Një fillestar praktikues kë duhet ta marrë për shembull në pasim?

Një fillestar praktikues kë duhet ta marrë për shembull në pasim?

Feja të mos merret duke u bazuar në veprimet dhe gjestet e njerëzve. Feja ka ardhur prej Allahut dhe prej Atij duhet ta marrim. Njerëzit nuk e përfaqësojnë fenë. Askush prej tyre. Ai që i merr njerëzit si përfaqësues të fesë, do të zhgënjehet në momentin e parë që i sheh ata duke vepruar në kundërshtim me fenë. Dijetarët kanë thënë: “E vërteta nuk njihet përmes njerëzve. Por njerëzit njihen përmes së vërtetës.” Sa më shumë që njeriu i përmbahet së vërtetës, për të thuhet se ai është pasues i së vërtetës. Nuk bën që të vërtetën ta njohësh përmes dikujt nga njerëzit, ngase nëse ai devijon, edhe ti do të devijosh pas tij. Kur ti mendon se filani është i pagabueshëm dhe se e vërteta vjen vetëm përmes tij, atëherë kur ai gabon ose devijon, atëherë edhe ti do të devijosh pas tij. Andaj, nuk bën që njeriu të bazohet në veprimet e të tjerëve, por duhet ta marrë fenë ashtu siç ka ardhur në Kuran e sunet sipas të kuptuarit të selefit. Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Ai që do ta marrë dikë si shembull, le t’i marrë ata që kanë vdekur, e ata janë shokët e të Dërguarit e salAllahu alejhi ue selem, ngase i gjalli kurrë nuk është i sigurt prej fitnes (prej sprovimit në fenë e tij),  Andaj merri ata si shembull, e jo muslimanët e mëvonshëm, e aq më pak ata të sotshëm, ku ne shohim se shumë prej tyre- jo të gjithë, mirësia do të vazhdojë në këtë umet deri në Ditën e Kiametit, ka edhe sot myslimanë të mirë, që janë të rrugën e myslimanëve të parë-, për nga sjellja dhe morali janë në një nivel të ulët, jo afër me moralin që na mëson Kurani dhe suneti. Kuptohet, si njeri të pagabueshëm e kemi Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe atë duhet ta marrim shembull, e jo njerëzit. Fillestarëve praktikues të Islamit, duhet t’u shpjegohen këto gjëra, se njerëzit nuk e përfaqësojnë fenë, por secili e përfaqëson veten dhe moralin e vet. Allahu thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” Ahzab, 21. E pastaj, ata që e kanë përkthyer sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në praktikë janë shokët e tij. Aty ku ka njëzëshmëri tek ta, aty është e vërteta, kapu pas saj dhe je në rrugë të drejtë.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit