Marrja e vetes në llogari

Marrja e vetes në llogari

Në kalimin e ditëve, muajve dhe viteve ka një mësim të madh dhe këshillë të fuqishme për atë të cilit Allahu i ka dhënë sukses, që të ndalet e të meditojë rreth kësaj çështjeje. Me kalimin e tyre harxhohet dhe jeta e njeriut. Dijetarët kanë thënë: “Si ka mundësi që njeriu t’i gëzohet kësaj jete kur dita e tij e shkatërron muajin, kurse muaji e shkatërron vitin dhe viti e shkatërron jetën e tij?!” Çdo ditë që kalon e afron me vdekjen.

Kjo dhe na hap derën e llogarisë ndaj vetes, për ato vepra që kemi bërë në ditët, muajt e vitet e kaluara. Allahu thotë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” Hashr 18. Ky ajet llogaritet si ajeti bazë mbi këtë tematikë. Ky ajet tregon se marrja e vetes në llogari është gjë obligative, pra e kemi për detyrë si muslimanë që vazhdimisht ta marrim veten në llogari, ta qortojmë e kritikojmë, për mangësitë e neglizhencat dhe t’ia kujtojmë vetes ditën e Gjykimit.

Do të sjellim disa thënie të khalifëve të muslimanëve:

  • Ebu Bekri radijAllahu në hytben e tij ndër të tjera ka thënë: “Dijeni se, çdo lëvizje që bëni, ndodhë brenda një kohe të caktuar (afatit). Allahu e ka lënë të fshehur (nuk ua ka shfaqur) dijen se kur do të vijë dita e mbarimit të këtyre lëvizjeve tuaja. Andaj, nëse keni mundësi që jetët t’i kaloni në adhurim ndaj Allahut, bëjeni këtë. Porse, këtë nuk mund ta arrini veçse me ndihmën e Tij. Andaj, nxitoni e garoni me njëri-tjetrin përderisa ende keni hapësirë në jetët tuaja dhe para se të përfundojë ajo dhe ju të ktheheni tek Ai me vepra të këqija (apo me gjendje të rëndë)… Shpejtoni të arrini shpëtimin tek Allahu ngase pas jush është një kërkues i cili nuk u ndahet kurrë dhe vjen shumë shpejt (d.m.th. vdekja).”
  • Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Llogariteni veten para se të merreni në llogari (tek Allahu) dhe peshojini vetët tuaja (veprat) para se të peshoheni.”
  • Uthmani radijAllahu anhu ka thënë: “O biri i Ademit, dije se engjëlli i vdekjes i cili është ngarkuar të ta marrë shpirtin, vazhdimisht kalon radhën tënde dhe shkon te dikush tjetër, që prej ke ardhur në jetën e kësaj bote. Andaj, paramendo se shumë shpejt engjëlli i vdekjes do të kalojë të tjerët e të vijë tek ti (për të ta marrë shpirtin). Kështu që, tregohu i kujdesshëm e përgatitu për takimin me të dhe mos u trego i pavëmendshëm… Dije se nëse ti nuk tregohesh i kujdesshëm për veten tënde, askush nuk përgatitet për ty, secili do të japë llogari për veten e vet në Ditën e Gjykimit, askush nuk do ta marrë barrën tënde kur del para Allahut. Patjetër do të takohesh me Allahun. Andaj, merre veten në llogari, qortoje dhe mos lejo që çështjen tënde t’ia besosh dikujt tjetër.” Dhe: “Vërtet Allahu ua ka dhënë këtë botë që me të ta kërkoni botën tjetër, e jo që të mbështeteni në të, të kërkoni rehatinë e prehjen në të, ngase ajo (kjo jetë) zhduket, është kalimtare, kurse jeta tjetër e ahiretit është përhershme. Mos lejoni që kjo jetë kalimtare t’ju bëjë arrogantë e mendjemëdhenj e të shkelni kufijtë e Allahut. Mos lejoni që kjo jetë t’ju preokupojë nga jeta tjetër. Jepni përparësi asaj që është e përhershme ndaj asaj që është kalimtare.”
  • Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “O ju njerëz, ajo që më së shumti kam frikë për ju është shpresa e gjatë (për jetë të gjatë) dhe pasimi i dëshirave e tekave. Shpresa për jetë të gjatë bën të harroni botën tjetër. Kurse, pasimi i dëshirave dhe tekave largon nga e rruga e drejtë. Dijeni se jeta e kësaj bote na ka kthyer kurrizin dhe është duke u larguar prej nesh. Kurse bota tjetër është duke ardhur drejt nesh. Secila prej tyre ka bijtë e saj. Bëhuni bij të ahiretit e mos u bëni bij të dunjasë. Sot ka punë (angazhim në vepra të mira) e nuk ka llogari, ndërsa nesër ka llogari dhe nuk ka më punë (veprim).”

Shumë prej nesh tregohen neglizhentë dhe e lënë pas dore veten e tyre, e lëshojnë veten në dëshira, kërkesa, qëllime, epshe e gjëra që i dëshiron ajo. Të paktë janë ata që ndalen dhe e marrin veten në llogari, duke e qortuar për neglizhencat e mangësitë. Ai që e merr veten në llogari çdo ditë, e ka arritur gradën e besimtarëve të devotshëm, që e kanë frikë Allahun. Mejmun ibn Mehram ka thënë: “Njeriu nuk mund të arrijë kurrë gradën e të devotshmit, derisa të marrë veten në llogari ashtu siç e merr në llogari ortaku ortakun në biznis.”

Nëse gjen mangësi në vepra kur e merr veten në llogari, duhet të mundohesh t’i plotësosh e përkryesh ato. Nëse sheh se ke mëkate, duhet të shpejtosh në pendim e kërkim falje. Nëse gjen se ke adhurime e bindje ndaj Allahut, duhet ta falënderosh e lavdërosh Atë që ta ka mundësuar t’i kryesh ato, si dhe të jesh i vazhdueshëm në to.

Marrja e vetes në llogari (për veprat) dërgon drejt çdo mirësie e shpëtimi dhe ngritje në të dy botët. E kur e lë pas dore vetveten e lëshohesh në epshe, pasione dhe teke, kjo dërgon në shkatërrim. Allahu thotë: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” Naziat 40-41. Nëse dëshirojmë xhenetin, duhet që ta ndalojmë veten prej epsheve, dëshirave e tekave të saj, pra ta ndalojmë e ta mbajmë atë me frerët e së vërtetës, virtytshmërisë, bindjes dhe adhurimit ndaj Allahut, gjëra këto përmes së cilave ndjekim dhe i përmbahemi fesë së Tij.

Prej gjërave që ndihmojnë në përmirësim:

  • Lutja tek Allahu për përmirësim.
  • Luftimi (detyrimi) i vetes në nënshtrim ndaj Allahut dhe frenim ndaj mëkateve.
  • Të kujtuarit se një Ditë do të japësh llogari tek Ai.
  • Shoqëria e mirë (këtu përmendim dhe leximin e biografive të të devotshmëve).

Në kohët kur shtohen sprovat e fitnet, të cilat e largojnë dhe e pengojë njeriun prej adhurimit ndaj Allahut, e që sot janë shtuar shumë, duhet edhe më shumë ta marrë veten në llogari dhe t’i kushtojë kujdes vetes së vet.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit