Shumëfishimi i veprave të mira e të këqija

Shumëfishimi i veprave të mira e të këqija

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e vepron një të mirë, i shkruhen prej dhjetë deri në shtatëqind e më tepër shpërblime.” Ky shumëfishim, në ajete e hadithe, ka ardhur në formë:

  1. të papërcaktuar: “Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë…” Nisa 40. Dhe thotë: “Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?” Bekare 245. Dhe “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. Zumer 10.
  2. të përcaktuar në numër: “Kush e mendon një punë të mirë dhe e vepron atë, i shkruhet prej dhjetë deri në shtatëqind e më tepër shpërblime.” Çështja ‘një e mirë me dhjetë shpërblime’ ka ardhur nëpër ajete e hadithe se çdo e mirë kështu trajtohet, siç gjejmë në hadith: “Ai që lexon një shkronjë nga Kurani ka vepruar një vepër të mirë, e çdo e mirë shumëfishohet dhjetë fish. Nuk po them se elif, lam dhe mimë është një shkronjë, por elif është një shkronjë, lam një shkronjë dhe mimë një shkronjë.” Që do të thotë se janë tridhjetë shpërblime. Shpërblimi me shtatëqind ka ardhur në këtë hadith, por edhe në ajetin kuranor: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra.” Bekare 261. Ka vepra të cilat e tejkalojnë shpërblimin me shtatëqind, e ato janë: agjërimi dhe durimi. Allahu thotë për agjërimin në një hadith kudsij: “Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” Dhe për durimin: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. Zumer 10.
  3. krahasimi me një vepër tjetër (pa e përcaktuar në numër), p.sh.: hadithi: “Ai që bën umre në Ramazan, ka shpërblim sikur të bëjë haxhin.” Dhe: “Ai që merr abdes në shtëpinë e tij dhe shkon në xhaminë Kuba të falë dy rekate, ka shpërblim sikur të bëjë umre.” Dhe: “Kush e fal namazin e jacisë në xhami me xhemat, i shkruhet sikur është falur gjysmën e natës. Dhe nëse e fal namazin e sabahut në xhami me xhemat, i shkruhet gjysma tjetër”, duke iu shkruar shpërblim sikur të jetë falur tërë natën. Dhe: “Ai që e fal namazin e teravive derisa të kryejë imami, i shkruhet sikur ka falur namaz tërë natën.” Dhe: “Ai që e fal namazin e sabahut në xhami dhe pret derisa të lindë dielli dhe ngritët të falë dy rekate, ka shpërblimin e kryerjes së umres.” Pra, këtu shpërblimi nuk lidhet me numër dhjetë deri në shtatëqind e më tepër, porse tregohet se është shumëfishuar, i është rritur vlera, duke e krahasuar me një të mirë tjetër.

Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit