Muaji Rexheb

Shejh Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhajlij (Allahu e ruajt)
www.al-rehaili.net

Çdo lavdërim dhe falënderim i përket Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë e falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtjen e Tij nga të këqijat e veprave dhe shpirtrave tanë. Salatet dhe selamet i dërgojmë për robin dhe të Dërguarin e tij, Muhamedin, për familjen dhe mbarë shokët e tij.

Më tej:

Së pari: Të njohurit me muajin:

Në aspektin gjuhësor fjala Rexheb ka kuptimin e përnderimit, ngaqë arabët e përnderonin këtë muaj në kohën e injorancës para islamike, duke kryer rituale dhe therur kafshë.

Së dyti: Veprat e ligjësuara gjatë tij:

Muaji Rexheb është njëri ndër muajt hurum (të shenjtë), të cilët janë: Dhul-Ki’de, Dhul-Hixhxhe, Muharrem dhe Rexheb. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Et-Teube, 36).

Në tekstet fetare nuk përmendet diçka që e veçon muajin Rexheb me veprimin e ndonjë adhurimi, përveç asaj që aludon ajeti i lartcekur dhe tekste të tjera, ku përmendet respektimi i shenjtërisë së këtyre muajve, në mesin e të cilëve është edhe muaji Rexheb.

Dijetarët theksuan se, gjatë këtyre muajve mëkatet rriten, ashtu siç rritet shpërblimi për punët e mira, nëse kryhen gjatë tyre.

Taberiu dhe të tjerët përcjellin nga ibën Abbasi, i cili gjatë shpjegimit të ajetit: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!”, tha: “(Domethënë) Mos i bëni dëm vetes gjatë tërë muajve të vitit; pastaj në mesin e tyre, Allahu i veçoi katër muaj, duke i bërë të shenjtë dhe duke e ngritur lartë shenjtërinë e tyre. Po ashtu bëri që mëkati gjatë tyre të jetë më i madh (se në muajt e tjerë) dhe gjithashtu edhe vepra e mirë dhe shpërblimi.”

Taberiu shkruan: “Allahu e ngriti lartë shenjtërinë e këtyre muajve dhe i lartësoi mbi muajt e tjerë të vitit. Ai bëri që mëkati gjatë tyre të jetë i madh, ashtu siç i veçoi ata me legjislacion.”

Ibën Rexhebi shënon: “Sa i përket veprave të vullnetshme të pakufizuara, më e mira ndër to është agjërimi i muajve të shenjtë.”

Them (shejh Ibrahimi): “Ajo në të cilën mbështeten dijetarët, të cilët e shohin si të ligjshëm agjërimin gjatë muajve të shenjtë, është hadithi i Muxhibe El-Bahilije, e cila transmeton nga babai apo axha i saj. Këtë hadith e përcjellë Ebu Daudi. Në të përmendet se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i kishte thënë atij (babait apo axhës): “Agjëro nga muajt e shenjtë, pastaj ndalu – tri herë. Profeti kishte bërë shenjë me tre gishtat e tij, duke i mbledhur dhe pastaj lëshuar ata.” Hadithin në fjalë e shpallën si të dobët një grup i madh dijetarësh, dhe atë për shkak se Muxhibe El-Bahilije nuk njihet.

El-Mundhirij tha: “Disa nga hoxhallarët tanë bënë me dije për dobësinë e hadithit për shkak të kësaj (se Muxhibe El-Bahilije nuk njihet), dhe kjo fjalë e tyre është me vend.” (Shih Muhtesar Sunen Ebi Daud (3/306), hadithi nr. 2318).

Ndërkaq, Albani tha: “Them: “Zinxhiri i hadithit është i dobët, për shkak se Muxhibe El-Bahilije nuk njihet. Po ashtu është thënë se emri i saj është Muxhibetul-Bahilij dhe fjalë tjera.” Mirëpo Albani përmendi se për hadithin në fjalë dëshmon një tjetër hadith i mirë (xhejjid); hadithi i Kehmes El-Hilalij, ku përmendet një tregim i ngjashëm me atë të hadithit të parë. Aty tregohet se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Agjëro nga muajt e shenjtë…” (Shih Es-Silsiletus-Sahiha, 2623). Po ashtu Neveviu argumentoi me këtë hadith në veprën e tij “Rijadus-Salihin” dhe i vuri titull atij dhe disa haditheve të tjera. Ai shkroi: “Temë rreth vlerës së agjërimit gjatë muajit Muharrem, Sha’ban dhe muajve të shenjtë”. Andaj, nëse hadithi saktësohet, atëherë ai është argument për agjërimin e muajit Rexheb dhe muajve të tjerë të shenjtë. Në të kundërtën, parimi bazë është që të mos thuhet se filan vepra është e ligjshme, përveç nëse ekziston argumenti i saktë. Kjo që u tha ndryshon nga agjërimi i muajit Muharrem. Ligjshmëria e agjërimit të tij është saktësuar nga hadithi i Ebu Hurejres (radijAllahu anhu), i cili shënohet në Sahih-un e Muslimit: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit, është agjërimi i muajit të Allahut, Muharrem.”

Hafidh ibën Haxheri, gjatë verifikimit të haditheve që flasin për vlerën e muajit Rexheb në veprën e tij “Tebjinul-axheb lima uerede fi fadli Rexheb”, tha prerazi se, nuk ka asnjë hadith të vërtetë, që flet rreth vlerës së muajit Rexheb. Ai shënon: “Nuk ka asnjë hadith të vërtetë përmes së cilit bën të argumentohet dhe i cili flet për vlerën e muajit Rexheb, apo për agjërimin e tij, apo për agjërimin e një pjese të caktuar të tij, apo për ta veçuar ndonjërën prej netëve të tij me namaz.” (Tebjinul-axheb lima uerede fi fadli Rexheb, fq. 6).

Ajo çfarë dukshëm vërehet në transmetimet e sahabëve dhe të tabi’inëve është paligjshmëria e agjërimit të muajit Rexheb. Umer bin Hattabi (radijAllahu anhu), gjatë muajit Rexheb i godiste shuplakat e njerëzve, në mënyrë që t’i fusnin brenda enëve të ushqimit dhe thoshte: “Hani, sepse ky është një muaj të cilin e madhëronin njerëzit e injorancës para islamike.”(Musannef ibën Ebi Shejbe (3/102); Albani tha: “Zinxhiri i tij është i saktë”, Iruaul-Galil (1/192). Paligjshmëria e agjërimit të tij kuptohet dukshëm edhe nga thënia e Se’id bin Xhubejrit, që ishte njëri nga imamët në mesin e tabi’inëve. Siç transmeton Muslimi në Sahih-un e vet nga Uthman bin Hakim El-Ensarij, i cili tha: “E pyeta Se’id bin Xhubejrin lidhur me agjërimin e muajit Rexheb, ndërkohë që ne ishim në atë muaj. Ai më tha: “E kam dëgjuar ibën Abbasin (radijAllahu anhuma) duke thënë: Nganjëherë i Dërguari i Allahut agjëronte aq shumë sa që thoshim: “Nuk do ta ndërpresë agjërimin”. Dhe nganjëherë nuk agjëronte për një kohë të gjatë, derisa thoshim: “S’ka për të agjëruar”. (Sahih Muslim, 2/811). Imam Neveviu duke e komentuar këtë tha: “Ajo çfarë dukshëm kuptohet nga fjalët e Se’id ibën Xhubejrit është se ai, përmes këtij argumentimi, donte të tregonte se s’ka diçka që e ndalon apo që e bën të pëlqyeshme veçimin e tij me agjërim. Përkundrazi, vendimi mbi të është i njëjtë me vendimin mbi muajt e tjerë, dhe nuk ka ndonjë ndalesë apo pëlqim të saktë lidhur me veçimin e muajit Rexheb me agjërim.” (Sherhun-Nevevij ala Muslim, 8/39).

Së treti: Bidatet e shpikura gjatë tij:

Bidatet e shpikura gjatë muajit Rexheb ndahen në dy grupe:

• Bidatet e shpikura në kohën e injorancës para islamike, dhe
• Bidatet e shpikura në Islam.

Së pari: Bidatet e shpikura në kohën e injorancës para islamike:

a) Veçimi i muajit Rexheb me zotime nga ana e arabëve pagan. Kjo për arsye se arabët e mbanin El-Atiren në muajin Rexheb. Domethënë: kur ndonjëri prej tyre kërkonte diç, zotohej se, nëse e arrin atë, ai patjetër do të therte kaq e kaq dele në muajin Rexheb. Dhe ato dele quheshin El-Atair.
Ebu Ubejdi shënon: “Sa i përket El-Atires, ajo ndryshe quhej edhe Er-Rexhebije (e muajit Rexheb). Ajo ishte kafsha që therej në muajin Rexheb, përmes së cilës arabët injorantë afroheshin tek idhujt e tyre. Pastaj erdhi Islami dhe çështja mbeti ashtu, derisa u shfuqizua. Përcillet nga Nubejshe se, një njeri e thirri të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në Mina dhe i tha: “Në kohën e injorancës ne thernim El-Atiren gjatë muajit Rexheb.” Ai iu përgjigj: “Therni për hir të Allahut, në çfarëdo muaji që jini.”(Shih Garibul-Hadith të Kasim bin Sel-lam, 1/196). Po ashtu përcillet nga Amër bin Shuajb të ketë thënë: “El-Atiren ndryshe e quanim edhe Er-Rexhebije; çdo shtëpi therte një dele në muajin Rexheb, pastaj mishin e saj e hanin dhe ua shpërndanin të tjerëve.” Ibën Auni tha: “E pyeta Sha’biun rreth El-Atires, e ai më tha: “Ajo therej në dhjetëditëshin e fundit të muajit Rexheb.”

b) Therjet që i bënin për hir të idhujve. Ato kafshë që thereshin për ta quheshin El-Fere’a. (Shih Garibul-Hadith të Ibrahim El-Harbij, 1/208 dhe Ez-Zahir fi kelimatin-nas, 2/118).

Ebu Ubejdi shënon: “El-Fere’a ishte kafsha e parë që lindte nga ndonjë deve. Atë, pastaj e thernin për idhujt e tyre. Këtë e bënin në kohën e injorancës, mirëpo, më vonë, u ndaluan nga një gjë e tillë.” (Shih Garibul-Hadith të Kasim bin Sel-lam, 1/194). Feja islame i ka zhvlerësuar këto dy bidate, siç përmendet në hadithin e Ebu Hurejres (radijAllahu anhu), i cili shënohet në dy Sahihat, se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kishte thënë: “S’ka Fere’a e as Atire.” (Buhariu, 5473 dhe Muslimi, 83).

Së dyti: Bidatet e shpikura në Islam:

– Ndër bidatet e shpikura gjatë muajit Rexheb, pas ardhjes së fesë islame, është Salatur-Regaib. Ai është një namaz i cili falet mes akshamit dhe jacisë, në xhumanë e parë të këtij muaji. Këtë namaz e paraprinë agjërimi i ditës së enjte. Rreth formës së këtij namazit përcillet një hadith i trilluar ndaj Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ku thuhet: “Kush agjëron të enjten e parë të muajit Rexheb, pastaj i fal mes akshamit dhe jacisë (domethënë natën e xhumasë) dymbëdhjetë rekate, duke kënduar në secilin prej tyre nga njëherë el-fatihan, tri herë suren El-Kadr, dymbëdhjetë herë suren El-Ihlas, dhe duke i ndarë çdo dy rekate me dhënie të selamit, pastaj kur të përfundojë namazin, dërgon mbi mua salavate shtatëdhjetë herë dhe thotë: “Allahumme sal-li ala Muhamedin en-Nebijjil-Umijji ue ala alihi”. Pastaj bën sexhde dhe gjatë saj thotë shtatëdhjetë herë: “Sub-buhun Kud-dusun Rab-bul-Melaiketi uer-Ruhi”, pastaj e ngrit kokën dhe thotë shtatëdhjetë herë: “Rab-bigfir uerham ue texhauez amma ta’lem, inneke entel-a’dham”, pastaj bën sexhde edhe njëherë dhe e përsëritë atë që e tha në sexhden e parë, pastaj ia shfaq Allahut kërkesën e tij, këtij njeriu do t’i jepet ajo çfarë kërkon.” Ky hadith është i shpikur dhe i pabazë.

Ibnul-Xheuzij, në veprën e tij “El-Meudu’at” (3/124) shënon: “Ky hadith është i shpikur”. Vendimin për të se është i shpikur e dhanë edhe Es-Sujuti në veprën “El-Leali” (2/56) dhe Esh-Sheukani në librin “El-Feuaidul-Mexhmu’a”, fq. 47-48. Ky i fundit përcolli njëzëshmërinë e hafizëve të hadithit rreth vendimit për shpikjen e tij.

Imam ibnul-Kajimi në veprën e tij “El-Menarul-Munif”, fq. 95, shkruan: “Të tilla janë edhe hadithet që flasin për Salatur-Regaib; të gjitha janë rrena të trilluara ndaj të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).”

Dijetarët e kundërshtuan këtë bidat dhe u shprehen haptas për kotësinë e tij dhe se ai është një gjë e shpikur në fe.

Neveviu tha: “Ai është një bidat i shëmtuar dhe tejet i keq, i cili përmban në vete shumë të këqija, andaj patjetër duhet të braktiset, të lihet anash dhe të kundërshtohet vepruesi i tij. Dhe s’bën të mashtrohemi me numrin e madh të atyre që e praktikojnë atë në shumë vende dhe as për faktin se ai përmendet në libra si “Kutul-Kulub” dhe “Ihjau Ulumid-Din” etj., ngaqë ai është një bidat i kotë.” (Shih Fetaua El-Imam En-Nevevij, fq. 62-63).

Hoxha i Islamit, ibën Tejmije tha: “Sa i përket Salatur-Regaib, ai nuk ka asnjë bazë; përkundrazi ai është prej gjërave të shpikura, andaj nuk pëlqehet falja e tij, qoftë me xhemat apo veçmas. Etheri, në të cilin përmendet ky namaz është rrenë dhe i shpikur, sipas mendimit unanim të dijetarëve. Dhe askush ndër selefët apo imamët e fesë, nuk e përmendi atë.” (Mexhm’ul-Fetaua, 26/132).

– Kremtimi i Israsë dhe Mi’raxhit në natën e njëzeteshtatë të muajit Rexheb. Prej formave të këtij kremtimi është falja gjatë kësaj nate dhe agjërimi gjatë ditës. Rreth vlerës së saj përcillet nga ibën Abbasi (radijAllahu anhuma) një ether i fabrikuar ndaj tij: “Kush fal dymbëdhjetë rekate gjatë natës së njëzeteshtatë të muajit Rexheb, duke lexuar në secilin prej tyre el-fatihan dhe një sure, më tej, pasi që ta përfundojë namazin e lexon, duke qenë ulur, shtatë herë suren el-fatiha, dhe pastaj thotë katër herë: “SubhanAllah, uel-hamdu lil-lahi, ue la ilahe il-lAllahu uAllahu ekberu, ue la haule ue la kuwwete il-la bil-lahil-Alijjil-Adhimi, dhe të nesërmen agjëron, këtij njeriu Allahu do t’ia shlyejë mëkatet gjashtëdhjetë vjet.” Ky ether është rrenë e trilluar ndaj ibën Abbasit.

Hafidh El-Irakij në “Hashijetu Ulumid-Din” shënon: “Hadithi që flet për namazin e natës së njëzeteshtatë të muajit Rexheb është munker. Po ashtu, për trillimin e këtij etheri ndaj ibën Abbasit, u shpreh edhe ibën Haxheri në “Tebjinul-axheb lima uerede fi fadli Rexheb”, fq, 46-47.

Dijetarët e kundërshtuan kremtimin e Israsë dhe Mi’raxhit, pavarësisht se a bëhet kjo në natën e njëzeteshtatë apo në ndonjë natë tjetër.

Ibën Tejmije tha: “Nuk njihet që ndonjëri prej myslimanëve t’i ketë dhënë vlerë natës së Israsë ndaj netëve të tjera, e veçanërisht ndaj natës së Kadrit. As sahabët dhe as tabi’inët (pasuesit) e tyre në të mira nuk e veçonin natën e Israsë me ndonjë gjë, bile as që e përmendnin atë. Për këtë arsye nuk dihet saktësisht se cila natë ishte ajo. Edhe pse Israja ishte prej vlerave më madhështore të Profetit (sal-lAllah alejhi ue sel-lem), prapëseprapë, nuk është bërë e ligjshme veçimi i asaj kohe apo i atij vendi me kryerjen e ndonjë adhurimi fetar.” (Këtë thënie të tij e përcjellë Ibnul Kajimi në Zadul-Me’ad, 1/58).

– Madhërimi i këtij muaji në formë të përgjithshme dhe veçimi i tij me ndonjë prej adhurimeve. Kjo konsiderohet të jetë prej bidateve të shpikura, siç u shprehën haptas për këtë dijetarët verifikues. Ibën Tejmije tha: “Madhërimi i muajit Rexheb është prej gjërave të shpikura, prej të cilave duhet të shmangemi. Bërja e muajit Rexheb si festë, duke e veçuar atë me agjërim, konsiderohej si gjë e urryer tek imam Ahmedi dhe të tjerët.” (Iktidaus-Siratil-Mustekim, 624-625).

Ebu Bekër Et-Tartushij në veprën “El- Hauadithu uel- Bide’u” (fq. 130), shkruan: “Ajo çfarë gjendet në mesin e njerëzve prej madhërimit të këtij muaji është prej mbetjeve të kohës së injorancës.”

Ndër gjërat për të cilat duhet të tërheqim vëmendjen është lutja gjatë muajit Rexheb, e cila përmendet në disa libra të përkujtimit me fjalët: “O Allah, na jep bekim gjatë muajve Rexheb e Sha’ban dhe mundësona ta arrijmë Ramazanin.” Kjo lutje është e shpikur dhe nuk është saktësuar nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), ndryshe nga ajo që mendojnë disa. Dijetarët këshillues kanë tërhequr vërejtjen për këtë, andaj le të kihet kujdes. (Për më shumë detaje referoju librit El-Baith ala inkaril-bide’i uel-hauadith, fq. 73).

Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) tha: “Unë, duke e qartësuar të vërtetën, u them juve se: “Muaji Rexheb s’ka namaz që e veçon atë në natën e xhumasë së parë të tij. Po ashtu ai nuk ka agjërim që e veçon atë në ditën e parë apo në ditët e tjera të tij. Por, sa i përket adhurimeve, ai është sikur muajt e tjerë të vitit, edhe pse është njëri ndër muajt e shenjtë. Prej haditheve të dobëta që flasin rreth tij është ai që përcillet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), se, kur hynte muaji Rexheb, ai thoshte: “O Allah, na jep bekim gjatë muajve Rexheb e Sha’ban dhe mundësona ta arrijmë Ramazanin.” Mirëpo ky hadith, dhe dëgjoni çfarë ju them, ky hadith është tejet i dobët dhe nuk është saktësuar nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Për këtë arsye, nuk duhet që njeriu të lutet me këtë lutje, ngase nuk është saktësuar nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Po ua theksoj këtë, sepse ky hadith gjendet në mesin e disa haditheve përkujtuese, mirëpo nuk është i vërtetë. O myslimanë, veprat e mira që përmenden në fjalët e vërteta të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na mjaftojnë nga ato vepra që përmenden nëpër hadithe të dobëta apo të shpikura e të rreme. E, kur njeriu ta adhurojë Allahun përmes gjërave që dihen saktësisht se janë prej fesë së Tij, atëherë ai e ka adhuruar Atë me dije të plotë, dhe shpreson në shpërblimin e Tij dhe frikohet nga ndëshkimi i Tij.”

Allahu e di më mirë. Salatet dhe selamet e Allahut qofshin për robin dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin.

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva