Këshillë për atë që do të shkojë për studime (për fe)

 

-Më e rëndësishmja është përmirësimi i nijetit. Kur nijeti është i sinqertë atëherë  suksesi vjen prej Allahut. Nijeti i sinqertë në kërkimin e dijes është: largimi i injorancës prej vetes dhe prej të tjerëve. Së pari që të largohet mosdija prej vetes në çështjet e fesë, e pastaj edhe prej të tjerëve. Nëse e ke këtë nijet shko. E nëse ke nijet tjetër atëherë përmirësoje, si: që të zësh një vend në xhami si imam, apo si mësues në medrese etj., këto nuk janë nijete të mira, e madje disa (në bazë të rasteve që njohim) nuk e kanë gjetur veten në Kosovë dhe kanë dashur të shkojnë që ta provojnë se si është në vendet arabe, pasi kanë dështuar janë kthyer edhe më keq sesa kanë qenë. Kështu që, njeriu duhet të përmirësojë nijetin mes tij dhe Allahut. Sidomos në kërkimin e dijes fetare. Kanë ardhur hadithe shumë kërcënuese për atë i cili kërkon dije për qëllime të dunjasë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush që kërkon një dije e cila kërkohet vetëm për Allahun (dija fetare) që të barazohet me dijetarët,* apo të debatojë e polemizojë me injorantët, apo që fytyrat e njerëzve të kthehen nga ai, atë Allahu do ta fusë në zjarr.” Ai që do të shkojë të kërkojë dije duhet ta ketë parasysh këtë gjë.

-Kur shkon gjëja kryesore që duhet t’i kushtojë është koha, që ta ruajë atë, të mos e shpenzojë në ndeja (darka e çaja) apo në kotësi. Por, të dijë se ai është sikur punëtori i cili ka një orar të caktuar të punës për të cilin paguhet e nuk i lejohet asnjë minutë të asaj kohe ta shfrytëzojë për gjëra jashtë punës që bën. Ai e ka përcaktuar veten të jetë mësues që t’ua mësojë të tjerëve fenë, andaj koha e tij është në shërbim të tjerëve dhe nuk bën ta shpenzojë kot, por duhet ta shfrytëzojë sa të mundet.

Lutja tek Allahu. Ta lusë Allahun që t’ia përmirësojë nijetin dhe t’i japë sukses në shfrytëzimin e kohës për kërkimin e dijes. Pra t’i mbështetet Allahut dhe ta lusë Atë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse besimtari e di se nuk mund të ketë forcë e ndryshim në univers veçse me dëshirën e vullnetin e Allahut. Andaj ai duhet ta lusë Allahun, t’i mbështetet Atij dhe t’ia dorëzojë çështjen Atij që Ai t’i japë sukses. Kur ka sinqeritet patjetër Allahu do t’ia hapë mendjen e zemrën në kërkimin e dijes, do t’i japë bereqet në kohë dhe do t’ia mundësojë të kuptojë mirë çështjet e fesë.

Të gjejë shoqëri të mirë, e cila e nxitë të shfrytëzimin e kohës, e nxitë të shkojë në mexhliset e dijes, të mësojë Kuran përmendësh, hadithe etj. Nëse Allahu ia mundëson të ketë një shok të tillë, kjo është mirësi e madhe, e nuk duhet t’i ndahet atij.

*Qëllimi është: të arrijë pozitë te njerëzit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit