Kryerja e aktit të nikahut (martesës) mes dy Bajrameve

Komisioni i përhershëm për studime dhe fetva

Pyetje: Unë jam një person në moshë të re dhe jam i fejuar me një vajzë, një kohë pas fejesës vendosa të martohem në periudhën mes dy Bajrameve, mirëpo hasa në një problem, të afërmit e së fejuarës sime përhapën mes tyre çështjen që martesa në këtë periudhë (mes dy Bajrameve) nuk lejohet. Atëherë prindi im u detyrua ta pyes imamin e një xhamie i cili iu përgjigj se nga ana sheriatike (fetare) kjo nuk lejohet. Kurse unë personalisht kam pyetur një imam tjetër dha ai më dha përgjigj të kundërt nga i pari (d.m.th. lejohet). Kështu që më janë përzier çështjet, prandaj iu shkruaj juve, dhe jam i gjithi shpresë që do të gjejë përgjigje bindëse nga ju, të mbështetur në Hadithe Profetike ose konsensusin e dijetarëve, që të kem mundësi t’i bind familjen e së fejuarës, sepse unë jam i bindur që martesa mes dy Bajrameve është e lejuar, mirëpo nuk kam mundur të siguroj argumente nga Kurani dhe Sunneti për këtë çështje.

Përgjigje: Njeriut i lejohet të martohet me gruan e tij dhe të hyj dhëndër (të ketë marrëdhënie seksuale me të) në cilëndo ditë prej ditëve të vitit, përveç kur është në ihram për Haxh apo Umre, sepse është haram (e ndaluar) për të gjatë ihramit: martesa dhe kryerja e aktit të nikahut për të apo ta martoj dikë tjetër. Kurse sa i përket që akti i nikahut është i ndaluar mes Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit, apo gjatë ditëve të tjera të vitit kjo nuk ka bazë në sheriatin (fenë) tonë, bile është vërtetuar nga vet i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) se ai është martuar me Aishen (radijjAll-llahu anha) dhe ka hy dhëndër në muajin Sheval (d.m.th. pas Ramazanit, mes dy Bajrameve). Kjo argumentohet me thënien e Aishes (radijjAll-llahu anha) të cilën Imam Muslimi dhe të tjerët e transmetojnë nga Urve (radijjAllahu anhu), ky nga Aisha (radijjAllahu anha) të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) më martoi në Sheval dhe gjithashtu hyri dhëndër me mua në Sheval, e cila grua nga gratë e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte më me pozitë tek ai se unë?” Urve (radijjAll-llahu anhu) tha: “Aisha (radijjAllahu anha) e pëlqente që burri të hyj dhëndër tek gruaja e tij në muajin Sheval.” Transmetuar nga Tirmidhiu, Imam Ahmedi në “Musned”, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe të tjerët.

Aisha (radijjAllahu anha) preferonte që burrat të hynin dhëndër tek gratë e tyre në muajin Sheval si pasim i Sunnetit të të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe si revokim i traditave të xhahilijjetit (periudhës para-islame). Prandaj braktisja e martesës nga disa injorantë dhe të pashkolluar duke e urryer kryerjen e aktit të martesës në muajin Sheval është gjë e kot dhe nuk ka bazë (në fenë tonë), bile kjo është prej traditave të xhahilijjetit (periudhës së injorancës para-islame). Arabët e kësaj epoke (paganët) e konsideronin këtë si shenjë ogurzezë, për arsye se prej kuptimeve të emrit Sheval janë edhe: paralizimi dhe largimi. Ibën Sa’di në “Tabekat” thotë: “Ata (mushrikët- paganët) e urrenin këtë (martesën në Sheval) për arsye se njëherë ka rënë murtaja gjatë tij, dhe shkaku i kësaj ata e konsideronin këtë muaj si shenjë ogurzezë dhe ndjellës i fatit të keq.”

Pra, myslimani duhet të pasojë atë që ka ardhur në Librin e Allahut (Kuran) dhe Sunnetin e të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe shokëve të tij, sepse në këtë është e gjithë e mira. Të lerë çdo gjë që e kundërshton këtë (Kuranin dhe Sunnetin), të largohet nga traditat e xhahilijjetit dhe fjalët e injorantëve e të mos iu kushtoj rëndësi atyre.

Allahu është i Vetmi që e jep suksesin. Salatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin Muhammed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij!

Fetvaja nr. 19802, vëllimi nr. 19, faqe: 160-161.

Komision në përbërje të: AbdulAziz ibën Baz, Abdulaziz Alu Esh-shejh, Bekr Ebu Zejd, Salih El-Feuzan, Abdull-llah ibën Gudejan.

Përktheu: Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit