Nëse dikush të pyet se sa hatme i bën në Ramazan apo a fal namaz nate, apo a agjëron etj..Nëse ne e praktikojmë ndonjërën nga këto a bën t’i tregojmë sepse kam frikë që po e humbas shpërblimin. Si të veprojmë në raste të këtilla?

Përgjigje: Në parim fshehja e veprave të mira është më e vlefshme. Kurse,shfaqja e tyre lejohet nëse këtë e kërkon ndonjë dobi fetare, por me kusht që njeriu të jetë i sigurtë prej rija-së (bërja e veprës për sytë e botës). Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në fjalët e Allahut: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.” (El Bekarah,271); ka argument se fshehja e sadakasë (lëmoshës) është më e vlefshme se dhënia e saj haptazi, sepse kjo është më larg rija-së. Përjashtim bën kur në dhënien e saj haptazi dobia është më e peshuar, siç është rasti kur të tjerët e ndjekin në këtë vepër. Pra, nga ky aspekt themi se është më vlefshme dhënia e saj haptazi. Kurse, i Dërguari,salallahu alejhi we selem, ka thënë: “Ai që e lexon Kuranin haptazi është si ai që jep sadakanë haptazi, ndërsa ai që e lexon Kuranin fshehurazi është si ai që jep sadakanë fshehurazi.” Në parim, fshehja(e veprave të mira) është më e vlefshme, duke u bazuar në këtë ajet…” (Tefsir Ibën Kethir, 1/701).

Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ai që tregon për veten e tij se cilat adhurime i ka kryer, e ka njërën prej dy gjendjeve:

Gjendja e parë: Shtytësi për këtë të jetë lavdërimi i vetes, apo me veprën e tij mburret (tregon favor) ndaj / për Zotit. Kjo është një çështje e rrezikshme që mund të rezultojë në zhvlerësimin dhe shkatërrimin e veprës. Allahu i Patëmeta ua ka ndaluar robërve të Vet që ta lavdërojnë veten e tyre. Ai thotë: “Prandaj, mos e lavdëroni veten tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet (që i frikësohen Allahut).” (En Nexhm, 32).

Gjendja e dytë: Shtytësi për këtë të jetë të folurit haptazi(shpallja) me dhuntitë e Allahut të Lartësuar. Që këtë shpallje (të dhuntive të Tij) ta bëjë rrugë të cilën e ndjekin të tjerët prej vllezërve dhe shokëve të tij. Ky qëllim është i lavdëruar, ngase Allahu, qoftë i Lartësuar, thotë: “dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd”(Ed Duha, 11). Kurse, i Dërguari, salallahu alejhi we selem, ka thënë:”Kushdo që e ngjallë një sunet të mirë në Islam, do ta ketë shpërblimin e veprimit me të dhe shpërblimin e çdokujt që punon me të deri në Ditën e Kiametit.” (Shih: Nurun aled-derb, 12/30).

Shejh Es Si’dij, Allahu e mëshiroftë, rreth ajetit lartpërmendur të sures Ed Duha, thotë: “Kjo i përshinë dhuntitë e kësaj bote (dunjasë)dhe ato të fesë. “Shpalli” domethënë: lavdëroje Allahun për / me to, si dhe veçoi ato me përmendje (tek tjerët) nëse në këtë ka dobi.Përndryshe (nëse nuk ka dobi të veçantë), atëherë përmendi dhuntitë e Allahut në mënyrë të përgjithshme. Sepse, shpallja e dhuntive të Allahut e nxit njeriun që ta falënderojë (të jetë mirënjohës ndaj)Allahun për to, si dhe e detyron zemrën që ta dojë Dhuruesin e tyre,ngase vërtetë zemrat janë të krjuara që ta duan atë që iu bënë mirë.”(Shih: Tefsri Es Si’dij, fq. 928).

Prej, asaj që u tha më lartë arrijmë në përfundim se: Shpallja e dhuntive të Allahut (si fetare ashtu edhe ato të dunjasë)është e preferuar dhe ligjshme nëse bëhet nga aspekti i atribuimit të tyre te Allahu, pranimi (me gjuhë dhe zemër) i mirësive të Tij ndaj robit, dhe se Ai është Bujari dhe Fisniku. Apo nëse bëhet që tjerët ta ndjekin në veprat e hajrit (mira), që ta arrijë shpërblimin e të vepruarit me to, si dhe shpërblimin e atyre që e ndjekin në këto vepra.Ndërsa, është e nënçmuar dhe e shëmtuar (si dhe e ndaluar) nëse bëhet nga aspekti i lavdërimit të vetes, apo atribuimit të tyre (dhuntive)te vetja e tij, apo e bën për rija (për sytë e botës) dhe sum’ah (për ta përmendur dhe lavdëruar të tjerët), apo për ta arritur ndonjë pozitë te tjerët apo vend në zemrat e tyre.

Këtu mbetet të sqarohet edhe një gjë me rëndësi, e që është se: Nëse njeriu i shpallë dhuntitë e Allahut sipas mënyrës së ligjshme (që u përmend më lartë), pastaj njerëzit fillojnë ta lavdërojnë për këtë gjë dhe kjo i pëlqen atij (por pa e përzier në zemrën e tij atë vepër me rija dhe sum’ah), atëherë kjo llogaritet përgëzim i përshpejtuar për besimtarin. Përgëzimi i përshpejtuar i besimtarit llogaritet kur ai bënë vepra të mira, përmes të cilave e shpreson shpërblimin e Allahut, mirëpo njerëzit tjerë arrinë t’i shohin ato, pa e pasur ky për qëllim bërjen e tyre haptazi, apo për sy të botës (rija-në).Kështu që, njerëzit fillojnë ta lavdërojnë dhe këtij i pëlqen kjo gjë.

Transmeton Muslimi (nr. 2642) prej Ebu Dherrit, radijallahu anhu, se një ditë dikush e pyeti të Dërguarin, salallahu alejhi we selem: A e ke parë një njeri që bënë veprat të mira pastaj njerëzit fillojnë ta lavdërojnë atë? Ai u përgjigj: “Ky është përgëzimi i përshpejtuar i besimtarit.”

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit