Këshilla të dobishme 62

  • Ibn Kudameh El-Makdisij (Allahu e mëshiroftë) shkruan:

“Mësoje zemrën që vazhdimisht të reflektojë:

  • për begatitë e Allahut, në mënyrë që të jesh mirënjohës për to,
  • për mëkatet e tua, në mënyrë që të kërkosh falje për to,
  • për shkujdesjen tënde, në mënyrë që të pendohesh,
  • për krijesat dhe gjykimin e Allahut, në mënyrë që ta njohësh madhështinë dhe urtësinë e Tij,
  • për atë që e ke përpara (botën tjetër), në mënyrë që të përgatitesh për të,
  • apo për vendimin (fetar) lidhur me ndonjë çështje për të cilën ke nevojë, në mënyrë që ta mësosh atë.” (“El-Uessijetu El-Mubarekeh”, 87)

 

 

  • Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut kanë shkuar, mirëpo metodologjia dhe rruga e tyre do të mbesin derisa të vijë premtimi i Allahut të Lartësuar (Kiameti).” (“Sherh Usul Es-Sunneh”, 63)

 

  • Uthman ibn Hadir El-Ezdij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Hyra tek ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) dhe i thash: “Më këshillo!” Ai më tha: “Qëndro i paluhatshëm në rrugën e drejtë, ndiq dhe mos shpik bidate (në fe)! Ndiqi gjurmët e të parëve dhe mos shpik bidate në fe!” (El-Hereuij, “Dhemm El-Kelam”).

 

  • Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ju këshilloj juve dhe veten time që t’i frikohemi Allahut të Madhërishëm dhe që ta ndjekim Sunetin e të mos i ndahemi atij! Ju tashmë e dini se çfarë i goditi ata që e kundërshtuan Sunetin.” “Tabekat El-Hanabileh”, 3428.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Origjina e rënies së ithtarëve të devijimit në këtë shtrembërim (të ajeteve të Kuranit) është braktisja e kuptimit të Kuranit ashtu siç e kuptuan sahabët dhe tabi’inët.” “Der’u Et-Te’arud”, 3/95.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Muslimanëve nuk iu lejohet t’u ngjasojnë atyre (jobesimtarëve) në ndonjë gjë që është e veçantë për festat e tyre, qoftë ushqim, apo rroba, apo pastrim i trupit, apo ndezje e zjarreve, apo anulim i ndonjë shprehie që ndërlidhet me jetën apo me adhurimin etj. Po ashtu nuk lejohet bërja e gostive, as këmbimi i dhuratave dhe as shitja e gjërave me anë të të cilave ndihmohen për kremtimin e atyre festave. Gjithashtu, nuk është e lejuar që fëmijëve e të tjerëve sikur ta, t’u mundësohet loja e dëfrimi në këto festa dhe as shfaqja e stolive. Përmbledhtas: muslimanëve nuk iu lejohet të veçojnë festat e jobesimtarëve me diçka që është prej simboleve të tyre. Mirëpo, për muslimanët, ditët e këtyre festave duhet të jenë sikur çdo ditë tjetër. Pra, të mos e veçojnë me asgjë prej veçorive të tyre.” “El-Fetaua El-Kubra”, 2/488.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shenja më e madhe e cila tregon se ti e do të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) më shumë se veten, është kur i jep përparësi urdhrit të tij ndaj dëshirave të tua.”

 

  • Sufjan ibn Ujejneh (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përpara thuhej: “Besimtari ka nevojë për durim, ashtu siç ka nevojë për ushqim dhe pije.” Es-Sabru, ibn Ebi Ed-Dunja, 84.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) janë burimi i çdo dije, përmirësimi, udhëzimi dhe mëshire në Islam.” “Minhaxh Es-Sunneh”, 6/328.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kut të goditesh me ndonjë sëmundje, ti troket derën e çdo mjeku për të gjetur ilaçin, dhe duron ndaj dhimbjes që e përjeton gjatë operacionit e ndaj shijes së hidhët të barnave. Përse nuk vepron kësisoj edhe me zemrën tënde të sëmurë nga mëkatet?” “Akidetu Ehli Es-Sunneh”.

 

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kur njeriu e pastron nijetin për hir të Allahut dhe synimi, brenga e veprimet e tij të janë vetëm për Të, Ai do të jetë me të.” “I’lam El-Muvekki’in”, 2/153.

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse zemrën e ke të qëndrueshme në dashurinë ndaj Allahut, në frikën prej Tij, në dijen se je nën Mbikëqyrjen e Tij dhe në sinqeritet ndaj Tij, atëherë të gjitha veprat dhe çështjet e tua do të jenë të qëndrueshme e të drejta.” “Mexhmu’ul-Fetaua”, 2/235.

 

  • Imam El-Muzenijit i thanë: “Filani të urren!” Ai tha: “S’ka gjë! Kur e kam afër nuk ndiej prehje dhe kur e kam larg nuk ndihem i vetmuar!” “El-Adab Esh-Sher’ijjeh”, 3/375)

 

  • Këshillë e mrekullueshme nga imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë)

“E tërë kjo botë do të kalojë. Çdo gjë në të është për të marrë mësim. E shohim Diellin se si lindë në fillim të ditës, pastaj perëndon dhe largohet në fund të saj. Kështu është edhe çështja e ekzistencës së njeriut në këtë botë; pra, ai lindë, pastaj largohet. Kështu është edhe me hënën. Në fillim të muajit ajo shfaqet e re dhe e hollë, pastaj vazhdimisht mbushet e rritet. E kur të plotësohet, ajo përditë hahet, derisa të bëhet si rremi i përkulur i hurmës. Gjithashtu, kur njeriu shikon në muajt e vitit, ai e sheh muajin e radhës si diçka të largët. Për shembull thotë: “Ne tani jemi në muajin e dymbëdhjetë, dhe deri te Ramazani kanë mbetur edhe tetë muaj! Sa larg që është (Ramazani)!” Mirëpo, ai i kalon këta muaj aq shpejt, sikur të ishin një çast i ditës! Kështu është çështja edhe me jetën e njeriut. Ai e sheh vdekjen si diçka të largët dhe mbanë shpresa të mëdha. Mirëpo, befas, litari i shpresës i këputet dhe çdo gjë i ikë! Ai e bartë kufomën e dikujt tjetër mbi supe dhe e mbulon atë në varr, pastaj fillon të mendojë: “Kur do të vij unë në këtë ditë? Kur do të arrij në këtë gjendje?” Nuk shkon shumë kohë dhe ai arrin në atë gjendje dhe çështja e tij bëhet sikur të kishte jetuar vetëm një mbrëmje apo një mëngjes! E them këtë për ta nxitur veten dhe vëllezërit e mi që të ngutemi për shfrytëzimin e kohës dhe të mos e humbim asnjë çast pa e llogaritur veten se si e kemi kaluar atë. A jemi afruar tek Allahu me ndonjë vepër të mirë? A jemi ende në të njëjtin vend? Cila është gjendja jonë? Pra, ne duhet të kujdesemi për gjërat, para se të jetë tepër vonë! Sa afër me këtë botë është bota tjetër! Ebu Bekri (radijAllahu anhu) shpeshherë e përdorte shprehjen e poetit: “Secilin prej nesh mëngjesi e arrin mes familjes së vet. Mirëpo, vdekjen e ka më afër se rripin e sandaleve!” E lus Allahun të na japë përfundim të mirë, që punët tona të ardhshme t’i bëjë më të mira sesa ato të kaluarat dhe të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin ndaj Tij, ashtu siç është më së miri!” (“Lika’ul-Bab El-Meftuh”, 2/179).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sa më shumë që njeriu i shton veprat e mira, po aq i shtohet (zgjerohet) edhe vendi në Xhenet.” (Hadij El-Eruah, 1/96)

 

  • Muslimani nuk duhet ta humbasë shpresën te mëshira e Allahut për shkak të mëkateve të shumta, dhe njëkohësisht nuk duhet të ndihet i sigurt nga dënimi i Tij për shkak të veprave të mira të shumta, mirëpo duhet të jetojë mes frikës dhe shpresës.” Imam ibn Baz, Allahu e mëshiroftë.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë): “Nëse e sheh veten në mëdyshje lidhur me ndonjë gjë, atëherë mos iu ndaj istigfarit (kërkimit të faljes prej Allahut), sepse përmes istigfarit Allahu ia hap rrugët njeriut.” “Sherh El-Kafijeh Esh-Shafijeh”, 3/189.

 

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush dëshiron që Allahu t’i caktojë të mira, le të ketë mendim të mirë për njerëzit!” El-Mexhmu’u Sherhu El-Muhedh-dheb.

 

 

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ai që kërkon dije jo të bazuar mbi argumente, i shëmbëllen atij që mbledhë dru zjarri gjatë natës, dhe pastaj ato i bartë mbi supe. Brenda tyre mund të ketë një gjarpër i cili pret ta kafshojë, dhe ai nuk di gjë për këtë.” (El-Med’hal, imam Bjehekiu, 263)

 

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) e kishte porositur nxënësin e tij Er-Rebi’ ibn Sulejman (Allahu e mëshiroftë): “Nëse e dëshiron përmirësimin e zemrës, apo të fëmijës tënd, apo të vëllait, apo kujtdo tjetër, atëherë vendose në mesin e kopshteve të Kuranit dhe shoqëroje me të, sepse nëse do Allahu, Ai do ta përmirësojë atë, deshi ai apo nuk deshi.” (Hiljetu El-Evlija’, 9/123)

 

  • “Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një djalë.” Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një djalë të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një djalë. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.” (Merjem, 88-93). O musliman, përse feston me ata që thonë se Allahu ka fëmijë, ndërkohë që ti çdo ditë lexon: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Es-Samed (Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka). Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas, 1-4)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ecja pas epsheve, ia mbyllë njeriut dyert e suksesit dhe i hap dyert e poshtërimit. E sheh atë person se si vazhdimisht thotë: “Sikur Allahu të me jepte sukses, unë do të arrija këtë e atë.” Ndërkohë që vet ia ka mbyllur dyert vetes nëpërmjet ndjekjes së epshit. Fudajl ibn Ijad thoshte: “Kush mposhtet nga epshet dhe ecë pas tyre, i ndërpriten burimet e suksesit.” “Reudatu El-Muhibbine”.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriut, të mirat i vijnë vetëm prej Zotit të vet, prej mirësisë dhe bujarisë së Tij. Ndërsa, të këqijat i vijnë vetëm nga vetvetja.” Mexhmu’u El-Fetaua.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu çdoherë ka nevojë të kërkojë nga Allahu që ta ndihmojë në bindjen ndaj Tij dhe që t’ia përforcojë zemrën, duke e përsëritur thënien: “La hawle we la kuwwete il-la bil-lah” (s’ka ndryshim të gjendjeve dhe as fuqi pa lejen e Allahut).” “Xhami’ul-Mesail”.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sëmundja e godet trupin për shkak të mungesës së shkaqeve të shëndetit. Kështu është edhe me zemrën, ajo sëmuret për shkak të besimit të mangët në të.” “Mexhmu’ul-Fetaua”.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu nuk mund të durojë, nëse nuk e posedon atë tek e cila gjen qetësi e kënaqësi, dhe me të cilën ushqehet, e ajo është bindja.” El-Istikameh.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kënaqësia e cila mbetet pas vdekjes dhe e cila bën dobi në botën tjetër, është kënaqësia e dijes rreth Allahut dhe e të vepruarit për Të.” Mexhmu’u El-Fetaua.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Zemra nuk përmirësohet, nuk shpëton, nuk kënaqet, nuk gëzohet, nuk bëhet e mirë, nuk rehatohet dhe nuk qetësohet, veçse me adhurimin ndaj Zotit të saj, me dashurinë ndaj Tij dhe me kthimin tek Ai. Edhe nëse zemra i arrin të gjitha kënaqësitë e mundshme (në këtë botë), prapëseprapë nuk qetësohet dhe nuk rehatohet, ngaqë ajo ka nevojë qenësore për Zotin e vet.” Mexhmu’u El-Fetaua.

    Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit