Njeriu nuk u krijua të qëndrojë përgjithmonë në këtë jetë

Shumë prej njerëzve, sikur të hulumtonin në zemrat e tyre, do gjenin se ato janë të mbushura me dashuri ndaj dunjasë. Ka të cilët vijnë në xhami dhe falen, e adhurojnë Allahun, por që zemrat e tyre janë të lidhur pas çështjeve të kësaj bote, mendja e tyre gjatë namazit është tek tregtia, biznesi, apo puna që do ta bëjnë pas namazit. Pa dyshim se kjo dashuri është prej llojeve të adhurimit në realitet. Dashuria është adhurim, është pjesë e adhurimit ndaj Allahut. Sikur njeriu ta merrte vetveten në llogari se pse është krijuar, pse ka ardhur në këtë botë, pse Allahu e solli në ekzistencë nga mos ekzistenca, sheh se Ai e ka krijuar për ta adhuruar Atë të Vetëm. Njeriu nuk u krijua të qëndrojë përgjithmonë në këtë jetë. Ai u krijua për botën tjetër, për jetën e përtejme (ahiretin), që është banesa e përhershme, tek e cila përfundon udhëtimi i tij. Kjo dunja është vetëm rrugë e urë që dërgon në jetën tjetër. Andaj e ka për obligim të punojë për jetën tjetër (ahiretin). Përderisa aty do të jetë përfundimi i tij, e ka për obligim të punojë e veprojë vazhdimisht që përfundimi i tij të jetë i mirë, e të mos jetë si i atyre që mbesin përgjithmonë në xhehenem. Njeriu gjithmonë duhet ta pyesë veten “çfarë kam bërë, çfarë kam punuar, çfarë fitova prej ditëve që i jetova deri më sot?” Ditët ikin gjithherë, e ne nuk e dimë a jemi afruar tek Allahu më shumë apo e kemi shtuar largimin prej Tij. Rreth këtyre gjërave njeriu duhet ta marrë veten në llogari vazhdimisht. Patjetër se do ta ketë një qëllim që duhet ta arrijë. Dhe duhet çdoherë ta pyesë veten se cili është synimi (qëllimi) i tij në jetën e kësaj bote dhe në adhurimin që bën, se a ka qëllim ta arrijë kënaqësinë e Allahut apo tjetër gjë. Kur vjen fjala për dijen, duhet ta pyesim veten a jemi duke e kërkuar që të afrohemi tek Allahu, që ta mësojmë (dëlirim) veten tonë dhe të tjerët. Kjo del në pah kur pasi ne e mësojmë një çështje, shohim se a e praktikojmë atë apo e harrojmë pasi e dëgjojmë, gjithashtu se a ua mësojmë të tjerëve atë. Jeta jonë kërkon, në përgjithësi, marrja në llogari të vetvetes, sidomos në kërkimin e dijes, sepse kjo gjë (kërkimi i dijes) është përgjegjësi e madhe para Allahut, nuk është gjë e lehtë. Njeriu, edhe më shumë duhet ta marrë veten në llogari sa i përket kërkimit të dijes, sesa që e merr në llogari veten për zekatin që e nxjerrë nga pasuria e tij, apo se nga e fiton pasurinë e tij etj. Prandaj, çdokush që ka dije apo që e kërkon atë, duhet të jetë vazhdimisht aktiv, ta shpërndajë atë në mesin e të tjerëve, t’ua mësojë atë, t’i këshillojë etj. Përndryshe ka devijuar nga rruga dhe feja e Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset Kitabu teuhid.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit