Namazi- sa më shumë që e plotësojmë…

 

Namazi është shtyllë e fesë sonë. Sa më shumë që e plotësojmë atë, aq më e fortë është feja e jonë. Dijetarët kanë thënë se njeriu ka hise në Islam aq sa ka hise në namaz. Kjo hise e jona në Islam shkon duke u rritur për aq sa ne e ruajmë sa më shumë namazin tonë, e plotësojmë e i kushtojmë kujdes. Prej gjërave më të rëndësishme në namaz është përulja, përqendrimi. Kjo gjë e plotëson namazin më së shumti. Allahu kur ka përmendur cilësitë e besimtarëve të shpëtuar të cilët do ta kenë si shpërblim xhenetin firdeus, cilësia e parë që e ka përmendur ka qenë “Kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namaz janë të përqendruar…” Nëse namazi përmirësohet atëherë të gjitha veprat tona e gjendja jonë do të përmirësohet; gjendja jonë në raport me Allahun dhe në raport me të tjerët, në raport me adhurimin tonë, mëkatet tona. Namazi është baza.

Kur thua Allahu ekber, të dish se Allahu është më i madh se dunjaja dhe të gjitha angazhimet tua, e jo të thuash Allahu ekber duke pasur mendjen te puna, biznesi, fëmija, gruaja etj. Në këtë mënyrë duhet të vazhdosh më tej faljen, me përulje, me përqendrim (e me vëmendje), duke kujtuar kuptimet e asaj që thua në namaz. Problemi sot se pse kemi më shumë mëkate sesa gjeneratat e para, është se në namaz nuk jemi të përqendruar sa duhet. Allahu na ka premtuar: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtua…”, Ankebut 45. Pse namazi jonë nuk po na ndalë nga këto vepra? Ngase nuk e falim siç duhet. Sikur të ishte njeriu i përqendruar gjatë faljes, atëherë ndjenja që kur të hyjë në namaz e di se është para Allahut e se Ai është duke e parë, kjo (ndjenjë, përjetim) do të ta përcjellë patjetër edhe jashtë namazit.

Ka njerëz që thonë se Allahu ka thënë në Kuran se namazi ndalon nga veprat e pahijshme, nga mëkatet, mirëpo nuk po e vërejmë këtë ndikim. Problemi nuk është te namazi, e as te Fjala e Allahut, ngase Ai e flet vetëm se të vërtetën, por problemi është tek ta; defekti është tek ne, se sa e falim namazin ashtu siç kërkohet ta falim. Andaj, namazi është shtyllë e fesë. Nëse kjo shtyllë është e dobët (te personi), atëherë edhe feja është e dobët.

Nëse për çdo namaz përpiqesh në luftimin e vetes dhe mundohesh ta përmirësosh faljen, atëherë dikur ambientohesh me këtë. Sa më shumë që e forcojmë atë dhe e plotësojmë, atëherë edhe feja jonë do të forcohet e plotësohet. Namazit duhet kushtuar shumë rëndësi, duhet ruajtur sikur sytë e ballit. Prej namazit njeriu vetëm fiton.

Gjëja e cila më së shumti ndihmon në përqendrim është falja e namazit të natës. Njashtu ky namaz sidomos ndihmon të jesh i sinqerta në vepra dhe në namazet gjatë ditës.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit