Kundërshtitë midis atyre që thonë se lënësi i namazit duhet të vritet

Ibn Kajim el Xheuzije

Ata nuk u pajtuan për disa çështje:

E para: A duhet t’i jepet rast të pendohet apo jo?

Sipas mendimit më të afirmuar, atij i kërkohet të pendohet dhe nëse pranon, lihet i lirë, në të kundërt vritet. Ky është mendimi i Sahfiut, Ahmedit dhe njëri nga dy mendimet në medhhebin e Malikut.

Ebu Bekër Tartushi në shënimet e tij thotë: ’Sipas medhhebit të Imam Malikut, atij i thuhet falu përderisa i ka mbetur ende kohë namazit dhe nëse pranon, lirohet; por në rast se nuk pranon të falet deri në mbarim të kohës së namazit, atëherë vritet.

A i jepet rast të pendohet apo jo?

Disa dijetarë të shkollës sonë thonë se të tillit i kërkohet të pendohet. Në rast se pendohet, ai lihet, në të kundërtën vritet. Disa të tjerë thonë se nuk i jepet rast, sepse ekzekutimi i tij është një masë ndëshkimore e përcaktuar (nga Sheriati) dhe, në asnjë rrethanë nuk e pezullon atë pendimi; posi ndëshkimi i përcaktuar ndaj zinaqarit dhe vjedhësit. Këtij mendimi i imponohet fakti se i tilli vritet si mysliman, sepse nëse vendimi për lënien e namazit është ekzekutimi me vdekje, atëherë do të ishte i njëjtë me ndëshkimin e përcaktuar kundrejt zinas apo kundrejt banditëve.

Pra, ndëshkimet e sheriatit, për ato vepra për të cilat ka ndëshkim të përcaktuar, duhet të ekzekutohen për shkak të provave të ofruara, dhe pasi ato t’i mbërrijnë Imamit (udhëheqësit), në asnjë rrethanë ndëshkimi nuk mund të pezullohet për shkak të pendimit. Ndërsa sipas atij që thotë se i tilli vritet për shkak të kufrit, ky vlerësim nuk qëndron, meqë i tilli është konsideruar si i dezertuar nga feja dhe nëse bëhet musliman, bije poshtë dënimi me vdekje.

Tartushi thotë: ‘I këtillë është gjykimi tek ne për pastërtinë (abdesin), guslin pas marrëdhënieve seksuale dhe për agjërimin. Nëse thotë: nuk marr abdes, nuk pastrohem pas marrëdhënieve intime, nuk agjëroj, vritet dhe nuk i jepet rast të pendohet, pavarësisht nëse i konsideron këto detyrime ndaj tij apo mohon obligueshmërinë e tyre.’

Opinioni që Tartushi citoi nga disa dijetarë, të cilët i përkasin së njëjtës shkollë, se i tilli ekzekutohet me vdekje pa iu dhënë rast për pendim, është transmetuar nga Maliku. Ndërsa sa i takon çështjes së të dezertuarit nga feja, nëse i jepet rast të pendohet apo jo, nga secili: imam Ahmedi dhe Shafiu, janë transmetuar nga dy mendime.

Ndërsa ata që bënë dallim midis të dezertuarit dhe lënësit të namazit nëse duhet t’u jepet rast të pendohen, dhe këtë e bënë me të dezertuarin e jo me lënësin e namazit, meqë sipas tyre dhënia e rastit për dezertorin nuk është e njëjtë me lënësin e namazit, – i cili është dhe njëri prej mendimeve të imam Malikut, thonë: Është e qartë se myslimani nuk dezerton nga feja veçse për shkak të ndonjë dyshimi që i është paraqitur dhe e pengon të mbetet pjesëtar i saj. Prandaj, prej tij kërkohet të pendohet me shpresë që dyshimi t’i mënjanohet, ndërsa lënësi i namazit, duke qenë se beson në obligueshmërinë e tij, ai nuk ka kurrfarë arsyeje për të mos e kryer atë, prandaj dhe nuk i jepet rast të pendohet.

Ata të cilët mendojnë se të tillit duhet t’i jepet rast të pendohet u kundërpërgjigjën kështu:

Kjo vrasje bëhet për lënien e një obligimi, për të cilin është ligjësuar mundësia për pendim, dhe një gjë e tillë është obligim sikurse për të dezertuarin nga feja. Madje, në këtë rast është më parësore t’i jepet kjo mundësi, sepse mundësia për t’u penduar është më pranë, përveç kësaj edhe praktikimi i Islamit e çon kah pendimi, gjë që i mundëson t’i shpëtojë dënimit të kësaj bote dhe botës tjetër.

Ky është gjykimi i drejtë, sepse në rastin më të keq, ai mund të jetë sikurse i dezertuari, kurse sahabet janë të një mendjeje se pendimi i të dezertuarit dhe i atyre që mohuan pagimin e zekatit është i pranuar. Allahu i lartësuar thotë: ‘Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara.’ (Enfal, 38) Ky ajet përfshinë të dezertuarin dhe të tjerët.

Dallimi midis ekzekutimit të tij haden dhe vrasjes së zinaqarit a banditit është se lënësi i namazit vritet për mosfaljen e namazit në mënyrë të vazhdueshme, gjatë kohës që ka përpara dhe kohës që ka lënë pas, përkundër atij që vritet haden (si ndëshkim i paraparë me sheriat, siç vritet zinaqari, banditi, etj.), meqë ky (që vritet haden) ekzekutohet si pasojë e krimit që ka kryer para momentit që do të ekzekutohet dhe për të, nuk ekziston asnjë rrugë për ta ndrequr gabimin.

Lënësi i namazit, sipas mendimit të katër imamëve dhe të tjerëve, mund ta ndreqë gabimin duke e falur atë pasi t’i ketë kaluar koha. Ndërsa sa i përket thënies së disave të shkollës së Imam Ahmedit, se i tilli s’ka mundësi ta ndrequr gabimin, mendim ky edhe i një grupi të selefit, thonë se vrasja këtu bëhet për lënie, ndërsa lënia kompensohet me veprim (falje të namazit). Kurse sa i takon ekzekutimit të zinaqarit dhe banditit, vrasja e tyre bëhet për veprim, dhe veprimi që është kryer prej tyre, nuk ndreqet duke i braktisur ato mëkate.

E dyta: Ai nuk vritet derisa të ftohet që ta falë dhe të mos pranojë.

Thirrja për faljen e namazit është kusht që të përligjet vrasja e tij, sepse mund ta ketë lënë për ndonjë arsye, ose për ndonjë gjë për të cilën mendon se është arsye, ose nga përtesa e cila nuk i zgjatë. Për këtë arsye Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) u dha leje për faljen e namazit nafile (me nijet për nafile) pas udhëheqësve, të cilët e vonojnë atë (farzin) derisa t’i kalojë koha. Ai nuk urdhëroi të luftohen ata dhe as nuk u dha leje të vriten, sepse ata nuk po këmbëngulnin në lënien e namazit. Prandaj, nëse ftohet për ta falur dhe nuk pranon – derisa t’i ketë kaluar koha -, pa pasur ndonjë arsye, është provuar lënia dhe ngulmimi për të mos e falur.

E treta: Për lënien e sa namazeve duhet të vritet?

Për lënien e një namazi, të dy apo tre namazeve? Kjo çështje është diskutabile mes dijetarëve. Sipas Sufjan Eth Theuriut, Malikut dhe një transmetimi nga Ahmedi, ai vritet për lënien e një namazi. Ky është gjykimi që kuptohet prej medhhebit të Shafiut dhe Ahmedit. Argumentet që mbështesin këtë qëndrim janë hadithet e sipërshënuara, të cilat provojnë vrasjen e lënësit të namazit.

Transmeton Muadh bin Xhebeli se Pejgamberi ka thënë: ‘Kujtdo që lë pa e falur një namaz farz me qëllim, i pezullohet siguria e Allahut’.[1] E transmeton Ahmedi (5/238) në musnedin e tij. Ebu Derdai thotë: ‘Më ka porositur Ebu el Kasimi (Pejgamberi) të mos e lë namazin me qëllim, sepse atij që e lë namazin pa e falur qëllimisht, i hiqet siguria’. E transmeton Abdurrahman bin Ebi Hatimi në sunenin e tij. Meqë nëse ftohet për ta falur në kohë dhe përgjigjet duke mohuar, pa pasur ndonjë justifikim, del në pah këmbëngulja për të mos e kryer këtë detyrë dhe, në këtë rast bëhet i obligueshëm ekzekutimi dhe derdhja e gjakut të tij. Nuk ka asnjë argument tekstual (nga Kurani a suneti), as ixhmai dhe as ndonjë thënie të ndonjërit prej sahabeve që të merret në konsideratë pohimi se kjo duhet t’i përsëritet tri herë, apo të jetë më parësore se dy herë.

Ebu Is’hak bin Mensuri, që njihet me llagapin El Kusixh dhe është prej shkollës së Ahmedit, thotë: ’Nëse namazi i pafalur mund të bashkohet me atë që vjen më pas, si namazi i drekës me namazin e ikindisë, ose namazi i akshamit me të jacisë, nuk vritet derisa të kalojë koha e namazit të dytë, meqë gjatë bashkimit, koha e tij është edhe e të parit dhe hedh një pikëpyetje (dyshim) këtu (sjell një arsye për mosvrasjen e tij). Por, nëse është prej namazeve që nuk bashkohen me ato që vijnë pas tyre, si p.sh. namazi i sabahut me të ikindisë, apo me të jacisë, vritet me lënien e njërit, sepse në këtë rast, nuk mbetet vend për ndonjë dyshim që i përligj vonimin. Këtë mendim, Ebu Is’haku duhet ta ketë transmetuar nga Abdulla bin Mubareku, ose nga Ueki’ bin Xherrahi. Ai (Is’haku) dyshon se nga cili e ka dëgjuar.

Ebu el Berekat bin bin Tejmije thotë: ’Mbajtja e një qëndrimi të barabartë midis këtyre është më e drejtë. Dhe nuk është fare e drejtë që në këtë rast, lënësi të vihet në pozicion me ata që kanë arsye sa i takon kohës së namazit, sikurse nuk është e drejtë në parim që këta të fundit të vihen në pozicion me lënësin pa arsye. Qëndrimi i Ebu Is’hakut është më i fortë dhe më parimor, sepse është provuar se kjo kohë përgjithësish u përket të dyja namazeve, ndaj dhe ngjall një dyshim që e pengon vrasjen. Gjithashtu edhe Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ndaloi vrasjen e udhëheqësve që e vononin namazin nga koha e vet. Ata e vononin dreken deri në kohë të ikindisë, por ka të ngjarë ta vononin ikindinë deri në përfundim të kohës së vet. Kur i thanë Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem): ’A të mos i luftojmë ata?’ Ai u tha: ’Jo përderisa falen!’ (Muslimi nr. 1854) Kjo tregon se përderisa ajo çfarë vepronin ata konsiderohej namaz, me të e mbronin jetën e tyre.[2]

———————————————————————————-

[1] Ibën Maxheh (nr. 4034) Shejh Albani e ka vlerësuar si të mirë (hasen).

[2] Burimi: Libri i Namazit dhe gjykimi për lënësin e tij. Përktheu: B. K.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit