” – një figurë e rëndësishme e vendit. Fillimisht shejhu nuk e pranoi, mirëpo pas insistimit të vazhdueshëm të tij, pranoi ta merrte. Pastaj, personi hipi në një tjetër veturë dhe u largua. Duke i rrotulluar në dorë çelësat e makinës, shejhu e vazhdoi bisedën me nxënësit e tij, dhe as që ia lëshonte sytë veturës. Papritmazi erdhi një djalë i ri dhe pasi që i dha selam shejhut, i tha: “O shejh, sonte do të martohem dhe kam dëshirë të vish edhe ti!” Shejhu iu arsyetua se ka shumë angazhime, mirëpo i riu prapë insistonte. Shejhu u mundua t’i arsyetohej me fjalë të buta dhe i kërkoi ndjesë edhe njëherë e i tha: “Merri çelësat e kësaj veture; e ke dhuratë nga unë.” I riu e mori veturën dhe u largua me të. Ndërsa shejhu iu kthye bisedës së tij, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.” (Nubdhetun an hajati el-imam El-Uthejmin, 16)

 

  • Disa emra të Xhenetit

1.”Shpërblimi më i mirë”. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblimin më të mirë.” (Junus, 26)

  1. “Kopshtet e Adnit”. “Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në kopshtet e Adnit.” (E-Teube, 72).
  2. “Kopshtet e kënaqësisë”. “Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, për shkak të besimit të tyre. Pranë tyre do të rrjedhin lumenj në kopshtet e kënaqësisë.” (Junus, 9)
  3. “Kopshtet e Firdeusit” . “Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit.” (El-Kehf, 107)
  4. “Kopshti i amshuar”. “Thuaj: “A është më i mirë ky apo kopshti i amshuar, i cili u është premtuar të devotshmëve? Ai do të jetë për ta shpërblim dhe vend kthimi.” (El-Furkan, 15)
  5. “Kopshti i strehimit”. “Te Sidretul Munteha-ja, ku ndodhet kopshti i Strehimit.” (En-Nexhm, 14-15). “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” (En-Naziat, 40-41)
  6. “Dhoma”. “Ndërkaq, ata që i frikësohen Zotit, do të kenë dhoma të ngritura mbi njëra-tjetrën, pranë të cilave rrjedhin lumenj. Ky është premtimi i Allahut; Allahu nuk e shkel premtimin e Vet.” (Ez-Zumer, 20)
  7. “Shtëpia e banimit të përhershëm”. “Është Ai që me mirësinë e Tij na ka pranuar në shtëpinë e banimit të përhershëm, në të cilën nuk do të lodhemi e nuk do të rraskapitemi.” (Fatir, 35)
  8. “Shtëpia e përhershme”. “O populli im, në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi e përkohshme, ndërsa jeta tjetër është Shtëpi e përhershme.” (Gafir, 39)
  9. “Shtëpia e shpëtimit/paqes”. “Ata do të kenë Shtëpinë e shpëtimit te Zoti i tyre. Ai do të jetë Mbrojtësi i tyre, si shpërblim për veprat që kanë bërë.” (El-En’am, 126)
  10. “Shtëpia e të devotshmëve”. “Sa e mrekullueshme do të jetë shtëpia e atyre që i frikësohen Allahut!” (En-Nahl, 30)
  11. “Shtëpia e jetës së vërtetë”. “Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin.” (El-Ankebut, 64)
  12. “Vendi i sigurt”. “Të devotshmit, me të vërtetë, do të jenë në vend të sigurt.” (Ed-Duhan, 51).

 

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk quhet i mençur, përveçse ai që: e njeh të vërtetën dhe e kërkon atë dhe e njeh të keqen dhe largohet prej saj. Për këtë arsye, banorët e zjarrit thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!” (El-Mulk, 10) (El-Fetaua, 7/24). =

 

  • Ibn Sirini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Me të vërtetë, njerëzit me gabimet më të shumta janë ata që më së shumti i përmendin gabimet e njerëzve.” (El-Muxhalese ue Xheuahir El-Ilm, 6/86)

 

  • Esuedi (Allahu e mëshiroftë) tregon: “E pyeta Aishen (radijAllahu anha): “Çfarë bënte i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur ishte në shtëpi?” Ajo tha: “Ishte në shërbim të familjes, e kur hynte koha e namazit shkonte në xhami.” (Buhariu, 6039).

 

  • Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kurrë mos i harro tri lutje kur je në sexhde: Allah, më jep përfundim të mirë gjatë daljes nga kjo botë! Allah, mundësoma të pendohem sinqerisht para vdekjes! O Ndryshues i zemrave, përforcoje zemrën time në fenë Tënde!” (Fetaua ibn Baz).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “O bir i Ademit! Pa dyshim se mes teje dhe Allahut ka mëkate të cilat nuk i di askush tjetër përveç Tij. Andaj, nëse dëshiron që Allahu t’i falë ato, fali robërit e Tij, sepse shpërblimi është sipas llojit të veprës.” (Bedaiul-Feuaid, 2/468)

 

  • Ibn Kajjmi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Fatkeqësitë dhe sprovat janë sikur të nxehtit dhe të ftohtit. Pra, kur njeriu e kupton se patjetër duhet të përjetojë të nxehtin e të ftohtin, atëherë nuk hidhërohet për shkak të tyre, as nuk brengoset dhe as nuk pikëllohet.” (Medarixh Es-Salikin, 3/389).

 

  • Kur i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte me shokët e tij, nuk angazhohej me diçka tjetër; përkundrazi, ai ndalonte nga shkaqet që shpijnë në një gjë të tillë. Abdullah ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) tregon: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e morri një unazë dhe vuri në dorën e tij, mirëpo tha: “Sot kjo unazë më shpërqendroi nga ju; herë e shikoja atë e herë juve.” Pastaj e hoqi nga dora.” (Sahih En-Nesai, 5304)

 

  • Vdekja e dijetarit të madh të hadihit Jahja ibn Mein (233 H) rrugës për në haxhillëk

Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) në veprën e tij “Tarih El-Islam” (17/412) shkruan: “Muhamed ibn Jusuf El-Buhari tregon: “Ishim duke shkuar në haxhillëk së bashku me Jahja ibn Meinin (Allahu e mëshiroftë) dhe mbërritëm në Medine natën e xhumasë, mirëpo ai vdiq atë natë. Kur erdhi mëngjesi, njerëzit u grumbulluan, ngaqë kishin dëgjuar për ardhjen dhe vdekjen e tij. Benu Hashimët thanë: “Le t’ia lajmë xhenazen në hasrat mbi të cilat u la trupi i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)”, mirëpo njerëzit e urryen këtë dhe fjalët sa shkonin e shtoheshin. Benu Hashimët thanë: “Ne jemi më të afërt me të Dërguarin sesa ju, dhe ai është i denjë për t’u pastruar mbi to.” Kështu, ata e lanë dhe ia bartën xhenazen mbi to. Pasi ia falën xhenazen, njerëzit dëgjoheshin duke thënë mes vete: “Ky është ai që i mbronte fjalët e të Dërguarit dhe i largonte gënjeshtrat e njerëzve nga to.”

 

  • Dijetari Mukbil ibn Hadi El-Uadi’ij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Kur mjekra mu zbardh për herë të parë, e kapa me dorë dhe i thash vetes: “O Mukbil! Çfarë ke bërë për Islamin?” (Nesaih Ualidi, 28/29).

 

  • Allahu i Madhërishëm thotë: “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!” (Mu’minun, 51). “Allahu i dha përparësi urdhrit për të ngrënë nga të lejuarat, ngaqë ngrënia e tyre ndihmon në kryerjen e veprave të mira.” (Tefsiri i Alusit).

 

  • Nga Xhabir ibn Abdullah (radijAllahu anhu) përcillet se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Sikur i biri i Ademit të ikte nga risku i tij ashtu siç ikën nga vdekja, prapëseprapë risku do ta arrinte ashtu siç e arrin vdekja.” (Ebu Nuajmi. Imam Albani e ka vlerësuar si sahih).

 

  • Pasqyrë rreth përmbajtjes së sures El-Kehf

Prej ajetit 1 e deri në ajetin 8: Lavdërim ndaj Allahut, përgëzim dhe paralajmërim.

Prej ajetit 9 e deri në ajetin 27: Ngjarja e banorëve të shpellës.

Prej ajetit 28 e deri në ajetin 31: Inkurajim për të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që të ketë durim.

Prej ajetit 32 e deri në ajetin 44: Ngjarja e dy burrave, që polemizuan rreth kopshteve.

Prej ajetit 45 e deri në ajetin 46: Pohimi i vlerave reale, të cilat mbesin përgjithmonë.

Prej ajetit 47 e deri në ajetin 49: Përshkrim i Ditës së Kiametit.

Prej ajetit 50 e deri 59: Ligji i Allahut në shkatërrimin e zullumqarëve.

Prej ajetit 60 deri 82: Ngjarja e Musait me Hidrin (alejhimes-selam)

Prej ajetit 83 deri 99: Ngjarja e Dhul-Karnejnit

Prej ajetit 100 deri 110: Përgëzim, paralajmërim dhe pohim i shpalljes.

 

  • Përkushtimi i imam Buhariut (Allahu e mëshiroftë)

Imam ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Buhariu zgjohej natën, e ndizte kandilin dhe shkruante dobitë që i vinin në mendje, pastaj e fikte atë. Ndodhte që kjo t’i përsëritej deri në njëzetë herë brenda natës.” (El-Bidaje ue En-Nihaje, 11/31).

 

  • “Është thënë: “Katër gjëra sjellin mjerimin: syri që nuk loton, zemra e ngurtë, kryerja e vazhdueshme e mëkateve dhe lakmia ndaj jetës së kësaj bote.” (Durerul-Hikem, Eth-The’alibij, 20).

 

  • Imam ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Muslimani e ka për detyrë të këshillojë vëllain e tij, nëse e sheh që po mungon në namazin e sabahut, apo në namazet e tjera. Po ashtu edhe komshiu edhe imami i xhamisë duhet ta këshillojnë.” (El-Fetaua, 12/73).

 

  • Ebu Uthman En-Nejsaburij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kushdo që lë diçka nga Suneti, këtë e bën për shkak të mendjemadhësisë në veten e tij… Kështu, zemra i zhvishet nga realiteti i pasimit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe tek ai zë vend mendjemadhësia e besimi i dobët, deri në atë masë sa ia prishin fenë e tij. E megjithëkëtë: “Ata mendojnë se po bëjnë vepra të mira.” (El-Kehf, 104) (Iktida Es-Sirat El-Mustekim, i ibn Tejmijes, 2/120).

 

  • Imam Shatibiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Çdo bidat i shpikur bën që të vdesin po aq sunete në vend të tij, siç e kanë thënë një gjë e tillë edhe gjeneratat e para të muslimanëve.” (El-I’tisam, 1/15).

 

  • Abdullah ibn Mesudi (radijAllahu anhu) thotë: “Shoqërohu vetëm me atë që të ndihmon në përkujtimin e Allahut.” (Ez-Zuhd, i imam Ebu Davudit, 143)

 

  • “Pesë namazet janë gostia e njësuesve, të cilën Zoti i botëve e përgatiti pesë herë në ditë për ata që i kaplon me mëshirën e Tij, në mënyrë që atyre të mos iu mbetet asnjë ndyrësi apo pluhur.” (Hiljetu El-Eulija, 10/234).

 

  • Disa njerëz thanë: “O Ebu Hazim! A nuk e sheh se janë shtrenjtuar çmimet?” Ai u tha: “E pse brengoseni për këtë? Ai i Cili na furnizoi gjatë lirimit, na furnizon edhe gjatë shtrenjtimit.” (Hiljetu El-Eulija, 3/329).

 

  • Tregohet se kur Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) e lexonte këtë ajet: “O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut (Dita e Gjykimit) është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun.” (El-Fatir, 5) thoshte: “Kush i tha këto fjalë? I tha Ai, i Cili e krijoi jetën e kësaj bote dhe është më i dituri për të.” (Ez-Zuhdu, i imam ibn El-Mubarek).
Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit