Kujtimi i dënimit dhe kënaqësisë së varrit

Kujtimi i dënimit dhe kënaqësisë së varrit

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ky umet do të sprovohet në varret e tyre. Sikur mos të ishte arsyeja se ju nuk do ta varrosnit njëri-tjetrin, do ta lusja Allahun që t’ua mundësonte të dëgjonit dënimin e varrit, ashtu siç jam duke e dëgjuar unë tani.” Më pas tha: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu prej dënimit të varrit!”

Allahu ka bërë që njeriu të varroset pasi të vdesë. Kjo është prej nderimit që Allahu ia ka bërë, që të mos mbetet në sipërfaqen e tokës e ta hanë/shqyejnë egërsirat apo shpendët.

Njeriu kur e jep shpirtin do të përgëzohet me të mira (shpërblim e mëshirë) ose do të lajmërohet për dënim. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e do takimin me Allahun, edhe Ai e do takimin me Atë e kush e urren takimin me Allahun, edhe Ai e urren takimin me të.” Aisha radijAllahu anha ka pyetur: “E si është puna që ne të gjithë e urrejmë vdekjen?” Ka thënë: “Nuk është siç mendon. Besimtarit kur t’i vijë vdekja, engjëjt e përgëzojnë se e pret kënaqësia dhe nderimi i Allahut, andaj për të nuk ka gjë më të dashur sesa ajo që e pretë atë (nuk i dhimbset më jeta e kësaj bote). Dhe do sa më shpejt të takohet me Allahun (kur është në momentet e vdekjes) dhe Ai e do takimin me të. Ndërsa, kur jobesimtarit t’i vijë agonia e vdekjes, i jepen lajmet e këqija, se e pret dënimi i Allahut, andaj për të nuk ka gjë më të urryer sesa ajo që e pretë, ai e urren takimin me Allahun dhe Ai e urren takimin me të.”

E pastaj kur dërgohet në varr, gjëja e vetme të cilën e ngushëllojnë janë veprat e mira që ka bërë. Pasi varroset ai dëgjon zhurmën e këpucëve të të tjerëve kur largohen. Pastaj varri do ta ngushtojë njeriun saqë brirët i hyjnë në njëri-tjetrin. Prej kësaj nuk shpëton asnjë njeri (çfarëdo pozite, moshe, niveli fetar).

Pastaj duke qenë në këtë gjendje i vijnë dy engjëj të zi me sy të kaltër, Munkiri e Nekiri (quhen kështu sepse kanë pamje të çuditshme, të frikshme), në errësirë të plotë, pa pasur mundësi të ikë nga kjo. E pyesin: “Çfarë thoshe për këtë njeri (për Muhamedin salAllahu alejhi ue selem) kur ishe në jetën e tokës?” Nëse është besimtar thotë: “Ai është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i Dërguar i tij.” I thonë: “Ne e dimë se e ke thënë këtë.” Dhe i zgjerohet varri 70 kut dhe i ndriçohet. Dhe ai fle sikur fle ai që hyn dhëndër. Vazhdon në këtë gjendje deri në ringjallje. Ndërsa, dyfytyrëshi thotë: “Kam dëgjuar njerëzit të thonë diçka dhe kam thënë sikurse ata (nuk kam dije, nuk kam bindje).” I thonë: Dhe e shtrëngon toka dhe brinjët e tij futen në njëri-tjetrin. Kështu vazhdon të dënohet deri në ringjallje.

Pasi ka përfunduar varrosja e dikujt, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qëndruar te varri i tij (të lutet) dhe ka thënë: “Kërkoni falje për vëllain tuaj që ta forcojë Allahu sepse është duke u marrë në pyetje!” Pra, kjo ndodhë menjëherë pasi të mbulohet i vdekuri me dhe.

Pasi mbaron marrja në pyetje, i vdekuri sheh se çfarë është përgatitur për të: kënaqësitë e xhenetit apo dënimi i zjarrit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush prej jush vdes, i tregohet/shfaqet vendi i tij (ku do të përfundojë) në mëngjes e mbrëmje. Nëse është prej banorëve të xhenetit, do të shohë vendin e tij në xhenet. Nëse është prej banorëve të zjarrit, do të shohë vendin e tij në të. I thuhet: “Ky është vendi që të pret ty!” Kjo deri në ringjallje.

Dënimi i varrit është përmendur edhe në Kuran, përveç që është përmendur në sunet, prej tyre:

-“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër” Ibrahim 27. Bera ibën Azib radijAllahu anhu kur e ka komentuar këtë ajet ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për dënimin e varrit. Njeriut në varr do t’i parashtrohet pyetja: “Kush është Zoti yt? Kush është i Dërguari yt?” e ai do të thotë: “Zoti im është Allahu. I Dërguari im është Muhamedi salAllahu alejhi ue selem.” Allahu i forcon besimtarët në botën tjetër kur i parashtrohen pyetjet (në varr).

-“ Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën mbrojtës tjetër për veten në vend të Allahut.” Nuh 25. Komentuesi i Kuranit el Elusi ka thënë: “Zjarri që përmendet këtu është ai në të cilin janë dënuar në jetën e varrit.”

-“Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: “Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!” Gafir 46. El Kurtibiu duke komentuar këtë ajet ka thënë: “Pjesa dërmuese e komentuesve të Kuranit thonë se ky ekspozim ndaj zjarrit në mëngjes e mbrëmje do të ndodhë në jetën e varrit (berzah).”

A ndërpritet dënimi i varrit? Dënimi i varrit është dy lloje:

-Nuk ndërpritet, vazhdon deri në ringjallje, kjo është për jobesimtarët.

-Ndërpritet, është i përkohshëm, kjo është për mëkatarët muslimanë, ata do të dënohen në bazë të mëkateve të tyre. Nëse pastrohen prej mëkateve me këtë dënim, atëherë ai u ndërpritet dhe vazhdojnë jetën e mirë në varr.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit