Këshillë e imam Uthejminit drejtuar një nxënësi, për metodologjinë e duhur në jetën e tij

Këshillë e imam Uthejminit (Allahu e mëshiroftë) drejtuar një nxënësi, i cili e pyeti për metodologjinë e duhur në jetën e tij

 

Së pari: Me Allahun:

  1. Përkushtohu që gjithmonë të jesh me Allahun e Madhërishëm, duke sjellë ndërmend madhështinë e Tij, duke reflektuar për shenjat e Tij në univers, si për shembull: krijimin e qiejve e të tokës, për gjërat që i vendosi në to me urtësinë e Tij të përsosur, me fuqinë e Tij mahnitëse dhe me mëshirën e mirësinë e Tij madhështore; po ashtu reflekto për shenjat e Tij fetare, me të cilat i dërgoi Profetët, e në veçanti, Profetin e fundit Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
  2. Zemra jote le të jetë e mbushur me dashuri për Allahun e Lartësuar, ngaqë Ai vazhdimisht të jep begati të shumta dhe largon prej teje sprova të ndryshme. E veçanërisht (ta duash) për begatinë e fesë Islame dhe të qëndrueshmërisë në të. Pra, ta duash Allahun, derisa askush të mos jetë më i dashur tek ti sesa Ai.
  3. Ta kesh zemrën të mbushur me madhërim ndaj Allahut, në mënyrë që Ai të jetë më Madhështori tek ti. Kur bëhen bashkë në zemrën tënde dashuria ndaj Allahut dhe madhërimi i Tij, atëherë do të jesh i qëndrueshëm në bindjen ndaj Tij, do t’i kryesh urdhrat e Tij për shkak se e do Atë dhe do t’i braktisësh gjërat që i ka ndaluar ngaqë e madhëron Atë.
  4. Të jesh i sinqertë ndaj Allahut në adhurimet tua dhe të mbështetesh tek Ai në të gjitha gjendjet, në mënyrë që ta realizosh pozitën”Vetëm Ty (o Allah) të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!” (El-Fatiha, 5). Përkujto se je duke i kryer urdhrat e Allahut si zbatim ndaj tyre dhe je duke u larguar nga gjërat që Ai i ndaloi si zbatim ndaj ndalesave të Tij. Me këtë ti do të gjesh ëmbëlsi gjatë kryerjes së adhurimeve, gjë të cilën nuk e gjen nëse nuk i sjellë ndërmend këto që u përmendën. Po ashtu do të gjesh ndihmë prej Tij në të gjitha çështjet tua, gjë që nuk e arrin kur mbështetesh tek vetja.

 

Së dyti: Me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

  1. Ta duash atë më shumë sesa çdo krijesë tjetër dhe ta duash udhëzimin e sunetin e tij më shumë sesa çdo udhëzim e traditë tjetër.
  2. Ta konsiderosh atë si prijës tëndin në adhurimet dhe sjelljet tua, duke përkujtuar gjatë kryerjes së ndonjë adhurimi se je duke e pasuar atë, sikur ai të ishte duke ecur para teje dhe ti i ndjek hapat e tij dhe ec rrugës së tij. Po ashtu edhe në raportet tua me të tjerët, ndiqe moralin e tij, për të cilin Allahu tha: (وَإِنَّكَ لَعَلَى خُلُقٍ عَظِيمٍ) – “Dhe me të vërtetë, ti (Muhamed) je me virtyte madhështore.” (El-Kalem, 4). Nëse i përmbahesh kësaj që u përmend, ti do jesh skajshmërish i përkushtuar të mësosh për fenë dhe moralin e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
  3. Të thërrasësh drejt Sunetit të tij, ta ndihmosh dhe ta mbrosh atë, sepse Allahu i Lartësuar të ndihmon aq sa ti e ndihmon fenë e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Së treti: Veprat ditore, jashtë atyre që i ke të obligueshme:

  1. Kur të zgjohesh nga gjumi i natës, përmende Allahun e Lartësuar dhe lute Atë për çfarë të duash, sepse lutja në atë kohë është shumë afër përgjigjes. Pastaj lexoji dhjetë ajetet e fundit të sures Al-Imran.
  2. Falu aq sa të mundesh në fund të natës dhe namazin përfundoje me vitër.
  3. Rregullisht thuaje dhikrin e mëngjesit. Thuaje njëqind herë: “La ilahe il-lAll-llahu wahdehu la sherike lehu. Lehul-mulku we lehul-hamdu we huwe ‘ala kul-li shej’in kadir.”
  4. Fale namazin e duhasë (të paradites).
  5. Rregullisht thuaje dhikrin e mbrëmjes.

 

Së katërti: Metoda e kërkimit të dijes:

  1. Përkushtohu në mësimin përmendsh të Librit të Allahut (Kuranit) dhe për çdo ditë ndaje një pjesë të caktuar për ta lexuar atë. Leximi yt i Kuranit le të jetë i shoqëruar me përsiatje dhe me përpjekje kuptimi. Nëse gjatë leximit të shfaqet ndonjë dobi, shënoje atë.
  2. Përkushtohu në mësimin përmendësh aq sa mundesh nga hadithet e vërteta të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, si për shembull librin: “Umdetu El-Ahkam”.
  3. Gjithmonë ji i vëmendshëm, i përqendruar e këmbëngulës dhe mos e merr dijen një pjesë të vockël nga këtu e një pjesë tjetër të vockël nga atje, sepse kjo ta humbë kohën dhe ta shpërqendron mendjen.
  4. Fillo me librat e vegjël, mësoji mirë, pastaj zhvendosu te librat më të gjatë, në mënyrë që të arrish dijen gradualisht dhe ajo të zë vend në zemrën tënde dhe shpirti yt të qetësohet tek ajo.
  5. Përkushtohu në mësimin e bazave të çështjeve dhe rregullave të përgjithshme të tyre. Çdo gjë që të kalon pranë prej këtyre, shënoje. Është thënë: “Kush privohet nga bazat, privohet nga arritja (e dijes)!”
  6. Debato lirshëm me hoxhën tënd për çështjet e fesë, apo me atë që i beson në dije e në fe prej shokëve të tu, madje nëse s’ke mundësi të debatosh me ata që i cekëm, supozo me mendjen tënde se je duke debatuar me dikë.”

 

 “Mexhmu’u El-Fetaua” – Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

 

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit