Krahasimet në Kur’an-2

Krahasimi i fjalës së mirë më pemën e mirë/2

Disa nga dijetarët e brezave të parë (selefët) kanë thënë se me fjalën “pema e mirë” në këtë ajet është për qëllim pema e hurmës, dhe për këtë tregon hadithi i transmetuar nga ibën Omeri [1]. Disa të tjerë kanë thënë se me fjalën “pema e mirë” është për qëllim vetë besimtari, siq është transmetuar nga Ibën Abasi, i cili thotë se në ajetin: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e krahason fjalën e mirë me pemën e mirë” pema e mirë dmth është besimtari, kurse pjesa tjetër e ajetit: “e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli” dmth besimtari vepron në tokë dhe veprat e tij arrijnë në qiell.[2]

Ndërsa Atije el Aufi thotë rreth këtij ajeti:
“Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e krahason fjalën e mirë me pemën e mirë?” (Ibrahim24), pema e mirë është sikurse besimtari, nga i cili vazhdimisht burojnë fjalë dhe vepra të mira të cilat ngjiten lart te Allahu”.

Rebië ibën Enesi thotë:
fjala e Allahut “rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli” ka për qëllim besimtarin, të cilin Allahu e krahason me pemën për sinqeritetin dhe ibadetin e tij. “Rrënjën e ka të fortë në tokë” dmth veprat e tij janë në tokë, “kurse degët nga qielli” dmth ai përmendet në qiell. Nuk ka dallim mes këtyre mendimeve, sepse në të dy mendimet është për qëllim besimtari dhe krahasimi i tij me pemën e hurmës. Pra pema e hurmës është pemë e mirë, dhe përderisa besimtari është krahasuar me të, atëherë ai do të jetë i mirë. Disa të tjerë kanë thënë se ajo është një pemë në xhenet. Por pema e hurmës është pema më e mirë e xhenetit.

Në këtë krahasim ka fshehtësi dhe dituri që lidhet me diturinë dhe urtësinë e Allahut. Ndër fshehtësitë dhe urtësitë është fakti se pema duhet t’i ketë rrënjët, trungun, degët, gjethet dhe frutat, e gjithashtu edhe pema e besimit dhe islamit përputhet me këtë krahasim, sepse rrënjët e saja janë dituria dhe bindja, trungu i sajë është sinqeriteti, degët e saja janë veprat, ndërsa frutat e saja janë rezultatet e veprave të mira, siq janë: karakteret e mira, morali i mirë dhe udhëzimi. Pra mbjellja e kësaj peme në zemër dhe forcimi i sajë argumentohet me këto gjëra, sepse nëse dituria është e shëndoshë dhe është në pajtim me diturinë që e ka shpallë Allahu në Librin e Tij, nëse besimi është në pajtim me atë që ka njoftuar Allahu për veten e tij dhe me atë që kanë njoftuar pejgamberët e tij, nëse sinqeriteti është në zemër dhe veprat janë në pajtim me udhëzimin, atëherë këto u ngjasojnë rrënjëve të pemës, dhe me këtë mësohet se pema e besimit ka rrënjët në zemër dhe degët e saja janë në qiell. Por nëse është e kundërta, atëherë mësohet se në zemër është pema e keqe me rrënjë të shkulura dhe e paqëndrueshme. Ndër fshehtësitë dhe urtësitë e këtij krahasimi është fakti se pema nuk mund të jetojë pa ujitur, dhe nëse i ndërpitet ujitja fillon të thahet. Kështu është edhe pema e besimit që gjendet në zemër, nëse njeriu nuk kujdeset rregullisht për ujitjen e saj me vepra të mira dhe të dobishme, ajo fillon të thahet. Në Musnedin e Imam Ahmedit është transmetuar nga Ebu Hurejre se Pejgamberi ka thënë:

“Imani vjetërsohet në zemrat e juaja sikurse vjetërsohet rroba, andaj ripërtërini imanin tuaj” [3].

Pra nëse njeriu nuk kujdeset rregullisht për pemën e mbjellë, ajo do të thahet, dhe nga këtu mësohet nevoja e madhe që kanë robërit ndaj ibadeteve, ndaj kohës, ndaj mëshirës dhe mirësisë së Allahut, i Cili ka bërë që ibadetet të jenë ujitje e pemës së teuhidit, të cilën Ai e ka mbjellë në zemrat e tyre. Ndër urtësitë e këtij krahasimi është fakti që Allahu ka bërë që të mbjellat e dobishme të përzihen me shkurre dhe bimë të llojeve tjera, dhe nëse pronari i këtyre pemëve kujdeset rregullisht për t’i pastruar nga shkurret, ato do të zhvillohen dhe plotësohen dhe do të japin fruta më të mira. Por nëse nuk kujdeset që ato pemë t’i pastrojë nga shkurret, atëherë ato dobësohen dhe japin fruta të dobëta. Prandaj ai që nuk e njeh dhe nuk kupton këtë, do të humbë një fitim të madh duke mos e vërejtur fare. Pra besimtari çdo herë duhet të përpjeket për dy gjëra: të ujis këtë pemë dhe ta pastrojë nga shkurret, sepse me ujitje ajo vazhdon të jetoj, kurse me pastrim nga shkurret zhvillohet dhe plotësohet. Vetëm Allahut i kërkohet ndihma dhe vetëm të Ai duhet mbështetur.

Këto ishin disa fshehtësi dhe urtësi që përmban ky krahasim madhështor, dhe ndoshta këto fjalë janë si një pikë ujë në det, për shkak se mendjet tona janë të dobëta, dijet tona janë të pakëta, dhe se veprat tona janë të mangëta që kërkojnë pendim dhe falje. Përndryshe, nëse zemrat dhe mendjet tona të pastroheshin, veprat tona të ishin të sinqerta, atëherë do të shihnim aq shumë kuptime të fjalës së Allahut, aq shumë urtësi të Tij, saqë përballë tyre do të zhdukeshin dijet tjera. Me këtë e kuptojmë nivelin e lartë të dijes së sahabëve, dhe se dallimi mes diturisë së tyre dhe gjeneratave të mëvonshme është sikurse dallimi mes vlerës së tyre. Allahu e di më së miri ku e vë mirësinë e tij dhe mëshirën e Tij…

Shkëputur nga libri: “El Emthalu fil Kur’ani”

Autor: Ibën Kajim el Xheuzije

Përktheu: J.B

——————————————————————————

[1] . I cili thotë: Pejgamberi na tha: “Është një pemë që nuk i bien gjethet, dhe ajo i ngjason besimtarit, a më tregoni cila është ajo?” Sahabët menduan se janë pemët e shkretëtirës. Ndërsa Abdulla ibën Omeri thotë: “Unë thash me vete se ajo është pema e hurmës, por kisha turp ta them. Më pas sahabët thanë: “Cila është ajo o i dërguar i Allahut?” Ai u përgjigj: “Ajo është pema e hurmës” (Buhariu dhe Muslimi)

[2] . Ibën Xherir: 13/204

[3] . Imam Ahmedi, Taberani: 4/1.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit