Lutja drejtuar Allahut – Kushtet dhe pengesat e pranimit

Lutja drejtuar Allahut

Prej gjërave më të rëndësishme me të cilat përmirësohet zemra është lutja drejtuar Allahut (që ta përmirësojë atë). Ai na ka mësuar lutje në Kuran se si ta lusim që të na përmirësohen zemrat, si: “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” Ali Imran 8. Dhe: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” Hashr 10.

Dhe lutjet në sunet: “O Allah, ndryshuesi i zemrave, drejtoi zemrat tona kah adhurimi e bindja ndaj Teje!” Dhe: “O Rrotullues i zemrave, na forco zemrat në fenë tënde!” Dhe: “O Allah, Unë kërkoj prej Teje të ma ngrehësh lartë emrin tim, të shlyesh mëkatet e mia, të përmirësosh të gjitha çështjet e mia, të pastrosh zemrën time…” Kështu, shohim se si Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i kushtonte shumë rëndësi zemrës, dhe nga ana tjetër, e luste Allahun ta ruante prej të keqes së zemrës, si: “O Allah, kërkoj mbrojtje tek Ti prej të këqijave të dëgjimit tim, të shikimit tim, të gjuhës sime dhe të zemrës sime!” Dhe: “O Allah kërkoj mbrojtje tek Ti prej një zemre e cila nuk tregon përulje ndaj Teje…”

Andaj, kanë ardhur tekste të shumta në Kuran e sunet që na nxisin të shtojmë lutjet, si: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir 60, dhe hadithi “Allahu është i turpshëm dhe fisnik (bujar). Atij i vjen turp që kur robi i Tij i ngritë duart drejt Tij duke e lutur e Ai t’ia kthejë zbrazur.”

۞ Kushtet e pranimit të lutjes

Lutja tek Allahu bën dobi kur plotësohen kushtet e saj dhe largohen pengesat. Kushtet e saj janë:

Sinqeriteti: “…lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të” Gafir 14. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur të lutesh, lute vetëm Allahun!”

Pasimi i Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Lutja është prej adhurimeve madhështore, madje ajo është vetë adhurimi (siç ka ardhur në një hadith). Prej kushteve të adhurimit është sinqeriteti dhe pasimi i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Çdo adhurim nuk pranohet nëse nuk plotëson këto dy kushte. Allahu thotë: “…kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” Kehf 110. Ky ajet përfshin këto dy kushte. Dhe hadithi: “Kush vepron një vepër e cila nuk është e bazuar në fenë tonë, ajo refuzohet.” Muslimi. Edhe nëse ka sinqeritet (kushti i parë).

Bindja e plotë në përgjigje. Sa më e fortë kjo bindje, aq më afër është përgjigja. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Luteni Allahun duke qenë të bindur plotësisht se Allahu do t’iu përgjigjet.”

Zemra e pranishme, e përulur, duke qenë të vetëdijshëm (vëmendshëm) se çfarë po e lusim Allahun, e jo duke pasur mendjen diku tjetër. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dijeni se Allahu nuk i përgjigjet lutjes së një zemre të shkujdesur (të pavëmendshme, të papranishme).”

Insistimi, këmbëngulja. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush prej jush lutet, le të jetë i vendosur në lutjen e tij, të mos thotë: “O Allah, nëse do më jep!” apo “Nëse do më fal!”

۞ Pengesat e pranimit të lutjes:

Ngrënia, pirja dhe veshja haram. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dijeni se Allahu është i Mirë dhe nuk pranon përveç se veprën e mirë. Allahu i urdhëroi besimtarët me atë që i urdhëroi të Dërguarit, “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira” Muminun 51, dhe: “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë” Bekare 172. Pastaj përmend një burrë i cili ka udhëtuar gjatë në shkretëtirë me flokë të shprishura, i pluhurosur, i cili i kthen duart kah qielli e thotë: “O Zot, o Zot!” (kërkon ta shpëtojë nga gjendja e vështirë, e këputur), por që ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram, atëherë si t’i përgjigjet Allahu atij?

Kur lutja bëhet për të bërë një mëkat, apo për t’u shkëputur lidhjet farefisnore, apo ngutja në përgjigje. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu vazhdimisht i përgjigjet lutjes së robit të Tij, përderisa nuk lutet për diçka që është mëkat, apo për të shkëputur lidhjet me faresifin, apo nuk ngutet për të marrë përgjigjen.” E kanë pyetur se çfarë do të thotë kjo dhe ka thënë: “Thotë: “E luta Allahun, e luta Allahun, por nuk më përgjigjet!”

Mosurdhërimi në të mirë dhe mosndalimi në të keqe. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Do të urdhëroni për të mira dhe do të ndaloni prej të këqijave, ose përndryshe shumë shpejt mund t’iu vijë dënim prej Allahut, e pastaj ju do ta lutni Allahun e Ai nuk do t’iu përgjigjet lutjeve!”

Mëkatet. Nëse umeti islam nuk urdhërojnë në të mirë dhe nuk ndalojnë nga e keqja, atëherë shtohen mëkatet dhe kjo është pastaj prej pengesave për pranimin e lutjes. Dijetarët kanë thënë: “Si të shpresojmë që lutjet tona të marrin përgjigje ndërkohë që ne ua kemi mbyllur rrugën me mëkate?!” Mëkatet janë prej pengesave kryesore për pranimin e lutjeve.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit