Mënyra e sjelljes me bashkëshorten

Mënyra e sjelljes me bashkëshorten

Kjo temë shfaq një prej anëve të bukura të fesë sonë Islame, të cilën Allahu e ka plotësuar dhe përmes të cilës i ka plotësuar nevojat, dobitë dhe interesat që kanë të bëjnë me njeriun dhe jetën e tij të përditshme.

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka këshilluar për sjellje të mirë ndaj grave, madje kjo ka qenë prej porosive të fundit që ka lënë para se të vdesë, “Kini frikë Allahun në raport me gratë“. Në natyrën e saj gruaja është e dobët, ndërsa burri është më i fuqishëm. Dhe shumë prej burrave e shfrytëzojnë këtë fuqi dhe u bëjnë padrejtësi atyre. Islami ka ardhur dhe e ka ndaluar tërë këtë padrejtësi. Islami ka urdhëruar burrat për butësi e bamirësi ndaj grave të tyre, me çdo gjë që është e mirë. Vazhdimisht Islami ka ndaluar në sulmimin fizik ndaj saj dhe në nënçmim ndaj saj dhe vlerës së saj, mirëpo ka thirrur për respektim e nderim ndaj saj.

 

  • Allahu thotë: “Jetoni e silluni mirë me to!” Nisa 19. Kjo është porosi e urdhër prej Allahut. Muslimani e ka për obligim që jetën me gruan e tij ta kalojë me të mirë. Ky është urdhër për të gjithë burrat. Kjo sjellje duhet të jetë me atë që është më e mira, e në këtë përfshihen edhe thëniet edhe veprat. Pra, kur t’i drejtohesh gruas me fjalë këtë ta bësh me fjalët më të mira, me shprehje të bukura, të buta, pa vrazhdësi e arrogancë. Gjithashtu të kesh vepra e sjellje të mira, pa ashpërsi. Sjellja ndaj grave duhet të jetë e ngritur dhe e bazuar mbi vepra të mira, bamirësi, raport të mirë, vlerësim etj. Kush ka kujdes që në raportin e tij me bashkëshorten të jetë i drejtë, korrekt, e meriton të arrijë faljen e Allahut.

 

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ju porosis që të silleni mirë me gratë e juaja!” Me të gjitha fjalët dhe veprat e juaja duhet të silleni mirë me to, pa përjashtim, dhe vazhdimisht duhet ta porosisni njëri-tjetrin për sjellje të mirë me gratë; pra përveç që unë ju porosis për sjellje të mirë me gratë, edhe ju duhet ta porosisni për këtë njëri-tjetrin, si amanet. Nëse ne sillemi mirë me gratë dhe këshillojmë njëri-tjetrin për këtë, atëherë do të përmirësohet jeta bashkëshortore.

 

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gruaja është krijuar prej bririt. Pjesa më e shtrembër e bririt është pjesa e lartë e tij. Nëse tenton ta drejtosh atë me forcë, do ta thyesh.” Dijetarët kanë dhënë dy kuptime për këtë hadith:
  1. Është krijuar në realitet prej bririt. Hava është krijuar prej bririt të Ademit.
  2. Është një shembull, krahasim, përngjasim i gruas me bririn.

E tillë është natyrshmëria e gruas, sikurse briri, që nuk është i drejtë, e pjesa më e shtrembër e gruas është koka (njashtu si pjesa më e shtrembër e bririt është pjesa e lartë e tij). Andaj duhet që burri të kuptojë natyrën e gruas në mënyrë që të dijë se si të sillet me të, ashtu siç thotë ky hadith. Nga kjo nuk bën përjashtim asnjë grua. Burri duhet të ketë ndërmend këtë përngjasim në sjelljet e tij, sepse kjo do ta ndihmojë se si të sillet me të. Nëse do që të ketë një jetë të kënaqshme, të ndershme, fisnike, të respektueshme, atëherë jo çdo mangësi e ngelizhencë të saj të mundohet ta përmirësojë me ashpërsi, ngase kështu e thyen, nuk do të ketë jetë të mirë me të (nuk do të jetë i nderuar e i vlerësuar tek ajo e as ajo tek ai), por duhet me butësi, me urtësi, pa nxitim, pa ashpërsi, në fjalë e veprime. Nuk është qëllimi që të lihet e lirë që të veprojë çfarë të dojë, si: mëkate, gabime etj., por që kur të gabojë ajo, atëherë duhet të mundohesh që këtë ta përmirësosh përmes butësisë, ky është qëllimi i këtij hadithi, në mënyrë që të kesh një jetë të mirë me të. Nëse burri do që gruaja e tij të jetë siç ai dëshiron, si në vepra, në sjellje etj., pa mangësi, pa gabime, e përsosur, atëherë le ta dijë se do ta thyejë atë, nuk do ta arrijë këtë. Burri, mangësitë e sjelljet e saj të gabueshme, duhet t’i përballojë.

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Dijeni se vërtetë gruaja është krijuar prej bririt dhe nuk ka mundësi të drejtohet ashtu siç dëshiron (burri).” Sado që përpiqesh që të jetë ashtu siç ti do, plotësisht, dije se nuk do ta arrish këtë, patjetër do të ketë gabime e lëshime nga ajo. “…nëse mundohesh ta drejtosh do ta thyesh atë, e thyerja e saj është divorcimi.” Pra, nëse me arrogancë e ashpërsi mundohesh ta drejtosh, do të përfundosh në divorc. Shumë prej njerëzve që nxitojnë, duke u përpjekur ta drejtojnë gruan, përfundojnë në divorc. Mendimi i parë edhe për gjërat më të vogla, që u shkon ndërmend është divorcimi, për arsye si: nuk i pëlqen gatimi i saj, apo si pastron, si e mban veten e saj, dhe për shkak të këtyre e ndan atë. Mirëpo, këto gjëra kërkohet që të përmirësohen duke pasur durim dhe pa nxitim, kjo për kohë të gjatë, hap pas hapi, gradualisht, jo menjëherë, sepse ose do të përfundosh me divorc apo së paku nuk do të kesh jetë të rehatshme bashkëshortore.

 

  • Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka mbajtur një ligjëratë dhe mes të tjerash i ka këshilluar/qortuar njerëzit në raport me gratë e tyre dhe ka thënë: “Disa prej jush o burra, qëllimisht godasin gratë siç godasin skllavin e vet, e pastaj kur vjen nata flenë me to.” Kjo gjë është kontradiktore dhe e kundërshton qetësinë dhe jetën e mirë bashkëshortore. Nuk duhet shfrytëzuar forcën e autoritetin si burrë dhe dobësinë e gruas duke e goditur. Si ka mundësi që në fillim të ditës ta rrahësh e në fund të ditës t’i afrohesh?! Nuk i lejohet besimtarit të sillet me gruan e tij me dhunë, me rrahje, me dëmtim. Nëse ti je i fortë fizikisht dhe si rrjedhojë sillesh me gruan tënde me dhunë, atëherë kujtoja vetes se Allahu është më i fort sesa ti dhe të ndëshkon. Ai që ta ka dhënë këtë forcë është Allahu.

Gjëja që ndihmon për të mos pasur sjellje të tillë është gjithashtu t’ia kujtosh vetes se edhe ti ke vajzë a motër, a do të doje që me to të sillej dhëndri në këtë mënyrë?! Si do e prisje lajmin se ai është sjell ndaj saj njëjtë?  Pa dyshim nuk do ta pëlqeje këtë dhe do të ndjeje dhimbje shpirtërore.

 

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Asnjë besimtar mos ta urrejë besimtaren (bashkëshorten e tij). Nëse nuk i pëlqen diçka prej saj, i pëlqen diçka tjetër (nga moralet tjera)!” Jeta bashkëshortore e mirë dhe urrejjta (mospëlqimi) nuk shkojnë bashkë, janë të kundërta. Atëherë, cila është ajo gjë që ndihmon në mosurrejtjen e disa prej sjelljeve apo gjesteve të saj? Siç sqaron hadithi, përgjigja: Nëse nuk të pëlqen një sjellje, ka sjellje të tjera të cilat i pëlqen tek ajo. Askush nuk është i përkryer, as bashkëshortja jote e as ti. Edhe asaj mund të mos i pëlqejë ndonjë sjellje apo gjest i yti.

Ky hadith na mëson që burri nuk duhet vazhdimisht të shikojë e kujtojë gabimet e gruas së tij, se kështu do ta urrejë atë e nuk do ta pëlqejë, dhe do të ftohet raporti me të apo dashuria. Në jetën tënde kurrë nuk mund të arrish që gruaja jote të jetë ashtu siç do ti, plotësisht, porse duhet gjithnjë të kujtosh të mirat e saj, sjelljet e mira të saj ndaj teje, e jo të mendosh vetëm për gabimin e bërë në një moment të caktuar. Kur muslimanit i vjen ndonjë gabim a lëshim prej gruas së tij menjëherë duhet t’ia kujtojë vetes sjelljet e mira të saj ndaj tij, të mirat e saj, anët pozitive të saj. Në këtë mënyrë e largon mospëlqimin apo urrejtjen ndaj për atë gabim të caktuar.

 

  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vini re! Ju porosis të silleni mirë me gratë e juaja, sepse ato janë nën kujdesin e juaj!” Kjo këshillë ndihmon për përmirësim të raportit bashkëshortor. Kështu, ta kujtojë burri se gruaja e tij ka dal prej shtëpisë së saj dhe ka ardhur në shtëpinë tënde. Ajo ishte nën kujdestarinë e babait të saj dhe tash është nën kujdestarin tënde, andaj duhet kushtuar kujdes asaj dhe të kesh sjellje të mirë ndaj saj. Ajo ka dal nga shtëpia e saj ku e kanë nderuar dhe dashur (prindi, vëllezërit, motrat), po në të njëjtën mënyrë duhet të sillesh me të.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Ju porosis që të silleni mirë me bashkëshortet e juaja” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit