Obligimet e gruas – 4 – Veprimi i gjërave që e kënaqin burrin

Si pjesë e mirësisë së saj ndaj burrit, gruaja duhet të bëjë sa më shumë që ta kënaq atë – duke u siguruar se ajo që po bën nuk e hidhëron Allahun (subhanehu ue teala).

Arritja e kënaqësisë së tij me dukjen e saj
Gruaja e mirë përpiqet ta kënaq burrin e saj me dukjen e saj. Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Gruaja më e mirë është ajo që e kënaq atë (burrin e saj) kur ai e shikon, i bindet atij kur ai e urdhëron, dhe në veten ose paratë e saj nuk e kundërshton atë që ai e do”. Transmetuar nga Ahmedi, en-Nesai dhe Hakimi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3298 dhe Sahihah nr. 1838).

Në mënyrë të ngjashme, Abdullah bin Selami Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) është pyetur:

“Cilat janë gratë më të mira?”.

Ai u përgjigj:

“Më e mira nga gratë është ajo që të kënaq kur e sheh atë, të bindet kur e urdhëron atë, dhe që të ruan ty në mungesën tënde për sa i përket vetes së saj dhe pasurisë tënde”. Transmetuar nga Taberaniu (në El Kebir) dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3299 dhe Sahihah nr. 1838).

Është me rëndësi të theksohet këtu se ‘të kënaqurit’ e burrit duhet të bëhet në përputhje me Islamin, që do të thotë se ajo nuk duhet të duket apo të veprojë në mënyrë të tillë që nuk e kënaq Allahun. Mënyra më e mirë e të ‘kënaqurit’ arrihet duke qenë shembull si grua myslimane praktikuese e fesë: hixhabi i saj, modestia dhe ndershmëria. Të gjitha këto do të sjellin gëzim të madh dhe kënaqësi në shpirtin dhe zemrën e besimtarit të vërtetë.

Të pranuarit e njerëzve vetëm me lejen e tij

Gruaja nuk duhet ta lejojë askë të hyjë në shtëpinë e burrit të saj pa pëlqimin e tij. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Në prezencën e burrit, gruas nuk i lejohet të agjërojë pa lejen e tij, përveç muajin e Ramazanit. Po ashtu nuk e fut në shtëpinë e tij askënd pa lejen e tij”. Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.

Miratimi i burrit mund të jetë i nënkuptueshëm.

Për shembull, nëse një grua është e sigurt se burri i saj nuk e kundërshton ardhjen e grave fqinje për vizitë, atëherë ajo nuk e ka për detyrë ta pyesë atë për leje të veçantë sa herë që ndonjë nga ato i vjen në vizitë.

Evitimi i kërkimit të divorcit pa arsye

Një grua e ndershme nuk do të kërkonte divorc nga burri i saj pa pasur arsye të mirë. Vetëm nëse ajo e vëren se ai po i shkakton dëm serioz në besimin e saj ose në mirëqenien e saj, arsyetohet kërkimi i divorcit nga ajo. I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka paralajmëruar se gratë që
kërkojnë divorc pa arsye do të dënohen, dhe mund të mos hyjnë në Xhennet. Theubani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Çdo grua që kërkon divorc nga burri i saj pa arsye (serioze), aroma e Xhennetit do të jetë e ndaluar për të”. Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. Uverifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 2706 dhe Iruaul Galil nr. 2035)

Kërkimi i divorcit (pa arsye) nga burri është shenjë e mosmirënjohjes dhe nënvlerësim i autoritetit dhe mundit të tij. Është goditje në fytyrën e tij, e cila nuk është e lejuar në Islam pa një arsye të vlefshme.

Këshilla e një nëne drejtuar vajzës së saj

Më poshtë kemi një këshillë nga një nënë e periudhës së xhahilijjetit (paraislame) drejtuar vajzës së saj në ditën e saj të martesës. Kjo këshillë pasqyron një përvojë fisnike dhe të pjekur, ku me pak fjalë, i përshkruan asaj veprat më të rëndësishme që një grua duhet t’i marrë në konsideratë, në mënyrë që ta kënaq burrin e saj.

Ummu Ajas, Bint Auf ibën Muslim Esh-Shejbanijen e martuan për Amër bin Hixhrin, i cili ishte mbret i fisit Kinda në Jemen. Në prag të martesës së saj, nëna e saj Umame bint El Harith e mori mënjanë dhe i tha:

“O bija ime! Sikur këshillat t’u ndërpriteshin atyre që janë të moralshëm dhe të sjellshëm, atëherë nuk do të kishe nevojë për këshillë. Mirëpo, këshilla i përkujton ata që kanë harruar dhe i udhëzon të mençurit. Nëse gruaja heq dorë nga martesa për shkak të pasurisë së prindërve të saj, ose për shkak të dhembshurisë e dashurisë së tyre ndaj saj, atëherë nuk do të kishe nevojë për martesë fare. Andaj, gratë janë bërë për burrat, dhe burrat janë bërë për to.

O bija ime! Tash do ta lësh mjedisin në të cilën ke jetuar dhe folenë ku je rritur, për të shkuar në një vendbanim dhe te një shok i panjohur. Për shkak të përkujdesit të burrit tënd ndaj teje, ai tani është mbikëqyrësi dhe udhëheqësi yt. Andaj bëhu shërbyese e tij dhe, pa dyshim, edhe ai do të jetë shërbyesi yt. Bëhu toka e tij (në bindje e nënshtrim), ai do të jetë qielli yt (në mbrojtje). Ruaji për të këto dhjetë cilësi, dhe ato do të jenë thesar për ty:

1. Dorëzoju atij duke treguar kënaqësi (ndaj asaj që ai të jep).
2. Dëgjoje atë dhe bindju në mënyrën më të mirë.
3. Kujdesu për atë që e shikojnë sytë e tij, që të mos shohin diçka të shëmtuar te ti.
4. Kujdesu për atë që nuhat hunda e tij, që të mos ndjejë nga ti përveç aromës më të mirë.
5. Respekto orarin e shujtave të ushqimit të tij, sepse uria është shkaktar i zemërimit.
6. Respekto orarin e gjumit të tij, sepse pagjumësia e bën të bezdisshëm dhe e mërzit atë.
7. Ruaje pasurinë e tij duke mos e keqpërdorur atë.
8. Kujdesu për fëmijët dhe shërbyesit e tij duke përdorur plane të mira.
9. Mos refuzo ndonjë nga urdhërat e tij, sepse nëse e bën këtë, do ta fyesh atë.
10. Mos zbulo ndonjë nga sekretet e tij, sepse nëse e bën këtë, nuk do të jesh i sigurt nga hakmarrja e tij.

Për më shumë, mos shpreh gëzim kur ai është i brengosur, e as pikëllim kur ai është i gëzuar, sepse kjo do të ngjall urrejtje. Dhe kujto bija ime, se sa më shumë që e kënaq atë, aq më shumë do të jesh e nderuar prej tij. Dhe kujto se nuk do të kesh atë që ti dëshiron nga ai pa i dhënë përparësi dëshirave të tij para dëshirave të tua”. Transmetuar nga Asbahani në “El Egani” (pjesërisht e përfshirë në Tuhfatul Arus, fq. 91-92).

 

Kjo temë është shkëputur nga libri:

“Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva