Ndaj kujt aplikohet ky parim?

Allahu thotë: “dhe njerëzve t’iu thoni fjalë të mira” Bekare 83.

Ndaj kujt aplikohet ky parim?

Në Kuran gjejmë raste të ndryshme që janë zbatim praktik i këtij parimi. Shembull:

─ Ndaj prindërve, “mos u thuaj fjalë të ashpra e të vrazhda, por drejtoju atyre me fjalë respekti (me të cilat i respekton, i çmon e ua di vlerën e pozitën që kanë)”. Isra 23. Muslimani është urdhëruar që prindërve t’iu flasë me fjalët më të mira të mundshme, me fjalë respekti.

─ Ndaj lypsarit, nevojtarit, që vjen të të kërkojë diçka, “lypësin mos e shty me ashpërsi (mos i fol fjalë të ashpra)” Duha 10. Disa dijetarë kanë thënë: “Ky ajet nuk ka të bëjë vetëm me të lypësin e varfër, por me çdo lypës që vjen të të kërkojë diçka, qoftë dhe nëse të kërkon dije (përgjigje për pyetjen e tij).” Edhe nëse nuk ke diçka t’i japësh, atëherë së paku foli fjalë të mira e të buta.

─ Ndaj injorantëve, “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!” Furkan 63. Ua kthejnë me fjalë të mira, të buta, në të cilat nuk ka mëkat. Ibn Xheriri rahimehullah në Tefsirin e tij duke sqaruar këtë ajet ka thënë: “Kur njerëzit injorantë u drejtohen atyre me fjalë që i urrejnë e nuk i pëlqejnë, ata ua kthejnë me fjalë të mira.” P.sh.: lutesh “Allahu të udhëzoftë!” etj. Kjo nuk do të thotë se këta persona janë të dobët në karakter, por qëllimi është se me këtë e lartësojnë vetveten, nuk bien në atë nivel të tyre, nga ana tjetër me këtë e ruajnë kohën duke mos u angazhuar me gjëra të padobishme, me këtë tregojnë (japin mesazh) se nuk kanë kohë të merret me këto gjëra ngase kanë gjëra të tjera shumë më të rëndësishme.

Ky parim nuk aplikohet siç duhet në mesin e muslimanëve, madje as në mesin e disave të cilët thërrasin drejt Allahut. Muslimani duhet të sillet butë me njerëzit kur i thërret në Islam në mënyrë që të përfitojë zemrat e njerëzve.

dhe njerëzve t’iu thoni fjalë të mira” formën se si ua paraqet, pra me butësi, me qetësi, pa e ngritur zërin, pa ashpërsi, pa vrazhdësi, pastaj dhe kuptimin e tyre (të jenë të mira).

Fjala e mirë përfshin shumë aspekte, si: kur pyet, kur përgjigjesh, kur diskuton, kur polemizon etj., të gjitha çështjet që përfshin i foluri jonë. Kur e kthen fjalën e keqe me fjalë të mirë, kjo ta ruan kohën. Kush e lufton dhe e stërmundon vetveten, që gjithmonë të flasë fjalë të mira, kjo pastaj do t’i bëhet shprehi dhe pjesë e personalitetit.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit