Mospajtimet në mesin e dijetarëve

Shkaqet e tyre dhe qëndrimi ynë ndaj tyre

Marrë nga broshura:

“El hilaf bejnel ‘ulema esbabuhu ue meukifuna minhu”

Shejh Muhamed Ibën Salih El Uthejmin

Hyrje

Kjo temë diskutimi mund t’i bëjë njerëzit të pyesin, madje disa mund të kenë dyshime, “pse kjo temë e ky titull, përderisa ka çështje tjera të fesë që janë më të rëndësishme?”. Por, kjo temë, veçanërisht në kohën tonë, i preokupon mendjet e shumë njerëzve. Nuk kam për qëllim vetëm njerëzit e rëndomtë, por gjithashtu edhe nxënësit e dijes. Kjo ka mbirë si rezultat i një rritjeje në shpërndarjen e rregullave të ligjësuara (sheriatike) në mesin e njerëzve, përmes mediave. Si pasojë, mospajtimet në mes të ‘këtij’ dhe ‘atij’ personi janë bërë burim hutimi, madje edhe më keq, burim dyshimi për shumë njerëz, veçanërisht për të padijshmit, që nuk e kuptojnë thelbin e këtyre dallimeve.

Për shkak të kësaj kam vendosur – dhe prej Allahut kërkoj ndihmë – që ta shtjelloj këtë çështje e cila sipas mendimit tim është me rëndësi të madhe për muslimanët. Prej mirësive të Allahut të Lartësuar mbi këtë umet është që mospajtimet në të nuk kanë ndodhur në bazat e fesë, dhe në burimet e saj parësore [1]. Dallimet kanë ndodhur vetëm në çështje të cilat nuk e prekin bashkimin real të muslimanëve dhe prania e mospajtimeve është një realitet, i cili patjetër duhet të jetë si i tillë. I kam strukturuar dhe përmbledhur pikat kryesore të shtjellimit si vijon:

Secili musliman e di – si rezultat i të kuptuarit të Librit të Allahut dhe Sunnetit të të dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem) – që Allahu e ka dërguar Muhamedin (salAllahu alejhi ue selem) me udhëzimin dhe fenë e së vërtetës. [2]

Kjo e vërtetë e pohon faktin që i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) e ka shpjeguar fenë qartë dhe mjaftueshëm, dhe ajo nuk nevojë për sqarime të mëtutjeshme. Sepse, vetë kuptimi i fjalës ‘udhëzim’ e mohon devijimin dhe të gjitha domethëniet e tij, dhe fjala ‘fe e së vërtetës’ e mohon çdo fe të rreme me të cilën Allahu – më i Larti – nuk është i kënaqur. I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) u dërgua me këtë Udhëzim dhe Fe të së Vërtetës.

Gjatë jetës së tij, njerëzit i drejtoheshin kur kishin mospajtime, në mënyrë që ai të gjykonte mes tyre dhe t’ua qartësonte të vërtetën, pa marrë parasysh nëse mospajtimet ishin në lidhje me Kuranin, ose me çështje tjera për të cilat gjykimet nuk ishin shpallur ende. Për këtë arsye, ajetet zbritnin për ta sqaruar çështjen.

Sa shpesh e lexojmë në Kuran, “Të pyesin ty…” këtë e atë. Allahu – më i Larti – pastaj i përgjigjej të dërguarit të Tij me një përgjigje të qartë dhe e urdhëronte që t’ua barte atë njerëzve.

Allahu i Lartësuar thotë,

“Të pyesin ty ç’është e lejueshme që të hanë. Thuaju (o Muhamed): “Ju lejohet juve çdo gjë që është e dëlirë dhe atë që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur e i përdorni në gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu. Pra, hani atë që jua sjellin, e përmendi emrin e Allahut! Frikësojuni Allahut! Allahu është i shpejtë në llogari.” [El-Maide (5):4]

“Të pyesin ty për verën dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”. Të pyesin se çfarë duhet të japin si lëmoshë. Thuaju: “Tepricën!” Ja, kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Tij, që të mund të mendoni.” [El-Bekare (2):291]

“Të pyesin ty (o Muhamed) për plaçkën e luftës. Thuaj: “Plaçka e luftës i përket Allahut dhe të Dërguarit”. Prandaj, frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. [El-Enfal (8):1]

“Të pyesin ty (o Muhamed) për hënat e reja; thuaju: “Ato janë për njerëzit shenja përcaktuese të kohës dhe të haxhillëkut”. Nuk është mirësi të hysh në shtëpi nga dera e pasme (siç bënin paganët para Islamit), por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpi nga dyert e tyre dhe kijeni frik[ Allahun, në mënyrë që të shpëtoni!” [El-Bekare (2):189]

“Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: “Luftimi në atë kohë është gjynah i madh, por pengimi i njerëzve prej udhës së Allahut, mohimi i Tij, pengimi i njerëzve nga vizita e Xhamisë së Shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë gjynah më i madh tek Allahut. Kurse adhurimi i idhujve është gjynah më i madh se vrasja.” Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj. Ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, – veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” [El-Bekare (2):217]

Megjithatë, pas vdekjes së Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selem), umeti pati dallime në vendimet ligjore të sheriatit. Megjithatë, këto rregulla / vendime nuk kanë ndikim / nuk i prekin bazat e sheriatit e as burimet fundamentale (rrënjësore) të tij. [3]

Të gjithë e dimë qartë se asnjë nga dijetarët – të cilët janë të besueshëm për sa i përket dijes së tyre, besueshmërisë dhe fesë – nuk e kundërshton haptas atë që tregohet në Librin e Allahut dhe në Sunnetin e të dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem). Kush është i interesuar për dijen dhe fenë, atëherë parimi udhëzues është të kërkuarit e së vërtetës, dhe qëllimi i kujt është ta gjejë të vërtetën, atëherë Allahu do t’ia bëj të lehtë, dëgjojeni thënien e Allahut, më të Lartit:

“Vërtetë, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!” [El-Kamer (54):17]

“Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.” [El-Lejl (92):5-7]

Sidoqoftë, është vërtetë e mundur që dijetarët e këtillë të bëjnë gabime në Ligjet e Allahut, më të Lartit, por jo në gjërat kryesore (bazike) të përmendura më parë.[4]

Këto gabime duhet të ndodhin, duhet të ekzistojnë sepse njeriu është ashtu siç e ka përshkruar Allahu i Lartësuar në thënien e Tij:

“…pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.” [En-Nisa (4):28]

Njeriu është i dobët në dijen dhe perceptimin e tij, si dhe në të kuptuarit e tij. Si rezultat, nga ai do të burojnë gabime në disa çështje.

Këtu, unë do ta përmbledh atë që dua ta them në lidhje me shkaqet që dërgojnë në gabimet e dijetarëve në këto gjashtë kategori. [5] Mirëpo, kijeni parasysh se ka shumë arsye tjera, sepse kjo çështje është sikur një ‘oqean’ pa breg. Ai i cili i kupton dhe i di thëniet e dijetarëve, i di edhe këto shkaqe (të mospajtimeve) që janë mjaft të përhapura. [6]

Vazhdon…

Kontrolloi: Lulzim Perçuku


[1] Është e njohur se shumë prej grupacioneve të bidateve siç janë mu’tezilitë dhe esharitë i kanë kundërshtuar disa nga burimet e sheriatit. Megjithatë, kjo gjë nuk i përjashton ata nga të qenit pjesë e këtij umeti, meqë ata në mënyrë të përgjithshme besojnë në këto burime, dhe nuk i mohojnë ato kategorikisht, siç është pajtimi i tyre në disa gjëra bazë siç janë pesë kushtet e fesë. Ky është qëllimi i shejhut këtu.

[2] Allahu thotë: “Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë. “ [Et-Teube (9):33]

[3] Prania e mospajtimeve përbrenda çështjeve jobazike nuk u ndikon e as nuk u bën dëm bazave të fesë, e as burimeve rrënjësore, të cilat janë Kurani dhe Sunneti.

[4] Ky është kushti i shumicës së dijetarëve. Disa dijetarë kanë përmendur megjithatë se një numër dijetarësh kanë rënë në gabim, dhe në kundërshtim me disa parime të Ehlu Sunnetit për shkak të ixhtihadit të tyre.

 

Shejhul Islam Ibën Tejmije thotë në Mexhmu’ul Fetaua (19/191):”…shumë nga muxhtehidët e selefëve dhe të mëvonshmëve kanë thënë dhe kanë vepruar gjëra që janë bidate. Mirëpo, ata nuk e kanë ditur se ato vepra kanë qenë bidate për shkak se disa hadithe të dobëta i kanë besuar si të sakta, ose për shkak se kanë kuptuar gabimisht disa ajete të Kuranit, ose për shkak të ndonjë mendimi të nxjerrë në ndonjë çështje që ka pasur argumente tekstuale për të cilat ata nuk kanë qenë në dijeni…”

 

[5] Shejhu në fakt i ka përmendur dy shkaqe nën kategorinë e parë. Mirëpo, ato janë ndarë në (dy pjesë) në këtë përkthim në mënyrë që të bëhen më të qarta, andaj do të prezantohen në shtatë kategori. Ky punim është marrë nga një ligjëratë e shejhut e cila është në kasetën e Mektebes el Ua’ju el-Islami, Arabi Saudite. Është botuar disa herë deri tani, së fundi nga Darul Etherijah, Rijad, Kitabul Ilm, fq 265-286.

[6] Shejhul Islam Ibën Tejmije e ka një punim në këtë temë: Raf’ul Melam ‘anil E’imeh el A’lam (Largimi i qortimit nga dijetarët e mëdhenj). Gjithashtu, punimi i Ibën Rushdit, Bidajeh el Muxhtehid uen-nihajeh el-Muktasid është punim unik në përmendjen e arsyeve për rastet e ndryshme të marra nga dijetarët në çështjet e fikhut.

 

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva