Obligimet e gruas – 3 – Bindja ndaj burrit


Bindja ndaj burrit vërtet që është obligim për gruan myslimane, është vepër adhurimi të cilën gruaja e bën për hir të Allahut dhe për ta arritur kënaqësinë e Tij. Kemi parë shumë tekste të cilat e mësojnë gruan t’i bindet burrit dhe të bashkëpunojë me të për të mbajtur familjen. Kemi edhe shkrime të tjera të cilat janë edhe më të qarta në këtë drejtim:

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Kur gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron muajin (e Ramazanit), e ruan moralin e saj, dhe i bindet burrit, asaj do t’i thuhet (në Ditën e Gjykimit), “Hy në Xhennet nga cilado nga (tetë) dyert e tij.” Transmetuar nga Ibën Hibbani. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami’ nr. 660 dhe Adabu ez-Zefaf fq. 286).

Njëjtë, Enesi, Abdurrahman Ez-Zuhriu dhe të tjerë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron muajin (e Ramazanit), ruan moralin e saj, dhe i bindet burrit të saj, ajo do të hyjë në Xhennet”. Transmetuar nga Bezzari, Ahmedi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami’ nr. 661 dhe Adabu Ez-Zefaf fq. 286)

Në anën tjetër, mosbindja ndaj burrit është mëkat i madh, i cili mund të shkaktojë mospranimin e namazit te Allahu. Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Janë dy njerëz, namazi i të cilëve nuk ngrihet sipër kokave të tyre: një rob i cili ikë nga kujdestari i tij – deri sa të kthehet te ai, dhe një grua e cila nuk i bindet burrit të saj – derisa të kthehet (në bindje ndaj tij)”. Transmetuar nga el-Hakimi dhe Et-Teberani. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami’ nr. 136 dhe Es-Sahihah nr. 288).

Shërbimi ndaj burrit

Pjesë e bindjes së gruas ndaj burrit është shërbimi ndaj tij sipas mundësive të saj më të mëdha. Kjo përfshinë kryerjen e punëve të përditshme, shërbimin e ushqimit etj. Sërish e citojmë hadithin e transmetuar nga Muadh Ibën Xhebeli Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në të cilin i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:

“Sikur gruaja ta dinte të drejtën e madhe që ka burri ndaj saj, ajo nuk do të ulej gjatë kohës kur burri e han darkën e tij, derisa ai të përfundojë së ngrëni”. Transmetuar nga Teberani dhe el-Bezzari. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami’ nr. 5259).

Asnjë grua nuk është e përjashtuar nga ky obligim, përveç rastit kur burri pëlqen ta pushojë atë. Madje, edhe një grua shumë fisnike, siç ishte e bija e të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e shihte veten të obliguar me këtë.

Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se gruaja e tij Fatima, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, shkoi te i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) për t’u ankuar për shenjat që mulliri i gurtë linte në dorën e saj. Ajo nuk e gjeti atë aty por i la një porosi përmes Aishes, Allahu qoftë e kënaqur prej saj, duke kërkuar prej tij t’i jepte një shërbëtore nga robëreshat të cilat i kishte marrë ai kohëve të fundit. Kur Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, i tregoi atij për nevojën e vajzës së tij, ai shkoi në shtëpinë e saj, hyri dhe e gjeti atë dhe Aliun të shtrirë, gati për të rënë në gjumë. Fatima filloi të ngrihej, por i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) i tha asaj të qëndronte në shtrat. Ai u ul mes tyre dhe tha:

“A t’iu drejtoj drejt diçkaje që është më e mirë se ajo që ke kërkuar? Kur të shkosh për të fjetur thuaj SubhanAllah (Allahu është i pastër nga çdo e metë) tridhjetë e tre herë, Elhamdulil-lah (Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut) tridhjetë e tre herë, dhe Allahu ekber (Allahu është më i Madhi) tridhjetë e tre herë. Me të vërtetë kjo është më e mirë për ty se një shërbëtore”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Ibën Kajjimi shënon:

“Shërbimi i gruas ndaj burrit të saj është një çështje për të cilën nuk ka dyshime. Nuk është në rregull të bëhen dallime në këtë gjë ndërmjet një gruaja të një klase të lartë dhe asaj të një klase të ultë, ose ndërmjet një gruaje të varfër dhe një të pasure. Gruaja më fisnike nga të gjitha gratë (Fatima) i shërbente burrit të saj. Ajo shkoi për t’u ankuar te babai i saj (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) për vështirësitë që ajo po haste në këtë gjë, por ai nuk ia plotësoi dëshirën”. (Zadul Mead 5:160).

Udhëzime për bindje

Janë disa parime të rëndësishme të cilat duhet theksuar për sa i përket çështjes së bindjes. Këto në vijim janë cekur edhe më parë por po i përmendim si referencë:

1. Duke iu bindur burrit, gruaja i bindet Allahut (subhanehu ue teala) sepse Ai e kërkoi këtë nga ajo.
2. Gruaja duhet t’i bindet burrit aq sa kjo bindje është brenda mundësisë/kapacitetit të saj.
3. Nuk duhet t’i bindet burrit në çështje të cilat përbëjnë mëkat ndaj Allahut të lartësuar.

Kjo temë është shkëputur nga libri:

“Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze.

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit