Kujtimi i shkaqeve të dënimit të varrit

Kujtimi i shkaqeve të dënimit të varrit

Prej përfitimeve që sjell vizita e varreve është kujtimi i shkaqeve të dërgojnë në dënimin në varr (kjo edhe nëse është besimtar) dhe shkaqeve të shpëtimit.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka kaluar pranë një kopshti në Medine apo në Meke dhe ka dëgjuar zërat e dy personave që dënoheshin në varr dhe ka thënë: “Këta janë duke u dënuar në varret e tyre, e nuk janë duke u dënuar për ndonjë gjynah të madh. Po gjithsesi, ato janë prej gjynaheve të mëdha. Njëri prej tyre nuk mbulohej/ruhej prej urinës, kurse tjetri bartte fjalë në mesin e njerëzve.” Në këtë hadith përmendën dy shkaqe të dënimit në varr:

  1. Mos ruajtja nga urina

-“nuk mbulohej prej urinës”- Kjo fjalë është transmetuar në tri forma nëpër hadithe:

nuk mbulohej, kuptohet në dy mënyra: ka urinuar dhe tjerët kanë pasur mundësinë ta shohin avretin e tij dhe ka lejuar që urina të bie në rrobat e tij (nuk është pastruar me ujë por menjëherë është veshur dhe rrobat janë prekur me urinë).

nuk pastrohej, nuk pastrohej me ujë pas urinës.

nuk largohej prej urinës, nuk ka pasur kujdes shtesë, qëllimi është se nuk është treguar i kujdesshëm se a e ka përfunduar urinimin, pa e përfunduar është ngritur dhe është veshur, apo pasi ka përfunduar urinimin ka marrë abdes dhe nëse i ka dal diçka nuk është kthyer ta pastrojë e të marrë rishtas abdes. Urina është prej gjërave që e prishin abdesin dhe rrjedhimisht nuk pranohet as namazi.

  1. Bartja e fjalëve

Kjo me qëllim që të prishë raportet mes njerëzve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Në xhenet nuk do të hyjë ai që barttë fjalë.” Kjo tregon se është prej mëkateve të mëdha. Dhe ka thënë në një hadith tjetër: “Njeriu më i keq tek Allahu në Ditën e Gjykimit është ai që ka dy fytyra: te një person paraqitet me një fytyrë, kurse te një tjetër me një fytyrë tjetër.” Ai që bartë fjalë shkon te tjetri i thotë: “Filani ka thënë kështu për ty!”, apo “Filani ka bërë kundër teje kështu e ashtu!” Është obligim të mos i marrësh fjalët e tyre (të mos i besosh), t’i këshillosh se kjo është e ndaluar, të mos i duash, të mos fitosh dyshime e paragjykime për atë për të cilin të fletë, të mos fillosh të hulumtosh se a janë të vërteta ato fjalë, të mos shkosh te dikush tjetër t’i thuash se filani kishte thënë për mua kështu e ashtu (ngase në këtë mënyrë je duke rënë edhe ti në bartje të fjalëve).

 

***

Shkaku 3: Përgojimi

Në një transmetim tjetër të hadithit që u citua në fillim Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njëri prej tyre ka përgojuar njerëzit, kurse tjetri nuk është kujdesur nga urinimi.” Përgojimi është prej mëkateve të mëdha. Përgojimi është të përmendësh për tjetrin diçka që ai urren t’i përmendet (në mos prezencë të tij). Është obligim që kur dëgjon tjetrin duke përgojuar ta ndalosh (t’i thuash mos përgojo apo t’ia ndërrosh temën), nëse ai nuk ndalet dhe ti e dëgjon/pranon përgojimin atëherë llogaritësh bashkëpjesëmarrës në të.

Katade rahimehullah ka thënë: “Na kanë përmendur dijetarët e mëhershëm se dënimi i varrit ndahet në tri pjesë: njëra për shkak të përgojimit, njëra për shkak të bartjes së fjalëve dhe tjetra për shkak të moskujdesit gjatë urinimit.”

Ibn Haxheri ka thënë: “Disa prej dijetarëve kanë bërë bashkë këto tri shkaqe të dënimit të varrit dhe kanë ardhur në përfundimin (se pse janë përmendur në hadithe): jeta e varrit i paraprinë jetës së ahiretit, dhe në ditën e Gjykimit çështja e parë, prej të drejtave të Allahut, e cila do të gjykohet do të jetë namazi, kurse prej të drejtave të njerëzve do të jetë vrasja. Kurse, siç e dimë çelësi i namazit është pastrimi prej papastërtive konkrete dhe abstrakte, çelësi i prekjes së jetës (vrasjes) është përgojimi dhe shkaku pse vihet deri te vrasja e njerëzve është ose përgojimi ose bartja e fjalëve.”

***

Shkaku 4: Refuzimi i Kuranit dhe gjumi derisa kalon vakti i namazit farz

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se ka parë ëndërr (disa dënime në botën tjetër): “Shkuam te një njeri i cili ishte i shtrirë, ndërsa tjetri i qëndronte te koka me një gurë të madh dhe ia godiste kokën duke ia çarë. Pastaj guri rrokullisej më tej. Kur ai shkonte të merrte gurin, atij i kthehej koka në gjendjen e mëparshme dhe e godiste prapë në të.” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pyetur se çfarë është puna e këtyre dhe i kanë thënë: “Ai që po dënohet është ai i cili e ka marrë Kuranin dhe e ka refuzuar dhe ai cili fle gjatë namazit farz.”

Sahibul Kuran – zotëruesi i Kuranit është ai i cili nuk i ndahet leximit të Kuranit dhe punon me të. Andaj, Allahu leximin e Kuranit e ka përmendur bashkë me të punuarit me të. Ai që e lexon Kuranin dhe punon me të, Kurani do të jetë argument për të në Ditën e Gjykimit, ndërsa ai që e lexon por nuk punon me të, ai është prej atyre që e ka refuzuar atë dhe Kurani do të jetë kundërargument për të. Dijetarët kanë thënë se refuzimi i Kuranit pasi e mëson përmendsh është mëkat i madh ngase kjo i bie se në të ka diçka që e bën ta refuzojë atë. Andaj, për shkak se e ka refuzuar gjënë më të ngritur, më të lartë, që është Kurani, është dënuar në pjesën më të lartë të trupit, që është koka.

Gjithashtu, prej mëkateve që sjellin dënimin e varrit është ai që fle qëllimisht dhe i ikë namazi farz. Kjo është prej mëkateve të mëdha. Muslimani duhet të marrë shkaqet për t’u ngritur për të falë namazin, mirëpo të qëndrojë zgjuar natën e pastaj të flejë pak para se të hyjë koha e sabahut, atëherë kjo është rrezik që ai të hyjë në këtë kërcënim dhe të dënohet në varr.

***

Shkaku 5: Gënjeshtra

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se ka parë ëndërr: “Pamë një njeri të shtrirë në shpinën e tij dhe mbi të qëndronte një tjetër me një grep hekuri. Ai me të ia shqyente syrin deri te qafa, hundën deri te qafa dhe gojën deri te qafa, pastaj kalonte tek ana tjetër (e fytyrës); derisa vepronte në këtë mënyrë ana tjetër (e shqyer) kthehej si më parë.” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pyetur se çfarë është puna e tij dhe i kanë thënë: “Ai është një njeri i cili del nga shtëpia e tij dhe trillon një gënjeshtër, e cila pastaj përhapet në mesin e njerëzve.”

Gënjeshtra është të tregosh për diçka në të kundërtën e realitetit të saj. Kjo është prej mëkateve të mëdha. E kemi për obligim të jemi të sinqertë në fjalët tona, duke e thënë gjithmonë të vërtetën, dhe të kemi kujdes nga gënjeshtra.

Gënjeshtra më e madhe është ajo që bëhet ndaj Allahut. Kjo ka disa forma:

-Cilësimi i Allahut me Cilësi të cilat nuk i takojnë/shkojnë Madhërisë së Tij dhe me të cilat nuk e ka cilësuar veten e Tij, si: përshkrimi se Ai ka bir.

-Lejimi i gjërave të cilat Allahu i ka ndaluar dhe ndalimi i gjërave të cilat Ai i ka lejuar, pa argument.

-Pretendimi se ka parë një ëndërr që nuk e ka parë.

Pastaj është gënjeshtra që bëhet ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, si: të thuash se këtë e atë hadith e ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem pa e thënë ai.

Pastaj është betimi i rrejshëm për të marrë një të drejtë që nuk të takon.

***

 

Shkaku 6: Imoraliteti

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se ka parë në ëndërr: “Pamë një lloj furre (e vendosur në tokë, poshtë ka zjarr). Shikuam në të dhe pamë burra e gra të zhveshura. Atyre u vinte zjarr prej poshtë dhe bërtisnin me zë të lartë.” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pyetur se çfarë është puna e tyre dhe i kanë thënë: “Ata janë imoralët dhe imoralet.”

Allahu ka ndaluar që të ketë lidhje mes burrit e gruas jashtë martesës (nikahut). Ata që veprojnë kështu (lidhje në haram) Allahu i ka llogaritur se kanë shkelur kufijtë e Allahut. Ai që prek në nderin e muslimanëve duhet të ndalet e ta marrë veten në llogari (A ka dëshirë t’i ndodhë kjo gjë grave të familjes së tij? Jo.).

***

Shkaku 7: Kamata

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se ka parë në ëndërr: “Vazhduam të ecnim dhe erdhëm pranë një lumi të kuq, si gjak, në të cilin notonte një njeri dhe në breg ishte një tjetër që kishte grumbulluar gurë të shumtë. Ai që notonte vinte tek ky tjetri, hapte gojën dhe ky ia fuste një gurë në të (dhe vazhdonte kështu).” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pyetur se çfarë është puna e tij dhe i kanë thënë: “Ai është i cili merr kamatën dhe e ha atë.”

Dijetarët kanë thënë: “Ai do të dënohet të notojë nëpër këtë lumë të gjakut ngase zakonisht kamata bëhet me ar dhe ari ka ngjyrë të kuqe. Kurse, futja e gurëve në gojë vazhdimisht, tregon se ai kurrë nuk është ngopur (ka marrë kamatë por nuk është ngopur). Kështu është dhe me kamatën. Ai që merr kamatë mendon se është duke e shtuar pasurinë e tij, por Allahu ia anulon përfitimin dhe bereqetin e saj.”

Allahu na ka ndaluar të fitojmë furnizimin në rrugë të ndaluara. Prej fitimit të ndaluar është dhe marrja e kamatës. Njeriu duhet të heqë dorë prej saj.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit