Në çfarë mënyre duhet t’i këshillojmë të tjerët?

Në çfarë mënyre duhet t’i këshillojmë të tjerët?

Në esencë, këshilla dhe thirrja në Islam duhet bërë me butësi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sa herë që ka hyrë butësia në ndonjë gjë, veçse e ka zbukuruar atë. Kurse, vrazhdësia e shëmton atë gjë. Ajo që arrihet me butësi nuk arrihet me vrazhdësi.” Andaj, ata të cilët këshillojnë dhe ndalojnë prej të këqijave, së pari duhet vetë të pajisen me dije. Ajo gjë të cilën e kundërshtojnë, duhet ta dinë se a është vërtetë e keqe apo jo, sepse ndodh ta kundërshtojnë një gjë (duke menduar se nuk është prej fesë) e që nuk është e keqe, apo se ka mendim tjetër të dijetarëve që e lejojnë atë gjë dhe kështu bien në gabim. Duhet pasur dije rreth:

-çështjes për të cilën i flet dikujt,

-për atë të cilit i drejtohesh (sa ka dije dhe sa është i gatshëm të pranojë këshillën tënde),

-dhe për vetën se si duhet sillesh me të tjerët.

Allahu i thotë të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” Ali Imran, 159. Fjala është për shokët e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, për njerëzit më të mirë. Ai ka qenë shumë i butë me sahabët, në sjellje, veprime e fjalë; në fjalët e tij ka pasur butësi dhe mëshirë. Kështu duhet të jetë edhe besimtari kur i këshillon të tjerët.

Allahu kur i drejtohet Musës dhe Harunit kur i dërgon të Faraoni, jobesimtari më i madh në histori, i cili i ka thënë vetes Zot, u thotë: “Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” Ta ha 43-44. Allahu i ka këshilluar që t’i flasin fjalë të buta atij. E si është çështja kur ti i drejtohesh një besimtari, i cili e ka vepruar një gabim apo lëshim?! Patjetër se besimtari është më parësor që ta këshillosh me fjalë të buta.

Sidomos sot, siç thonë dijetarët se është kohë e injorancës, njerëzit duhet të trajtohen butë në mënyrë që t’u mësohet një gjë nga feja, e nëse flet me ashpërsi, ata shumë shpejt largohen; është një kohë që ka nevojë për butësi edhe më të madhe.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit