Disa porosi për të rinjtë muslimanë

Disa porosi për të rinjtë muslimanë

  1. I riu duhet të largohet prej të këqijave dhe devijimeve. Në të gjithë këtë duhet të kërkojë ndihmë prej Allahut. Ai duhet të mundohet që të mbyllë atë derë nga ku i hyn e keqja.
  2. Duhet të punojë shumë në të qenit i rregullt dhe i vazhdueshëm në kryerjen e obligimeve të fesë, e sidomos në kryerjen e namazit; përveç që e fal, të mundohet ta falë në formën më të mirë, ngase namazi është siguri për të nga çdo e keqe dhe kotësi, si dhe e ndihmon të arrijë mirësitë në të dy botët. Allahu thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…”, Ankebut 45. Mirëpo, siç thonë dijetarët, kjo kur personi e kryen namazin ashtu siç kërkohet.
  3. Duhet të jetë afër dijetarëve (sidomos afër atyre që kanë arritur dije të madhe), afër njerëzve të dijes, të dëgjojë këshillat e mësimet e tyre, të përfitojë prej tyre. Për çdo gjë shqetësuese e brengosëse të kthehet tek këshillat dhe mësimet e tyre.
  4. Duhet të jetë i dëgjueshëm dhe i bindur ndaj udhëheqësve të tij, ngase në këtë ka shpëtim. Dijetarët thonë: “Që njeriu të shpëtojë dhe të rregullohet jeta në këtë botë, ai duhet të jetë i dëgjueshëm dhe i bindur ndaj udhëheqësit të tij.” Metodologjitë që thërrasin për mosbindje ndaj udhëheqësve (aty ku nuk ka mëkat), për largim nga xhemati dhe për kryengritje ndaj udhëheqësve, janë rrugë që dërgojnë drejt të këqijave dhe shkatërrimit.
  5. Duhet të përmendë Allahun, rregullisht dhe vazhdueshëm, si: të bëjë dhikrin pas namazeve farz, dhikrin e mëngjesit e të mbrëmjes, dhikrin kur del prej shtëpie dhe kur hyn në të etj. Dhikri është shkak për mbrojtjen nga shejtani dhe e siguron prej të këqijave e belave.
  6. Të mos i ndahet Librit të AllahutKuranit, çdo ditë t’ia caktojë vetes një pjesë nga Kurani për ta lexuar. Allahu thotë: “….ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. Dhikri më i madh është leximi i Kuranit.
  7. Të shtojë lutjet për forcim në rrugën e vërtetë, si: në sexhde, në namazin e natës etj. Lutja është çelësi i çdo mirësie në këtë botë dhe tjetrën.
  8. Të shoqërohet vetëm me besimtarë të mirë, të devotshëm, dhe të ketë kujdes e të largohet nga shoqërimi me njerëz të këqij dhe të devijuar, sepse nëse shoqërohet me këta do ta tërheqin drejt rrugëve të gabuara.
  9. Të jetë i kujdesshëm në përdorimin e mjeteve të reja teknologjike, përmes të cilave bëhet luftë ideologjike kundër muslimanëve.
  10. T’ia kujtojë vetes se një Ditë do të qëndrojë para Allahut dhe Ai do ta pyesë se si e kaloi rininë sa ishte në këtë jetë. Allahu tregon për besimtarët se kur do të hyjnë në xhenet do të thonë:  “Më parë, Ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut), por Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit).” Tur 26-27.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Disa porosi për të rinjtë muslimanë” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit