Kurimi i shpirtit

Kurimi i shpirtit

Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai diçdo gjë që bëni ju!” Hashr 18. Njeriu duhet të mendojë e meditojë se çfarë ka përgatitur për nesër kur të dalë para Allahut. Dhe: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” Tahrim 6.

Sa i përket njerëzve në raport me shpirtrat e tyre, ata ndahen në dy grupe:

  1. Ata që vazhdimisht e marrin veten në llogari, e qortojnë, e kritikojnë, mundohen ta përmirësojnë atë, dhe në këtë mënyrë ngritën në shkallë të larta, arrijnë morale e edukatë të përkryer.
  2. Ata që zhyten në gjëra të ulëta e të shëmtuara, e nënçmojnë dhe e poshtërojnë shpirtin duke vepruar gjëra të këqija, ata e shkelin shpirtin përmes mëkateve.

Allahu thotë: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” Shems 9-10.  Si arrihet pastrimi i shpirtit? Siç përmendin dijetarët, kjo arrihet së pari duke e pastruar atë prej kufrit (mohimit) dhe pastaj prej mëkateve. Kjo bëhet duke e luftuar shpirtin. Pas kësaj e detyron/shtynë për bindje ndaj Allahut dhe në kryerjen e veprave të mira. Ky është kuptimi i këtij ajeti. Njeriu duhet ta pastrojë e dëlirë shpirtin e tij dhe ta largojë prej llojeve të kufrit, mosbindjes dhe mëkateve, e pas kësaj ta detyrojë për në bindje ndaj Allahut dhe urdhrave të Tij. Ndërsa, “kushdo që e shtyp atë do të dështojë“, pra e ka mangësuar atë, duke braktisur veprat e mira dhe duke kryer mëkate.

Janë dy shpirtra te njeriu:

  1. Nefsi i cili e urdhëron për të këqija– Nefsun emeeratun bis-suu. Quhet i tillë sepse e urdhëron njeriun për çdo të keqe, e fton drejt shkatërrimit dhe e drejton drejt gjërave të shëmtuara.
  2. Nefsi i qetë – Nefsun mutme’inneh.

Këta të dy janë në armiqësi të vazhdueshme ndërmjet veti. Nefsi që e urdhëron njeriun të veprojë të këqija, e lufton dhe e armiqëson nefsin e qetë, dhe e kundërta. Kur njërit prej këtyre dy shpirtrave i vjen e lehtë bërja e një vepre, atëherë tjetrit shpirt i vjen rëndë. Çështjet që i kërkon nefsi që është i prirë për të këqija, i refuzon nefsi i qetë, ndërsa ato që i kërkon nefsi i qetë, i refuzon nefsi i prirë për të këqija. Shpirti i prirë në të këqija ndjen kënaqësi kur njeriu vepron një mëkat, e ndërsa shpirti i qetë ndjen dhimbje për këtë. Nuk ka gjë më të rëndë për shpirtin e prirë në të këqija sesa kur njeriu vepron adhurime dhe i bindet Allahut. Nuk ka gjë më të rëndë për shpirtin e qetë sesa kur njeriu vepron mëkate. Allahu tregon në Kuran fjalët e Jusufit: “… shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirë-plotë”. Jusuf 53.

Njeriu pra ka një lloj të nefsit që është i prirur për të këqija dhe e urdhëron drejt tyre, e thirr kah mëkatet vazhdimisht, e largon prej adhurimeve, prej veprave të mira, ia dobëson besimin. Kur besimtari e di këtë, atëherë e ka për detyrë që t’i shpallë luftë këtij nefsi, ngase ai është armik i tij.

Besimtari duhet të përpiqet ta luftojë atë duke e kuruar, e kjo arrihet kur e merr veten vazhdimisht në llogari. Në këtë mënyrë do të shpëtojë prej pasojave të rënda dhe prej përfundimit jo të mirë që vije si pasojë e pasimit të këtij nefsi. Besimtari duhet që të marrë në dorën e tij frerët e nefsit të tij, e të mos lërë që nefsi t’i mbajë frerët e tij e ta drejtojë kah të dojë vetë. Nuk duhet të lejojë besimtari që të udhëhiqet prej nefsit të vet, duke pasuar dëshirat e epshet që ia kërkon, pa i kushtuar rëndësi e vëmendje se a janë gjëra që e kënaqin Allahun apo e hidhërojnë Atë. Ai nuk duhet ta lejojë veten që qëllimi i tij kryesor të jetë përmbushja e epsheve dhe dëshirave të nefsit të tij. Ai që i bindet urdhrave të nefsit dhe nuk largohet prej asaj rruge në të cilën e drejton nefsi, atëherë kjo do ta çojë drejt humnerës; në këtë mënyrë njeriu bëhet rob dhe skllav i nefsit të tij i cili e udhëheq dhe e drejton kah të dëshiron ai.

Kurse, në parim pamë se besimtari duhet ta luftojë nefsin e tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Luftëtar i vërtetë është ai që e lufton veten e tij që t’i bindet Allahut.” Pra, e lufton vazhdimisht derisa t’i bindet Allahut. E gjejmë në Kuran: “Ata që luftojnë për hir Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69. “që luftojnë për hir Tonë” d.m.th.: e luftojnë veten e tyre, siç kanë komentuar dijetarët, ky është kuptimi i këtij ajeti.

Nefsi ka nevojë që vazhdimisht ta marrë njeriu në llogari, ta përcjellë, ta mbikëqyrë, e kur e lë e nuk i kushton rëndësi dhe vepron çfarëdo që dëshiron nefsi i tij, atëherë nuk ka gjë më të dëmshme për besimtarin sesa kjo. Nuk ka gjë që e dëmton fenë dhe dunjanë e tij  shumë sesa ecja pas dëshirave e pasioneve të nefsit të vet. Besimtari i mençur e lufton veten e tij që të largohet e ruhet prej mëkateve dhe që të pajiset e stoliset me morale të larta, si dhe që të veprojë vepra të cilat e kënaqin Allahun.

Prej gjërave që më së shumti ndihmojnë në këtë, është që njeriu të shohë se çfarë ka përgatitur për nesër kur të dalë para Allahut, e Ai do ta marrë në llogari se çfarë ka vepruar sa ka qenë në këtë botë. Në këtë mënyrë do të shpëtojë prej të keqes së shpirtit të vet. Kujtoja vetes qëndrimin para Allahut, kujtoja xhenetin dhe xhehenemin, ajetet inkurajuese dhe frikësuese, dhe patjetër se shpirti yt do frenohet dhe nuk do të të nxisë të bësh mëkate.

Dijetarët kanë përmendur se marrja e vetes në llogari është dy lloje:

  1. Para veprës. Kjo bëhet kur njeriu nuk nxiton në veprimin e asaj që thërret nefsi i tij ta veprojë, por të ndalet, të mendojë e ta marrë veten në llogari se kjo vepër drejt së cilës është duke e nxitur nefsi i tij është e mirë apo e keqe, është e dobishme apo e dëmshme. Nëse qartazi është e mirë dhe e dobishme, atëherë e vepron e nëse në të ka të këqija dhe dëm, atëherë nuk e vepron dhe largohet prej saj. Kjo përfshinë tërë jetën tonë, çdo çast.
  2. Pas veprës. Kjo bëhet kur njeriu e merr veten në llogari në fund të ditës, pas veprimit, se çfarë ka vepruar, se a janë të dobishme a të dëmshme për të në të dy botët. Nëse vëren se ka vepruar të mira gjatë ditës, atëherë ta falënderojë Allahun. E nëse vëren se ka vepruar gabime, lëshime, ndonjë të keqe a mëkat, atëherë të mundohet shpejt t’i përmirësojë duke u penduar, duke ndier keqardhje dhe duke kërkuar falje tek Allahu.

Nga gjërat që e ndihmojnë njeriun për t’u mbrojtur prej të këqijave të nefsit të vet:

  1. Të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej të keqes së nefsit të tij dhe t’a përmirësojë atë.
  2. Ta luftojë nefsin e tij në veprimin e punëve të mira, në pajisjen me morale të mira dhe në largimin prej gjërave të padobishme, prej veprave të këqija dhe prej fjalëve të ulëta.
  3. Të zgjedhë shoqëri të mirë që e ndihmojnë në vepra të mira.
  4. T’ia kujtojë vetes vazhdimisht se do të dalë para Allahut dhe Ai do ta marrë në llogari.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Kurimi i shpirtit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit