Hipokrizia – Sëmundja e tretë e zemrës

Hipokrizia – nifaku

Hipokrizia është shfaqja e Islamit dhe e veprave të mira dhe fshehja në zemër e mohimit dhe të këqijave. Ajo është dy lloje:

  1. Në besim, hipokrizia e madhe, ai që e ka këtë lloj del nga Islami dhe do të jetë në shkallën më të ulët të xhehenemit nëse vdes në këtë gjendje.
  2. Në zemër, hipokrizia e vogël, kur ke tipare të hipokritëve (tradhton, gënjen, thyen marrëveshjen, tejkalimi i kufijve kur debaton), kjo nuk nxjerr nga feja por është rrugë që dërgon në hipokrizinë e madhe; ky person ka në zemër edhe besim edhe hipokrizi.

Allahu na ka treguar në Kuran se hipokritët janë ata të cilëve u kanë vdekur zemrat dhe se çfarë pasoja ka ajo. Ai thotë: “Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre.” Bekare 10. “…ata fillimisht besuan, pastaj mohuan, kështu që zemrat e tyre u vulosën dhe si pasojë ata nuk kuptojnë më.” Munafikun 10. Kjo sëmundje është e rrezikshme si për individin si për shoqërinë, sepse:

-Hipokritët janë mëkatarët më të mëdhenj dhe më të pabindurit ndaj Allahut. Kur ata shtohen atëherë si pasojë umeti shkatërrohet.

-Ata gënjejnë shumë.

-Tek ta ndryshohen konceptet, çka është mirë e çka është e keqe (ata janë shkatërrimtarët).

-Ata luhaten mes besimit dhe mohimit.

-Ata janë dorë e zgjatur e armiqve të Islamit kundër muslimanëve (prej tyre shpifja ndaj Aishes radijAllahu anha). Ata janë më të rrezikshëm për Islamin dhe muslimanët sesa jobesimtarët në origjinë (prej feve të tjera).

Për shkak të rrezikut të madh të hipokritëve Allahu i ka demaskuar në suren Bekare, Ali Imran, Nisa, Teube, Munafikun. Gjithashtu Allahu ia ka mundësuar Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të dijë me emra se kush janë hipokritët. Ata janë armiq të muslimanëve, janë të ndyrë, tradhtarë, këshilltarë të këqij, shokë të këqij, nuk e duan të mirën për besimtarët etj. E megjithatë Allahu ua ka hapur derën e pendimit që t’i kthehen besimit të vërtetë, “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës. Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” Nisa 145-146. Pra ilaçi i dobishëm për ata që janë goditur me hipokrizinë e madhe është kthimi në besimin e vërtetë, me zemër dhe me anën e jashtme.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit