Muaji i fitimeve

Me ardhjen e Ramazanit u gëzuan e u hapën zemrat dhe u qetësuan e u lartësuan shpirtrat. E si mos të jetë kështu, kur ky është muaj i mirësive dhe i begative.

Muaj i mëshirës dhe i dhuratave. Muaj në të cilin hapen portat e Xhenetit dhe mbyllen portat e Zjarrit.

Muaj i agjërimit dhe i namazit.

Muaj i zbritjes së Kuranit, i cili është jetë për zemrat e njerëzve, shërim, prehje e qetësi për to dhe është dritë për dëgjimet dhe shikimet tona. Allahu i Madhërishëm thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!…” (El Bekareh: 185). Dhe thotë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…” (El Isra’: 82).

Ky është fitimi më i madh të cilin e arrin besimtari gjatë këtij muaji të ndershëm. Kështu, ai shpeshton leximin e vargjeve të Kuranit dhe mediton rreth mësimeve e këshillave të tij. Përpiqet skajshmërisht në adhurimet dhe bindjet ndaj Allahut,
duke iu përgjigjur urdhrave të Tij dhe duke u larguar nga ndalimet e Tij. Allahu thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sad: 29).

Ky është muaji i bekuar i Ramazanit. Muaj në të cilin shumëfishohet shpërblimi i veprave të mira dhe shlyhen veprat e këqija, meqë mëshira e Allahut mbulon robërit e Tij dhe meqë ata gjatë këtij muaji janë të ekspozuar ndaj dhuratave e bekimeve të Tij. Ashtu siç thotë Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Në natën e parë të Ramazanit hapen portat e xhenetit dhe nuk mbetet asnjë portë e mbyllur, dhe mbyllen portat e xhehenemit dhe asnjë prej tyre nuk mbetet e hapur. Prangosen djajtë dhe një thirrës thërret: ‘O ti që synon të mirën (shpërblimin), angazhohu në punë të mira! O ti që ke ndërmend të kryesh mëkate, tërhiqu!’ Dhe për çdo natë Allahu liron (shumë persona) nga zjarri.”

Gjithashtu Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë: “U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i begative. Në këtë muaj Allahu ju mbulon me mëshirën e Tij, ua shlyen mëkatet dhe u përgjigjet lutjeve. Allahu shikon se si ju garoni në këtë muaj dhe krenohet me ju para melekëve. Shfaqni para Allahut vetëm punë të mira, sepse vërtetë i mjerë është ai që në këtë muaj i mohohet mëshira”.

Andaj, nxitoni – o ju agjërues – drejt begative dhe fitimeve gjatë këtij muaji të bekuar! Nxitoni në kryerjen e mirësive dhe veprave të mira! Përfitoni nga ditët dhe netët e tij! Le të jenë ato në bindje ndaj Allahut, në dhikr, istigfar, pendim, kthim tek Ai, mirësjellje, bujari, dorëdhënie, falje dhe mëshirë të ndërsjellë!

Konkurroni me të tjerët në vepra të mira dhe gëzojuni asaj që Allahu ka përgatitur për robërit e Tij të devotshëm e bamirës, kur thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Al ‘Imran: 133).

Ky është muaji i fitores dhe shpëtimit.

Muaji i devotshmërisë dhe suksesit. Mirësitë dhe dhuratat e tij janë të shumta e të mëdha. Angazhohuni gjatë këtij muaji në vepra të mira dhe në afrim tek Allahu, sepse kush afrohet te Allahu në këtë muaj me vepra të mira i shumëfishohet shpërblimi.

Muaj i durimit, e durimi është gjysma e besimit dhe shpërblimi për të është xheneti. Muaj i ngushëllimit dhe lehtësimit të gjendjes së të tjerëve.

Muaj në të cilin shtohet shpërblimi i besimtarit. Kush i jep iftar agjëruesit ka shpërblimin e ngjashëm me të, pa u pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.

Shfrytëzoji kohët e këtij muaji dhe përfito nga to. Le të jenë katër veçori pjesë e pandashme e jotja: dëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejt përveç Allahut, pendimi, kërkimi i xhenetit dhe kërkimi i mbrojtjes nga zjarri.

Përfitoni nga ky muaj fuqinë e shpirtit, shëndetin e trupit, falënderimin për begatitë dhe gjerësinë e mëshirës. Ecni sipas udhëzimit të Kuranit, sunetit të Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe gjeneratave të para të myslimanëve të cilat i ka lavdëruar Allahu në Kuran.

Jini të kujdesshëm gjatë agjërimit ditën dhe gjatë faljes së namazit të natës, ashtu siç u ka urdhëruar Allahu, në mënyrë që të arrini faljen dhe kënaqësinë e Tij, sepse Pejgamberi (sallAll- llahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falën gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë”.

Njomni zemrat dhe gjuhët tuaja përmes përmendjes së Allahut dhe leximit të Kuranit gjatë muajit të tij (Kuranit).

Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit sepse ajo është më e mirë se njëmijë muaj. Luteni Allahun për falje dhe shpëtim në këtë dhe botën tjetër. Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin Ditën e Gjykimit. Agjërimi thotë: ‘O Zot im! E kam penguar nga ushqimi, pirja dhe epshi, andaj më ndërmjetëso për të!’. Ndërsa Kurani thotë: ‘O Zot im! E kam penguar nga gjumi gjatë natës, andaj më ndërmjetëso për të!’. Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Dhe do të ndërmjetësojnë”.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ibën Abbasi (radijAll-llahu anhuma) i cili ka thënë: “Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ishte njeriu më bujar e më dorëlirë, e kjo më së shumti i shfaqej në Ramazan, kur e takonte Xhibrili…”.

Vërtet dobia kryesore që merret nga agjërimi është devotshmëria. Ta dini se shpërblimi për agjëruesin është xheneti!

Mos e njollosni agjërimin tuaj me gjëra të ndyta e të ulëta, qofshin ato fjalë apo vepra! Përkujtoni fjalën e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem): “Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për agjërimin e dikujt që lë ushqimin dhe pirjen dhe nuk braktis fjalët e këqija (gënjeshtrat) dhe të vepruarit me to”.

Xhabir bin Abdullahi thotë: “Kur të agjërosh, le të agjëroj se bashku me ty dëgjimi yt, shikimi yt dhe gjuha jote nga gënjeshtrat e haramet. Mos i bëj dëm komshiut dhe gjatë agjërimit cilësohu me qetësi e vetëkontrollë. Mos i bëj të ngjashme ditët e agjërimit tënd me ditët e tjera të vitit.”

Përshtati: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit