Vetmimi – kur ka dobi e kur ka pasoja

Qëndrimi vetëm është i lejuar kur personi ka dobi, madje ligjësohet e preferohet. Dijetarët kanë thënë se është mirë që gjatë ditës besimtari t’ia caktojë vetes një kohë vetmimi me Allahun duke e përmendur Atë, duke medituar dhe duke e kujtuar Atë, Madhështinë e Tij, Mëshirën e Tij, mirësitë që ia ka dhënë atij etj. Ky vetmim preferohet, sidomos kur bëhet fjalë për dijen. Ibn Mubarekun e kanë pyetur: “A nuk mërzitesh që qëndron vetëm?” E ai ka thënë: “Si të mërzitem kur unë (me këtë) jam në shoqërinë e Pejgamberit dhe të shokëve të tij?!” Qëllimi i kësaj fjale të tij ka qenë se ai ka qenë duke lexuar hadithet e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe i është dukur sikur është me të dhe shokët e tij, sikur po i përjeton ato ngjarje e ndodhi të tyre. Porse, njeriu qëndron kështu vetëm për aq sa nuk lë mangët diçka prej obligimeve ndaj familjes, apo ndaj vetes, apo ndaj muslimanëve etj.

Nganjëherë disa çështje janë adhurime kalimtare. Veprat, si: ndihma ndaj të tjerëve, qoftë financiare apo fizike, janë më të dobishme sesa adhurimet që bën vetë ngase prej adhurimeve që kufizohen te vetja jonë përfitojmë vetëm ne, kurse prej adhurimeve kalimtare përfitojmë ne dhe të tjerët po ashtu, e këto janë më të dobishmet.

Gjithashtu vetmimi është i mirë kur bëhet në çështje të dobishme, mirëpo ndodhë që disa njerëz kur vetmohen, pastaj fillojnë të kenë lajthitje, kështu mendojnë se vetëm ata janë në rrugën e drejtë, të tjerët janë të devijuar, dhe kështu nisin t’i bëjnë bidatxhi ose jobesimtarë etj. Shumë prej atyre që janë bërë havarixhë, arsyeja e kësaj është se janë ndarë prej shoqërisë, janë vetmuar dhe kanë filluar të gjykojnë pjesën tjetër të muslimanëve së pari si mëkatarë e pastaj si jobesimtarë.

Vetmia, përderisa është gjë e dobishme dhe përfituese, lejohet e nëse ka pasoja prej kësaj dhe dëme, atëherë besimtarit nuk i lejohet të vetmohet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar: “Ai që përzihet me njerëz dhe duron ndaj lëndimeve të tyre është më i mirë sesa ai që nuk përzihet me ta dhe nuk duron ndaj lëndimeve të tyre.” E qëllimi i përzierjes me njerëzit nuk është që ai të shkojë aty ku ka ndalesa e mëkate, porse qëllimi është që t’iu sjellë dobi atyre, t’iu bëjë davet, t’ua shpjegojë fenë, dhe të bëjë durim ndaj ofendimeve që t’i bëjnë në këto raste; kjo është më mirë sesa të mos përzihesh me ta e të jesh rahat.

Andaj, edhe vetmimi dhe jovetmimi kanë aspektin se kur lejohen e janë të dobishme dhe aspektin se kur ndalohen e janë të dëmshme për besimtarin.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit