Kthimi i padrejtësive

Dr. Abdurrezak el Bedr

Lavdërimi dhe falënderimi i takon Allahut, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje dhe te Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë të na ruajë nga e keqja e vetes sonë dhe nga e keqja e veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon s’ka kush e humbë, ndërsa atë që Allahu e lë në humbje s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk meriton ë adhurohet me të drejtë askush po Allahut, si dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i tij, cili e komunikoi mesazhin e Tij, e dërgoi amanetin në vend, e këshilloi umetin dhe luftoi për hir të Allahut derisa i erdhi vdekja, salavatet dhe selamet qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Robër të Allahut, kini frikë Allahun kur jeni në fshehtësi dhe para njerëzve, si dhe kujtojeni se Allahu ju përcjellë, sepse Ai dëgjon dhe sheh.

Të nderuar besimtarë, jeta në këtë botë është një rast i çmuar për besimtarin që t’i kthejë padrejtësitë që ua ka bërë të tjerëve dhe t’u kërkojë falje, në mënyrë që të dal i pastër nga kjo botë, e të mos e takojë Allahun duke i bartë mbi vete padrejtësitë ndaj të tjerëve.

Njeriu e ka obligim që të shfrytëzojë rastin e ekzistimit të tij në këtë botë për t’u liruar nga padrejtësitë para se t’i merret haku në ditën e gjykimit, sepse kjo botë është rast i çmuar për t’i kthyer padrejtësitë e bëra, kurse në botën tjetër ka vetëm marrje haku. Në ahiret nuk ka dinar a dërhem, e as ndonjë plaçkë të kësaj bote, sepse të gjitha këto njeriu do t’i lë pas në këtë botë, kurse Allahun do ta takojë duke marrë me vete veprat e tij, të mira apo të këqija qofshin ato.

Nga Abdullah bin Unejs (radij allahu anhu) transmetohet të ketë thënë:

“Njerëzit do të ringjallen të zhveshur, të pabërë sunet dhe nuk do të kenë asgjë me vete. Më pas do t’i thërret një zë që do ta dëgjojë ai që është larg dhe ai që është afër: “Unë jam Sunduesi dhe Poseduesi, Unë jam Shpërblyesi. Nëse një banor i xhehenemit i ka pasur hak ndonjë banori të xhenetit, atëherë ai nuk do të hyjë në xhehenem pa ia kthyer atë, po ashtu nëse një banor i xhenetit i ka pasur hak ndonjë banori të xhehenemit, ai nuk do të hyjë në xhenet pa ia kthyer hakun atij, qoftë nëse e ka goditur një shuplakë”.

Atëherë ne i thamë Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem): “Si do të ndodhë ky shpagim përderisa ne do të dalim para Allahut duke mos pasur asgjë me vete?”

Ai tha: “Ky shpagim do të bëhet me vepra të mira dhe të këqia” [Transmeton Ahmedi në librin “El Musned”, Buhariu në librin “Edebul Mufred”, Hakimi në Mustedrek dhe të tjerë].

D.m.th shpagimi në ditën e gjykimit do të bëhet me vepra të mira dhe të këqija, duke ia marrë veprat e mira atij që ka bërë padrejtësi dhe duke ia kthyer atij që i është bërë padrejtësia, sipas sasisë së padrejtësisë, e nëse i mbarojnë veprat e mira atij që ka bërë padrejtësi, atëherë do t’u merren të këqijat e atyre që u është bërë padrejtësia dhe do t’i hedhen atij dhe do të hedhet në zjarr.

Këtu shfaqet realiteti i falimentimit, jo sipas asaj që e kuptojnë shumë njerëz se i falimentuar është ai që nuk posedon dinar as dërhem, por falimentim i vërtetë është ai në ditën e gjykimit, falimentimi i veprave të mira; sepse njeriu mund të ketë shumë vepra të mira, por ato mund të pakësohen përballë atyre njerëzve që u ka bërë padrejtësi, disa vepra do i shkojnë andej disa këndej derisa të mos i mbes asnjë e më pas të hedhet në xhehenem, Allahu na ruajttë të gjithëve.

Këtë e sqaron hadithi i shënuar në Muslim, i cili transmetohet nga Ebu Hurejre (radij allahu anhu), se Pejgamberi (Salallahu alejhi ve selem) ka thënë:

“A e dini se cili njeri është i falimentuar?”

Iu përgjigjën: “Të falimentuar e konsiderojmë atë njeri i cili nuk posedon asnjë dinar e asnjë plaçkë”.

Atëherë ai tha: “I falimentuar nga umeti im është ai i cili në ditën e gjykimit vjen me namaz, agjërim dhe zekat – vëre, Pejgamberi thotë se ai vjen me namaz, agjërim dhe zekat, d.m.th të pranuar te Allahu, pra ato janë vepra të mira me të cilat e takon Allahun në ditën e gjykimit, por cili është përfundimi i tyre?! – por dikë e ka fyer, dikujt i ka shpifur për imoralitet, dikujt ia ka marrë pasurinë, dikë e ka gjakosur, dikë e ka goditur, e më pas çdo njërit do t’u jepen nga veprat e mira të tij, e nëse i mbarojnë veprat e mira para se t’i merret haku, atëherë do të merren mëkatet e tyre dhe do t’i hedhen atij, e më pas do të hedhet në zjarr”.

Vëre këto pesë gjëra të cilat i përmendi Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem):

“Dikë e ka fyer e dikujt i ka shpifur për imoralitet”, kjo është nëpërkëmbje e nderit.

“Dikujt ia ka marrë pasurinë” tregon për nëpërkëmbje të pasurisë.

“Dikë e ka gjakosur, dikë e ka goditur” tregon për nëpërkëmbje të njeriut dhe gjakut të tij.

Kurse në haxhin e lamtumirës, Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Vërtetë gjaku juaj, pasuria juaj, nderi juaj dhe njerëzit tuaj u janë ndaluar t’i cenoni, sikurse u është ndaluar ta cenoni shenjtërinë e kësaj dite (ditës së arafatit), në këtë muaj të shenjtë (dhul hixhe) në këtë vend të shenjtë (Meke)”.

Pastaj tha: “A nuk ua përcolla këtë?”

Ne i thamë: “Po, na e përcolle”.

Atëherë tha: “O Allah dëshmo për këtë”.

Robër të Allahut! Ai që ka falimentuar në këtë jetë duke humbur dinarin dhe dërhemin, falimentimi i tij do të përfundojë me dy gjëra: ose me vdekjen e tij, ose me arritjen e pasurisë.

Ndërsa ai që falimenton në ditën e gjykimit, përfundimi i tij do të jetë i dhembshëm, fatkeqësia e tij do të jetë e madhe; prandaj njeriu i mençur duhet të shfrytëzojë rastin derisa është në këtë jetë që t’ua kthejë hakun njerëzve dhe të lirohet nga nëpërkëmbjet ndaj tyre para së vijë koha kur do të qëndrojë para Allahut duke mbartë mbi vete padrejtësitë dhe nëpërkëmbjet ndaj të tjerëve.

Vështroje këshillën e Pejgamberit tënd (salallahu alejhi ve selem) në hadithin e cituar nga Ebu Hurejre, ku thotë:

“Kush e ka nëpërkëmbë nderin e vëllait të tij apo i ka bërë ndonjë padrejtësi, atëherë le t’i kërkojë falje sot nga ajo para se të vijë dita kur nuk do të posedojë dinar e as dërhem.”

Pra të kemi frikë Allahun dhe t’u bëjmë llogari veprave tona para se të na i llogaritë Allahu, llogaritni veprat tuaja par se të llogariten në ditën e gjykimi, vëni ato në peshore para se të vëhen në peshoren e ditës së gjykimit. Përgatituni për ditën e qëndrimit para Allahut “Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur” (El Hakka: 18).

 

Përktheu: Jeton Bozhlani

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit