Një hadith përkujtues që ka të bëjë me shkaqet e shpëtimit në varr

 

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
“Kur i vdekuri vendoset në varr, e dëgjon zhurmën e këpucëve të atyre që e kanë varrosur kur ata largohen. Nëse ka qenë besimtar, namazi i qëndron tek koka, kurse agjërimi në të djathtë, zekati në të majtë, të gjitha veprat e tjera të mira që i ka bërë, si: lëmosha, namazi nafile, lidhja farefisnore, bamirësia e të tjera, i qëndrojnë tek këmbët. I vjen dënimi i varrit nga ana e kokës dhe namazi i thotë: “Nuk mund të depërtosh nga ime.” Pastaj i vjen nga ana e djathtë dhe agjërimi i thotë: “Nuk mund të depërtosh nga ana ime” Pastaj i vjen nga ana e majtë dhe zekati i thotë: “Nuk mund të depërtosh nga ana ime.” Pastaj i vjen dënimi nga ana e këmbëve, porse veprat e mira, lëmosha, lidhja farefisnore, bamirësia ndaj njerëzve, thonë: “Nuk mund të depërtosh nga ana jonë.” Atëherë i thuhet: “Ulu!” Ai ulet në varr dhe i paraqitet dielli sikur është duke perënduar. I thuhet: “Çfarë thua për njeriun që ka ardhur tek ju (Muhamedin salAllahu alejhi ue selem) dhe çfarë dëshmon për të?” Atëherë thotë: “Më lejoni të falem!” (Sheh diellin duke perënduar dhe i duket sikur po i ikë namazi i ikindisë). I thonë: “Ti do të falesh, mirëpo së pari na trego për çfarë po të pyesim.” Dhe ia përsërisin pyetjen. Ai thotë: “Ai është Muhamedi (salAllahu alejhi ue selem). Dëshmoj se ai është i Dërguar i Allahut dhe ai e ka sjellë të vërtetën prej Tij.” Engjëjt i thonë: “Me këtë (dëshmi) ke jetuar, në të ke vdekur dhe me të inshaaAllah do të ringjallesh.” Pastaj i hapet një derë prej Dyerve të Xhenetit dhe i thuhet “Ky do të jetë vendi yt në Xhenet dhe kjo është ajo që Allahu ka përgatitur për ty (në varr)”. Atij i shtohet lumturia e gëzimi (kur e sheh atë). Pastaj i hapet një derë prej Dyerve të xhehenemit dhe i thuhet “Ky do të ishte vendi yt në Xhehenem dhe ajo që Allahu ka përgatitur për ty nëse nuk do t’i bindeshe Allahut”. Kjo ia shton gëzimin e lumturinë (që e ka ruajtur Allahu prej dënimit të zjarrit). Pastaj i zgjerohet varri 70 kut dhe i ndriçohet. I kthehet trupi siç ka qenë (shtrirë). Pastaj shpirti i tij vendoset në një prej shpendëve të bukur të xhenetit, dhe ai është një zog që ha prej pemëve të xhenetit. Ky është kuptimi i Fjalëve të Allahut: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” Surja Ibrajim 27.” Në Musned dhe Sahih ibn Hatim.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit