Në vend që të brengosesh e mërzitesh, bëhu falënderues ndaj Allahut

www.moderationinstitute.com
Shkruar nga drejtuesja e këtij instituti (Institut për mësim përmendësh të Kuranit) drejtuar nxënëseve

Zoti ynë i Mirë e Bujar ka thënë në Kuran:
“Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia” [Surja Ibrahim (14):7]

Në vend që të mërzitesh ose pikëllohesh për ato që nuk i ke në këtë botë, përqendrohu në falënderimin e Allahut për të gjitha mirësitë dhe begatitë të cilat Ai t’i ka dhuruar, e Ai pastaj ka për t’i shtuar ato për të cilat ti po falënderohesh. Kështu, nëse ti e falënderon Atë për imanin që ta ka dhënë, Ai do të ta shtojë imanin; nëse ti e falënderon Atë për shëndetin që ta ka dhënë, në vend që të jesh i padurueshëm e të ankohesh, Ai ka për të shtuar shëndetin tënd të mirë; nëse ti e falënderon Atë për sasinë e dijes që ta ka dhënë, Ai do të ta shtojë dijen, e kështu me radhë. Pra, sa më shumë tregohesh falënderues ndaj Tij, aq më shumë do t’i shumëfishojë Ai mirësitë e Tij ndaj teje, madje do t’i zëvendësojë ato me diçka më të mirë.

Ne gjithashtu duhet ta falënderojmë Allahun për ato gjëra nga të cilat na ka ruajtur. Shembull i thjeshtë: bashkëshorti yt nuk ka mundësi të ta ofrojë ty një jetë të rehatshme (financiarisht), në vend që të jesh e pikëlluar për këtë çështje të dunjasë, falënderoje Allahun që të ka mbrojtur nga një burrë i cili do të shtypte e abuzonte, ose nga një burrë jo i drejtë i cili do të tërhiqte ty drejt zjarrit.

Shembull tjetër: je vonuar në një takim/termin, për shkak të trafikut të ngjeshur ose mbylljes së ndonjë rruge, në vend që të inatosesh e nervozohesh, falënderoje Allahun që të ka mbrojtur nga ajo që mund të kishte ndodhur; ndoshta të shkoje asaj rruge mund të të ndodhte një aksident.

Shembull tjetër: ke një infeksion në organizëm; falënderoje Allahun që e ke zbuluar herët, para se të bëhej një sëmundje e rëndë.

Shembull tjetër: ke një sëmundje të rëndë; në vend që të mërzitesh për këtë, falënderoje Allahun që ta ka hapur një derë për në Xhennet, duke të pastruar nga mëkatet që i ke bërë në këtë dunja.

Shembull tjetër: nuk mund të kesh fëmijë; falënderoje Allahun që të ka udhëzuar në iman, për shikimin e syve që ta ka dhënë, këmbët e forta me të cilat ecë, mendjen e shëndoshë të cilën e ke; dhe ku mund ta dish, ndoshta ky fëmijë do të ishte sprovë për ty, ose Allahu e ka ditur që ky fëmijë nuk do të ishte i bindur, dhe do të ta bënte jetën të mjerë, kështu Allahu nuk të ka dhënë fëmijë për të të mbrojtur. Mund të ketë arsye të shumta, saqë nuk mund t’i numërojmë, e Allahu është i Urti. Çdo gjë që Ai dëshiron për ne, ka urtësi në vete, mirëpo për shkak të mungesës së dijes dhe urtësisë sonë, nuk mund të kuptojmë çdo gjë.

Shembull tjetër: një gotë u thye në kuzhinë nga njëri prej fëmijëve; në vend që të nervozohesh, falënderoje Allahun që asgjë nuk i ndodhi fëmijës, dhe kujto të gjitha gotat tjera që kanë mbetur në dollap!

Këto janë shembuj të thjeshtë që hedhin dritë mbi kuptimin e këtij ajeti. Të mundohemi ta jetësojmë këtë ajet në jetën tonë të përditshme, dhe të shtojmë falënderimet tona ndaj Zotit për të gjitha që na i ka dhënë, i Cili është i Mirë, dhe është i vetmi që meriton të falënderohet.

Falënderimi ndaj Allahut jo vetëm që do të shtojë në të mira e gradë, gjithashtu do të ta mundësojë të jetosh një jetë të qetë.

Ibën ‘Ata ka thënë:
“Rrezikon t’i humbasësh mirësitë kur nuk e falënderon Atë për to, dhe ti i lidhë ato mirë rreth vetes nëse e bën këtë (falënderimin).”

Që do të thotë se ai i cili e falënderon Allahun për begatitë e Tij të panumërta, ti i lidhë ato begati rreth vetes, sepse duke mos qenë falënderues ndaj Allahut, ndodh që ato begati të merren nga ti, prej Tij.

Allahu thotë:
“…por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi im është i rëndë”. [Surja Ibrahim (14):7]

Falënderimi i Allahut nuk bëhet vetëm me gjuhë duke thënë ‘El-hamdulil-lah’ ose ‘Të falënderoj Allah’, por bëhet me vepra gjithashtu:

Allahu ka thënë:
“…O familje e Daudit! Veproni si falënderim (për Allahun) …” [Surja Sebe’ (34): 13]

Duke shtuar në vepra të mira, ti je duke e falënderuar Allahun. Për shembull, i luteshe Allahut për të dhënë diçka ose për ta larguar një sprovë, dhe gjatë asaj kohe shtoje në namaze, dua’ (lutje) dhe vepra të mira, e largoheshe nga mëkatet, megjithatë kur Ai t’i dha ato, ti u ndale.

Ajo që duhet të bësh në këso raste është të shtosh edhe më shumë në namaze, dua’ dhe në të gjitha veprat e tjera të mira, sepse duke e bërë këtë je duke u treguar falënderuese ndaj Allahut, përmes veprave. Gjithashtu, falënderimi i Allahut përmes veprave bëhet duke i shfrytëzuar mirësitë që Ai t’i ka dhënë, për të arritur kënaqësinë e Tij, për shembull:

-Allahu të dha më shumë pasuri; përdore atë pasuri për të gjetur kënaqësinë e Tij duke u ndihmuar nevojtarëve, duke i vënë në një bamirësi ose duke i përdorur ato për të kërkuar dije, që të afrohesh më shumë te Ai, e jo të kundërtën, t’i shpenzosh ato pa urtësi në çështje të panevojshme të kësaj bote.

I gjithë falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut; kur ne robërit e Tij nuk nxitohemi për te Ai me vepra të mira, dhe me falënderime, Ai na afron te Vetja, duke na vënë në sprova dhe duke hequr nga disa nga mirësitë, në mënyrë që ta marrim veten në pyetje/llogari dhe të kthehemi te Ai.

Allahu thotë:
…Ne i vumë në provë ata me mirësi dhe fatkeqësi, me qëllim që të ktheheshin (në rrugë të drejtë)…” [Surja el-A’raf (7):168]

Ne gjithashtu duhet të ruhemi nga bërja e mëkateve, të mëdha e të vogla, mëkate të trupit, zemrës e gjuhës, sepse mëkatet gjithashtu mund ta heqin mirësinë të cilën na e ka dhënë Allahu.

Allahu ka thënë:

“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë. Por, ai fal shumë.” [Surja esh-Shura (42):30]

Muhammed Ibën Sirini thoshte, atëherë kur borxhet i shtoheshin dhe pikëllohej:
“E di se shkaktari i këtij pikëllimi është një mëkat që e kam bërë para dyzet (40) vitesh.”

Kështu, e kemi mësuar sot, se prej sjelljes së robit me Zotin e tij është ta falënderojë Atë për mirësitë që ia ka dhënë, siç ka thënë i dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem):
“E çuditshme është çështja e besimtarit, me të vërtetë të gjitha çështjet janë mirë për të. Nëse diçka e mirë i zbret atij, ai falënderon (Allahun) dhe kjo është më mirë për të. Dhe nëse diçka e dëmshme e godet atë, ai është durimtar (sabir) dhe kjo është më e mirë për të. Dhe kjo është vetëm për besimtarin.”

Allahu na udhëzoftë të jemi prej robërve të Tij falënderues që e lavdërojnë e madhërojnë Atë në të gjitha kohët dhe situatat, Allahu mos i bëftë mëkatet tona shkak për humbjen e mirësive të Tij ndaj nesh, Allahu, i Gjithëmëshirshmi, na faltë mëkatet e të metat.

Allahu na dhëntë të kuptuarit e Kuranit dhe e bëftë atë kënaqësinë e zemrave tona dhe dritë kur ecim në errësirë.

Allahu ka thënë në Kuran:
“Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.” [Surja Ibrahim (14): 34]

Përkthyer nga gjuha angleze:
Kontrolloi: Lulzim Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva