Nëse harroj të them Fatihanë në rekatin e tretë dhe të katërt kur falem me xhemat, apo e harroj ta them etehijatin, a përsëritet namazi?

Përgjigjje: Sa i përket harresës së thënies së Fatihasë, imami nuk ta mbulon gabimin. Fatiha është shtyllë e namazit. Andaj, nëse personi është falur në këtë mënyrë, duhet ta përsërisë atë. Mirëpo, duhet të jetë i sigurt se ka harruar ta thotë atë, e jo veç vesvese. Nëse veç pak ai ka vesvese në këtë, atëherë personi duhet të llogarisë se e ka thënë atë gjatë namazit, sepse cytjet e shejtanit nuk merren parasysh.

? Ndërsa sa i takon thënies së etehijatit, varet se a është fjala për etehijatin e uljes së parë apo të dytë. Nëse harrohet të thuhet etehijati në uljen e parë, nuk është e nevojshme të përsëritet namazi. E nëse harrohet të thuhet në uljen e dytë, atëherë namazi duhet të përsëritet sepse ajo është shtyllë e namazit sikurse Fatiha.

? Mirëpo, nëse para se të japësh selam të është kujtuar se nuk e ke thënë Fatihanë në njërin rekat (kjo siç thamë duke qenë i bindur), atëherë pret derisa jep imami selam. Pasi jep selam imami, ti nuk jep selam, por ngrihesh dhe e plotëson edhe një rekat. E nëse të kujtohet se nuk e ke thënë Fatihanë në dy rekatet, atëherë i vazhdon/plotëson edhe dy rekate pas selamit të imamit.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit