Llogaritja e vetvetes

Llogaritja e vetvetes

Kur njeriu kujdeset për zemrën e tij duke e përmendur Allahun, duke pasur ndjenjën e mbikëqyrjes së Tij dhe duke e pasur frikë Atë, atëherë pasionet e epshet nuk depërtojnë në zemrën e tij. Ndërsa, kur nuk kujdeset për zemrën e tij, atëherë ato (pasionet e epshet) gradualisht i depërtojnë në zemër, derisa t’ia përmbysin atë, dhe tani ajo është sëmurë dhe besimi i është dobësuar. Nëse nuk punon që ta përmirësojë këtë gjë, por vazhdon të ndjekë mëkatet, epshet e pasionet, atëherë zemra e tij do të ngurtësohet, derisa të vuloset, tani njeriu ka lajthitur prej të vërtetës dhe zemra e tij llogaritet e vdekur. Kjo është gjendja më e keqe. Kjo zemër e zhvendos njeriun prej besimit në mohim. Allahu thotë: “Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.” Araf 179.

Në Kuran janë përmendur më shumë se njëzetë tipare që tregojnë për sëmundjen e zemrës, si: mbulimi i zemrës, devijimi, mbyllja, largimi i saj prej të vërtetës, ngushtimi, vulosja, mbyllja me dry, thithja e devijimit, ngurtësia, vazhdueshmëria në mëkate, urrejtja ndaj të vërtetës, neveria ndaj saj, refuzimi i saj e dyshimi në të, shkujdesja, zhytja në humbje, dëfrimi, mëdyshja, syfaqësia etj. Këto janë simptoma të zemrave të sëmura që përmenden në Kuran.

Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kush do që arrin të triumfojë ndaj nefsit të tij, ai veçse ka shpëtuar dhe ka arritur suksesin. E atë që e mposhtë dhe e triumfon nefsi i tij, ai ka humbur dhe është i shkatërruar. Allahu thotë: “Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote, sigurisht që do të ketë për strehë Xhehenemin. Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” Naziat 39-41.

Ai që e merr në llogari nefsin e tij vazhdimisht, me lejen e Allahut do të arrijë ta dëlirë ato dhe kushdo që e dëlirë atë, është i shpëtuar. Andaj, ai që dëshiron të përmirësojë zemrën e tij duhet të fillojë të pastrojë nefsin e tij (sepse ka ndërlidhje mes nefsit e zemrës). Dhe këtë do ta arrijë nëse vazhdimisht e merr në llogari vetveten. Kjo është prej mjeteve më efektive (ndikuese) që njeriu të përmirësojë zemrën e tij.

Allahu na ka urdhëruar të marrim në llogari vetveten, Ai thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen!” Hashr 18. Ibën Kajim thotë: “Secili prej jush le të shikojë se çfarë ka përgatitur prej veprave në Ditën e Gjykimit. A ka përgatitur vepra të mira me të cilat do të shpëtojë, apo ka përgatitur të këqija të cilat do ta shkatërrojnë?”

۞ Çfarë është llogaritja e vetvetes?

Këtë më së miri na shpjegon imam el Mewerdi (Allahu e mëshiroftë!): “Marrja e vetes në llogari është që kur të vijë nata të shfletosh veprat e tua që ke bërë gjatë ditës, një nga një. Nëse janë vepra të lavdëruara, i vazhdon dhe ia bashkëngjit atyre edhe të tjerat që janë të ngjashme me to. Nëse janë vepra të këqija, atëherë sipas mundësive i përmirëson dhe nuk i vepron më.”

Malik ibën Dinar (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë njeri i cili i thotë vetes së tij: “A nuk e ke bërë këtë mëkat? A nuk e ke këtë e këtë tipar të keq?” Pastaj ia vendos frerët vetes së tij dhe ia bën udhëheqës Kuranin (që ia tregon rrugën e drejtë).”

Ai që i kushton rëndësi kësaj çështjeje është ai i cili është i bindur se do të merret në llogari prej Allahut. Sa më e fortë kjo bindje, aq më e shumtë marrja e vetes në llogari. Muslimani i mençur, largpamës, që ka frikë Allahun, e di se Ai është në pritë dhe patjetër Ai do ta marrë në llogari e do ta pyesë për veprat që ka bërë; edhe për veprat që kanë peshuar sa pesha e milingonës, madje edhe më pak se aq. Do të merret në llogari për të gjitha çastet e jetës. Robërit e vërtetë të Allahut e dinë se nuk kanë mundësi të shpëtojnë nga rreziku i marrjes në llogari në Ditën e Gjykimit përveçse nëse i përmbahen llogaritjes së vetvetes, besimit se janë nën mbikëqyrjen e Allahut, llogaritjes së vetvetes edhe për mendimet, lëvizjet, sekondat etj. Ai që e merr veten në llogari në këtë mënyrë në këtë botë, atij do t’i lehtësohet llogaridhënia në botën tjetër. Për çdo pyetje prej Allahut do të ketë përgjigje të gatshme, ngase veçse e ka përgatitur veten për atë Ditë dhe e ka marrë veten në llogari sa ka qenë në jetën e kësaj bote.

۞ Hapat e marrjes së vetes në llogari

Allahu thotë: “O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” Ali Imran 200. Ruajtja e kufijve të Allahut bëhet nëpër disa faza, që janë: kushtëzimi, mbikëqyrja, kërkimi i llogarisë, dënimi, luftimi i nefsit dhe qortimi.

› Kushtëzimi: Bëhet në fillimin e ditës, duke ia vendosur vetes disa kushte që të mos e çojë ditën kot, i cakton detyra (dhikrin, leximin e pjesës së Kuranit, të falë namazet sunet dhe nafile, të mbajë lidhjet farefisnore, të respektojë familjarët, të ndihmojë të tjerët, të plotësojë nevojat e të tjerëve, të japë lëmoshë sa të mundet etj.), e obligon të largohet prej ndalesave (me shikimin e tij, të folurin, dëgjimin, punën që bën, ushqimin që ha etj.).

› Mbikëqyrja: Pas kësaj i mbetet ta mbikëqyrë e përcjellë (me sy kritik) vetveten se a është duke i kryer këto vepra, sepse nëse shpirtin e lë të lirë, do të kalojë kufijtë dhe do të prishet. Kjo mbikëqyrje është para veprimit të veprës dhe pas veprimit të veprës. Nëse nefsi e thërret të veprojë mëkat atëherë e kujton qëndrimin para Allahut, ndëshkimin e Tij. Nëse ka rënë në të duhet të pengohet, të heqë dorë prej tij dhe të vendosë të mos i kthehet më.

› Kërkimi i llogarisë: Bëhet në fundin e ditës duke i kërkuar vetes llogari për të gjitha veprimet që ka bërë. Së pari e merr në llogari për farzet se a i ka kryer ashtu siç Allahu ka kërkuar apo me shkujdesje, pastaj a ka bërë ndonjë mëkat, a i ka kryer adhurimet e tjera (dhikret, nafilet) dhe a i ka kryer siç duhet apo si rutinë, a është larguar prej ndejave të kota me mëkate, a e ka lënë teprimin në qeshje e humor, a e ka ulur shikimin nga harami, a e ka ndaluar gjuhën nga mëkatet, a ka fituar vetëm hallall, a është ushqyer vetëm me hallall, a ka dhënë lëmoshë, a u ka ndihmuar të varfërve, a ua ka mësuar fenë familjarëve e të afërmve, a ka prezantuar në ndonjë ndejë të dijes etj. Kur bën kështu, patjetër do të shohë se ka pasur mangësi gjatë ditës, ose në obligime, ose ka bërë ndonjë ndalesë e mëkat etj.

› Luftimi i nefsit: Besimtari i mençur e lufton veten e tij që të veprojë obligimet, të largohet e ruhet prej mëkateve, të pajiset e të stoliset me morale të larta dhe të veprojë vepra të cilat e kënaqin Allahun. E lufton vazhdimisht derisa t’i bindet Allahut. Gjejmë në Kuran: “Ata që luftojnë për hir Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” Ankebut 69. “që luftojnë për hir Tonë” d.m.th.: e luftojnë veten e tyre, siç kanë komentuar dijetarët, ky është kuptimi i këtij ajeti. Ai që i bindet urdhrave të nefsit dhe nuk largohet prej asaj rruge në të cilën e drejton ai, atëherë kjo do ta çojë drejt humnerës.

› Qortimi: Bëhet kur njeriu ka neglizhencë dhe ka mangësi në vepra vullnetare ose është preokupuar shume me gjëra të lejuara (mubah).

› Dënimi: Bëhet kur njeriu ka pasur mangësi dhe neglizhencë në farze apo është angazhuar me ndalesa e mëkate (jo vetëm ta qortojë). E detyron veten duke bërë vepra shtesë (varësisht se çfarë i ndikon më shumë) me të cilat përmirëson këto që ka bërë dhe që ka humbur shpërblimet. Kjo edhe nëse i vjen rëndë nefsit, p.sh.: të agjërojë, të falë nafile, të japë lëmoshë etj.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit