Obligimet e gruas – 2 – Mirësia ndaj burrit

2. MIRËSIA NDAJ BURRIT

Pjesë e përmbushjes së të drejtës së burrit nga ana e gruas është trajtimi i tij në mënyrë të mirë dhe të ndershme, si dhe evitimi i lëndimit të tij.

Të tregohet mirënjohëse
Siç e kemi diskutuar më parë, burri zakonisht është i privilegjuar ndaj gruas së tij në shumë aspekte. Këto privilegje nuk janë të limituara në atë financiar, i cili edhe pse është zakonisht i vërtetë, nuk është gjithmonë ashtu. Gruaja duhet të jetë mirënjohëse ndaj burrit të saj, dhe duhet t’ia kthejë këto të mira atij në formë mirësie dhe trajtimi të mirë.

Shembull i mirë është Hadixheja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila ishte më e pasur se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Përparësia e saj financiare nuk e bëri atë arrogante apo mosmirënjohëse ndaj burrit të saj. Përkundrazi, ajo është shembull i mirë i modestisë dhe mirësisë, të cilën i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi ta kujtonte gjithë jetën.

Gruaja e cila nuk është e gatshme të pranojë privilegjet e burrit të saj nuk e kënaq Allahun (subhanehu ue teala), para se të mos e kënaqë burrin e saj. Abdullah Ibën Amër Allahu qoftë i kënaqur prej tij ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Allahu nuk e shikon (me mëshirë) gruan e cila nuk është mirënjohëse ndaj burrit të saj, duke qenë se ajo nuk mund t’ia dal pa të”.

Transmetuar nga En-Nesai (në El Kubra) dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Es-Sahihah, nr. 289).

Esma bint Zejd, Allahu qoftë e kënaqur prej saj, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kaloi nga shtëpia e saj teksa ajo ishte me disa vajza të tjera të reja të moshës së saj. Ai iu drejtua atyre duke u thënë:

“Evitojeni mosmirënjohjen ndaj atyre që janë të privilegjuar.”

Ato e pyetën: “O Pejgamber i Allahut! Çfarë është mosmirënjohja ndaj atyrë që janë të privilegjuar?” Ai u tha: “Ndonjë nga ju do të qëndrojë me prindërit e saj për kohë të gjatë (para martesës). Pastaj Allahu do t’i japë asaj burrë të drejtë, dhe do t’i japë asaj fëmijë nga ai. Pastaj, ajo do të inatoset për ndonjë arsye dhe do të bëhet mosmirënjohëse, duke i thënë atij:

“Kurrë nuk kam pasur ndonjë të mirë nga ti. Trasmetuar nga el-Buhariu (në Edeb el Mufrad), Ahmedi, dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Es-Sahihah nr.823).

Abdullah ibën Umeri, Ebu Hurejra dhe Ebu Seid el Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue selem) u ka thënë grave:

“O gra! Jepni sadaka dhe kërkoni shumë falje nga Allahu, sepse kam parë nga ju (gratë) të jeni shumica nga njerëzit e zjarrit. (Kjo ndodh sepse) ju shpesh mallkoni dhe jeni mosmirënjohëse ndaj burrave tuaj. Nuk kam parë nga të mangëtat në intelekt dhe fe që ia marrin mendtë burrit të arsyeshëm, më shumë se ju! Për sa i përket intelektit të mangët është se dëshmia e dy grave është e barabartë me atë të një burri. Dhe sa i përket fesë së mangët është se ajo rrin disa ditë pa namaz, dhe e prish agjërimin gjatë Ramazanit”. Trasmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

“Të metat” mentale dhe fetare të gruas
Është me rëndësi të ceken gjërat në vijim përsa i përket hadithit të mësipërm:

1. I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ka përshkruar gratë si të mangëta mentalisht krahasuar me burrat. Mirëpo, kjo nuk duhet të nxirret nga konteksti. E meta e saj nxirret nga fakti se Allahu (subhanehu ue teala) kërkon dy gra dëshmitare në vend të një mashkulli, në mënyrë që njëra nga ato t’i kujtojë tjetrës në rast se ajo harron (për më shumë shiko suren El Bekare, ajeti 282). Kjo ‘harresë’ zakonisht shkaktohet nga ndjeshmëria më e madhe që ka gruaja krahasuar me burrin, dhe angazhimi i saj më i madh në punët shtëpiake e më i vogël në çështjet e jashtme. Andaj, thënia e të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) është shprehje e dallimeve të qarta mes natyrës femërore dhe mashkullore. Ajo thekson se edhe nëse ajo konsiderohet më ‘emocionale’ dhe më pak ‘intelektuale’ dhe ai konsiderohet më jo-emocional dhe më ‘intelektual’, ajo megjithatë mund ta tejkalojë atë në fushën e tij!

2. Njejtë, përshkrimi i gruas si e mangët në fenë e saj sqarohet me faktin se ajo nuk falet dhe nuk agjëron në kohën e mesntruacioneve. Andaj sërish duhet cekur se, edhe pse burri supozohet të jetë në pozitë më të fortë të të qenurit fetar për shkak se falet dhe agjëron më shumë, gruaja megjithatë
mund t’ia kalojë atij!

Mirësia ndaj burrit është vepër adhurimi
Trajtimi që gruaja i bën burrit mund të jeta rruga e saj për në Xhennet (ose në Zjarr). Hussejn ibën Mihsan, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se halla e tij e vizitoi të Dërguarin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Ai e pyeti atë:

“O grua, a ke burrë?”.
Ajo u përgjigj:
“Po.”
Ai e pyeti:
“Si e trajton atë?”.
Ajo u përgjigj:
“Aq sa mundem, nuk e refuzoj ndonjë kërkesë të tij.”
Ai tha:
“Atëherë shiko se çfarë është pozita jote me të, sepse ai është Xhenneti ose Zjarri yt”. Transmetuar nga Ahmedi, Hakimi dhe të tjerë. U verifikua si hasen nga Albani (Sahihul Xhami nr. 1509)

Gratë më të mira
Ndër gratë më të mira është ajo e cila është e mirë dhe e sjellshme ndaj burrit të saj. Ebu Udhejneh Es-Sadefij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Gratë më të mira janë ato që lindin shumë fëmijë, janë të dashura (ndaj burave të tyre), mbështetëse, dhe tolerante, nëse kanë takva (drojë) Allahun. Ndërsa gratë më të këqija janë ato që shfaqin bukuritë e tyre dhe që ecin me kapardisje. Ato janë hipokrite dhe nuk do të hyjë në Xhennet prej tyre veçse rrallë ndonjë, aq sa ka korba me sqep dhe këmbë të kuqe”. Transmetuar nga Bejhekiu (në Es-Sunen) the të tjerë. I verifikuar si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr 3330 dhe es-Sahihah nr. 1849). Pjesa e fundit e tij “korba ea’sam” (me sqep dhe këmbë të kuqe) po ashtu është transmetuar nga Ahmedi dhe të tjerë prej Amër Ibën Asit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe është verifikuar si i saktë nga Albani (Es-Sahihah nr. 1850).

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“A t’ju tregoj për burrat që do të jenë në Xhennet? Pejgamberët do të jenë në Xhennet, siddikunët (të vërtetët) do të jenë në Xhennet, shehidët (dëshmorët) do të jenë në Xhennet, fëmiu (që vdes para pubertetit) do të jetë në Xhennet dhe burri i cili viziton vëllaun e tij në një vend të largët, duke e bërë këtë vizitë vetëm për hir të Allahut (subhanehu ue teala).

Për sa i përket gruas që do të jetë në Xhennet, është ajo gruaja e cila është e dashur me burrin e saj, i lind shumë fëmijë dhe që tregon vëmendje ndaj tij; dhe kur ai nervozohet, ajo shkon te ai, e vë dorën e saj mbi dorën e tij, dhe i thotë:

“Nuk do të fle deri sa ti të jesh i gëzuar”. Transmetuar nga Temmam er-Razi, Ibën Asakir, dhe të tjerë. I verifikuar si hasen nga Albani (es-Sahihah nr. 287).

Ndalimi i lëndimit të burrit
Gruaja e cila e lëndon burrin e saj, merr mallkime nga gratë e Xhennetit. Ky fakt tregon se Allahu nuk është i kënaqur me të. Muadh Ibën Xhebel, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kur gruaja e lëndon (shpirtërisht) burrin e saj (të drejtë) në çështje të dunjasë, gruaja e tij (e ardhme) nga hyrijat e Xhennetit thotë:

‘Mos e lëndo atë, Allahu të vraftë, ai është vetëm përkohësisht me ty, dhe së shpejti do të vijë te ne”. Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr 7192 dhe es-Sahihah nr. 173).

 

Kjo temë është shkëputur nga libri: “Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes
bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit