Paralajmërimi për lëndimet ndaj muslimanëve

Paralajmërimi për lëndimet ndaj muslimanëve

 

Në një hadith të transmetuar nga Buhariu (dhe të tjerë) tregohet për dy gra, e njëra falte namaz vullnetar shumë, bënte agjërim vullnetar dhe jepte lëmoshë shumë, por që do të jetë prej banorëve të xhehenemit, ndërsa tjetra falte më pak namaz vullnetar, bënte më pak agjërim vullnetar dhe jepte pak lëmoshë, por që do të jetë prej banorëve të xhenetit. Transmetohet se i janë drejtuar Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem me fjalët: “O i Dërguar i Allahut, është një grua e cila fal shumë namaz nate, agjëron gjatë ditës, bën vepra të mira dhe jep lëmoshë shumë, porse ka një të metë, i lëndon dhe ofendon me gjuhën e saj komshinjtë e saj.” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka mirësi në të! Ajo është prej banorëve të zjarrit.” -“Kurse është një grua tjetër e cila kryen namazet e obligueshme dhe jep lëmoshë me diçka pak prej pasurisë së saj, porse ajo nuk i lëndon dhe ofendon komshinjtë e saj.”“Ajo është prej banorëve të xhenetit!”

 

Në këtë ngjarje kemi një mësim të madh dhe këshillë të fuqishme, që e detyrojnë çdo musliman e muslimane që të ndërgjegjësohen e të mos mashtrohen me namazin e shumtë që e falin (vullnrtar), me agjërimin (vullnetar) që bëjnë dhe me adhurimet e tjera të llojllojshme që kryejnë, ngase nëse janë ofendues e lëndues ndaj të tjerëve ato vepra ka mundësi t’i shkojnë tjetër kujt (t’i hyjnë në peshoren e veprave të mira në Ditën e Gjykimit). Kush vepron kështu, që zgjatë gjuhën e tij, armiqëson e sulmon të tjerët me gjuhë duke i lënduar, ofenduar, i përgojuar, duke bartë fjalë, duke i mashtruar, tradhtuar, apo duke i sulmuar e lënduar fizikisht, apo duke i sulmuar në pasurinë e tyre duke i grabitur, vjedhur, përvetësuar etj., atëherë le të dijë se mbi veten e tij ka ngarkuar një mëkat të madh, edhe nëse është prej atyre që kryen adhurime dhe vepra të shumta të mira. Allahu thotë: “Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” Ahzab 58. Fudajl ibn Ijad kur shpjegon këtë ajet thotë: “Përderisa nuk është e lejuar për muslimanin që të lëndojë një qen, po si është puna nëse lëndon besimtarët e besimtaret?!” Pra mëkati është shumë më i madh.

Muslimani duhet të ketë kujdes e të ruhet që mos t’i lëndojë dhe ofendojë vëllezërit e tjerë muslimanë, të mos e drejtojë kah ta çfarëdo lloj ofendimi apo lëndimi. Ai që vepron të kundërtën, le të dijë se kjo është shenjë për besimin e tij të dobët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “O ju që keni besuar me gjuhët tuaja (që thoni se jemi muslimanë) por që ende besimi (i plotë) nuk ka depërtuar në zemrat tuaja…”, ky është rasti i atyre që nuk kanë besim të plotë, pra që kanë mëkate, “…mos i lëndoni muslimanët dhe mos i qortoni për mëkatet e bëra në të kaluarën dhe mos hulumtoni për të metat e tyre (që i dini apo i dini)..”, këtu është fjala për ata që kanë besimin e plotë, të devotshmit, “…ngase ai që hulumton të metat e vëllait musliman, Allahu hulumton të metat e tij, e kujt Allahu ia hulumton të metat, e demaskon dhe ia përhap edhe nëse është brenda katër mureve (të shtëpisë apo dhomës së tij).”

 

Kush i lëndon apo i ofendon muslimanët le të dijë se veprat dhe adhurimet që krye, zhvendosen (shkojnë) në peshoren e veprave të mira të atyre që i ka lënduar e ofenduar. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “I falimentuar ai është që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz të shumtë (vullnetar), agjërim, zekat, lëmoshë, por që njërin e ka fyer, tjetrin e ka akuzuar, tjetrit ia ka marr pasurinë, tjetrin e ka vrarë, tjetrin e ka goditur etj. Merren shpërblimet e veprat e tij të mira dhe u shpërndahen këtyre (secilit), e nëse nuk mbeten më vepra të mira (për t’iu marrë) para se t’u kthehen të drejtat atyre, atëherë merren mëkatet e tyre dhe hidhen mbi të derisa të barazohet me ta. Atij që i hedhen mëkatet e tjerëve hidhet në zjarr (ngase do të ngarkohet me mëkate të shumta).” Për këtë dhe siç përmendëm në fillim, ajo gruaja do të jetë prej banorëve të zjarrit. Me ofendimin e lëndimin ndaj të tjerëve qoftë me gjuhë apo vepra, ua dhuron të tjerëve shpërblimet e veprave të tua të mira në Ditën e Gjykimit e ata do t’i marrin të gatshme.

 

Muslimani të mos mahnitet me pamjen e jashtme të dikujt dhe me veprat e tij të shumta që bën, ndërkohë që njihet se i lëndon të tjerët, u bën padrejtësi, i armiqëson etj. Kjo ngase siç kuptuam më lartë, ato (shpërblimet e veprave të mira) do t’u dhurohen të tjerëve.

 

Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Mos t’ju habisin apo pëlqejnë fjalët e mira e të bukura që flet ndokush mes njerëzve. Porse, ai që e çon në vend amanetin (përgjegjësinë me të cilën është ngarkuar) dhe e ndal veten nga përfolja e ndereve të tjerëve, është burrë i vërtetë.” Në këtë formë njeriu e shfaq burrërinë e tij, me pamje dhe rroba të mira.

 

Prej gjërave që ndihmojnë nga moslëndimi ndaj të tjerëve me gjuhë dhe dorë, është të kujtuarit e të drejtave që kanë të tjerët ndaj teje. Muslimani në raport me të tjerët, atë që është më i moshuar se ai duhet ta llogarisë në vend të prindit të tij, nëse është më i vogël duhet ta llogarisë sikur fëmijën e tij, e nëse është në një moshë me të duhet ta llogarisë sikur vëlla të tij. Nëse me të tjerët sillet në këtë mënyrë atëherë ia ka plotësuar të drejtën secilit, do të kenë raporte të mira ndërmjet vete; dhe si rezultat nuk ka mundësi që t’i lëndojë me gjuhën apo dorën e tij.

 

Prej gjërave të tjera që ndihmojnë në këtë gjithashtu është të kujtuarit se një ditë do të qëndrojmë para Allahut dhe do të pyetemi për veprat tona. Ibn Umeri ka thënë: “Nëse ke mundësi të vish në Ditën e Gjykimit me bark të zbrazur prej pasurisë së muslimanëve, me gjuhë të pastër prej nderit të tyre dhe pa prekur në gjakun e tyre (duke mos i sulmuar apo goditur), atëherë do të jesh prej të shpëtuarve atë Ditë.”

 

Secili prej nesh duhet të ketë frikë Allahun, të ndalë gjuhën prej ofendimeve e lëndimeve ndaj të tjerëve dhe të dijë se një ditë patjetër do të dalë para Allahut, i Cili ka thënë: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, për t’i dënuar ata që bëjnë keq, sipas veprave të veta e, për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë, me shpërblimin më të mirë.” Nexhm 31.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi Paralajmërimi për lëndimet ndaj muslimanëve”.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit