Për atë që ka borxhe

Për atë që ka borxhe

Ai që ka borxhe dhe kthehet tek Allahu me lutje të sinqert, Ai ia mundëson shlyerjen e tyre. Transmetohet se një prej robërve ka qenë rob i cili e ka blerë veten e tij prej zotërisë së tij. Allahu ka urdhëruar (atëherë kur kishte robër) që nëse robi kërkon nga zotëria i tij ta blejë veten e tij përmes punës, ai e ka për obligim t’i përgjigjet kësaj kërkese të robit. Ai ka ardhur te Aliu radijAllahu anhu dhe i ka thënë: “Nuk po kam mundësi ta blej veten time (të punoj për ta fituar lirinë). Më ndihmo me çfarë të kesh mundësi!” Aliu i thotë: “A dëshiron të t’i mësoj disa fjalë të cilat vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem m’i ka mësuar mua, që edhe nëse ke borxh sa mali Sirë (mal i madh), Allahu ta mundëson ta paguash atë? Thuaj: “اللَّهُمَّ اكْفِنِي بِحَلَالِكَ عَنْ حَرَامِكَ، وَأَغْنِنِي بِفَضْلِكِ عَمَّنْ سِوَاكَ – O Allah, më mjafto me hallallin Tënd ndaj haramit Tënd* dhe më jep prej mirësive Tua që të mos kem nevojë për të tjerët!”* Tirmidhiu. Nëse lutesh me këtë lutje me bindje të plotë në Allahun, Ai ta mundëson larjen e borxheve.

Kur merr borxh njeriu, duhet të ketë qëllim të mirë e të sinqert që ta kthejë atë, duke e marrë atë borxh si ndihmesë për një periudhë të caktuar e pastaj ta kthejë. Nëse e merr atë me qëllim të keq, Allahu ia shkatërron pasurinë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush merr pasurinë e njerëzve (borxh) me qëllim ta kthejë atë posa të ketë mundësinë, Allahu do ta shlyejë atë borxhë për të (d.m.th. Ai e merr përsipër). Dhe kush merr pasurinë e njerëzve me qëllim t’i shpenzojë e të mos ua kthejë kurrë, Allahu ka për ta shkatërrruar atë dhe pasurinë që e ka marrë.” Buhariu. Dhe ka thënë: “Çdo njeri i cili ka qëllim të mirë për ta larë borxhin (të mos e vonojë), Allahu ka për ta ndihmuar atë (ta lajë atë).” Imam Ahmedi.

*Më mjafto me gjërat e lejuara që të mos kem nevojë për gjëra të ndaluara.

* Që të mos kem nevojë të kërkoj prej krijesave.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit