Kujtimi i shkaqeve të shpëtimit në varr

Kujtimi i shkaqeve të shpëtimit në varr

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Kur i vdekuri vendoset në varr (pasi varroset), dëgjon zhurmën e këpucëve të njerëzve kur largohen. Nëse ka qenë besimtar, namazi i qëndron te koka, agjërimi në anën e djathtë, zekati në anën e majtë, kurse të gjitha veprat e tjera të mira, si: lëmosha, namazi vullnetar, bamirësia ndaj njerëzve, i qëndrojnë te këmbët. Dhe i vjen dënimi i varrit nga ana e kokës e namazi i thotë: “Nuk mund të depërtosh.” I vjen dënimi nga ana e djathtë a agjërimi i thotë: “nuk mund të depërtosh.” I vjen dënimi nga ana e majtë dhe zekati i thotë: “Nuk mund të depërtosh.” Pastaj i vjen nga ana e këmbëve dhe veprat e mira i thonë: “Nuk mund të depërtosh.” I thuhet: “Ulu.” Ai ulet dhe i paraqitet dielli sikur është duke perënduar. I thuhet: “Çfarë thua për këtë njeri, për Muhamedin salAllahu alejhi ue selem, dhe çfarë dëshmon për të?” Thotë: “Më lëreni të falem!” (sepse i duket se do t’i ikë namazi i ikindisë). I thonë: “Së pari na trego se për çfarë të pyesim” dhe ia përsërisin pyetjen. Ai thotë: “Ai është Muhamedi, dëshmoj se është i Dërguar i Allahut dhe ai ka sjell të vërtetën prej Tij.” I thonë: “Me këtë dëshmi ke jetuar, me këtë ke vdekur dhe me të do të ringjallesh inshAllah.” Pastaj i hapet një derë prej dyerve të xhenetit (të shohë vendin në xhenet) dhe i thuhet: “Ky do të jetë vendi yt në xhenet dhe kjo është ajo që ka përgatitur Allahu për ty.” Atij i shtohet lumturia. Pastaj i hapet një derë prej dyerve të xhehenemit dhe i thuhet: “Ky do të ishte vendi yt dhe ajo që ka përgatitur Allahu për ty nëse nuk do t’iu bindeshe Atij.” Atij i shtohet lumturia. Pastaj i zgjerohet varri 70 kut dhe i ndriçohet.  Pastaj kthehet siç ishte i shtrirë dhe shpirti i tij vendoset në një shpend të bukur të xhenetit dhe ai ha prej një peme të tij.

Shkaku 1: Namazi, agjërimi, zekati dhe veprat e tjera të mira

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar për të vdekurin pasi të varroset: “Dhe i vjen dënimi i varrit nga ana e kokës e namazi i thotë: “Nuk mund të depërtosh.” I vjen dënimi nga ana e djathtë a agjërimi i thotë: “Nuk mund të depërtosh.” I vjen dënimi nga ana e majtë dhe zekati i thotë: “Nuk mund të depërtosh.” Pastaj i vjen nga ana e këmbëve dhe veprat e mira i thonë: “Nuk mund të depërtosh.”

Namazi është shtyllë e fesë dhe e drejta më e madhe e Allahut, i Cili na urdhëron të falim namazin në formën më të mirë dhe i lavdëron ata që e falin atë. Namazi ka shumë vlerë dhe ai që falet ka shumë shpërblim. Namazi po ashtu na dëlirë prej veseve e moraleve të ulëta, prej njollave të mëkateve. Ai është prej shkaqeve madhore përmes të cilave arrihet mëshira dhe hyrja në xhenet etj. Njeriu nuk duhet të mjaftohet vetëm me namazin i cili është detyrë, por të shtojë sa më shumë dhe namaz vullnetar (sunetet para e pas farzeve, namazi i natës, i duhasë, mes akshamit dhe jacisë etj.).

***

Shkaku 2: Vdekja dëshmor në betejë

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dëshmori tek Allahu do të veçohet me gjashtë gjëra…” prej tyre: “është i mbrojtur prej dënimit të varrit”.

Shkaku 3: Ruajtja e kufijve të vendit musliman (në rrugë të Allahut)

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që qëndron një ditë duke ruajtur kufijtë e vendit musliman në rrugën e Allahut… do të jetë i sigurt prej engjëllit i cili e sprovon në varr.”

Shkaku 4: Vdekja për shkak të sëmundjeve të barkut

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Atë që e vret sëmundja në bark nuk do të dënohet në varr.”

Shkaku 5: Leximi i sures Mulk (memorizimi dhe leximi)

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Surja tebarek (Mulk) pengon dënimin e varrit te njeriu.” Disa dijetarë thonë se qëllimi i leximit të saj është ta lexosh çdo natë, të punosh me të, të besosh lajmet e ardhura në të dhe të meditosh për ngjarjet që përmenden në të.

Shkaku 6: Vdekja në ditën apo natën e xhumas

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka musliman që vdes në ditën ose natën e xhuma veçse Allahu do ta mbrojë prej sprovës së varrit.”

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit