Për çdo ditë je më afër vdekjes…

Për çdo ditë je më afër vdekjes (duke të humbur mundësia e bërjes së adhurimeve dhe veprave të mira). Aisha radijAllahu anha tregon se besimtarët kur të hyjnë në xhenet, gjëja për të cilën do të pendohen më së shumti, është që nuk e kanë thënë një “subhanAllah” më shumë. Ne shpesh herë rrimë ndenjur, as nuk lexojmë e as nuk bëjnë dhikër (subhanAllah, elhamdulilah, Allahu ekber, la ilahe ilAllah, estagfirullah etj). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem brenda një ndeje ka thënë 100 herë estagfirullah. Njeriu, për ta ditur rëndësinë e kohës, mjafton t’i vizitojë varret. Tregohet se Aliu radijAllahu anhu me disa shokë ka shkuar tek të varrosurit dhe ka thënë: “O ju të vdekur, ne e dimë se pasuria e juaj është ndarë ndër trashëgimtarët e juaj, gratë e juaja janë martuar me të tjerë!”, duke dashur të tregojë me këtë se ato gjëra për të cilat jeni munduar pas tyre në këtë botë erdhi koha t’i braktisni, vazhdon: “Sikur të kishin mundësi të na drejtoheshin me fjalë neve dhe të na këshillonin, do na thoshin: “Shtoni sa më shumë veprat e mira!”, sepse shtimi më i mirë është devotshmëria, pra veprat e mira. Kur Hasan el Basriu rahimehullah ka qenë në varrim të një personi, i është drejtuar nxënësi i tij duke i thënë: “Sikur të ishe në vend të tij (të të vdekurit), çfarë kishe shpresuar më së shumti?”, ai i thotë: “Të kthehem të bëj vepra të mira.” Secili që vdes do të pendohet se pse nuk e ka shfrytëzuar kohën e lirë, që të bëjë një sexhde më shumë, apo një dhikër më shumë, apo një ditë agjërim më shumë, përveç atij që ka qenë i devotshëm (duke e shfrytëzuar kohën e tij). Përmes kohës së lirë njeriu e arrin Kënaqësinë e Allahut, Mëshirën e Tij, xhenetin e Tij. Një dijetar ka kaluar pranë disa personave të cilët kanë qenë duke lozur dhe u ka thënë: “Pse po lozni?”, ata i kanë thënë: “Po relaksohemi.” Ai u ka thënë: “Allahu thotë: “…kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim)…”, e nuk thotë: “kur të çlirohesh luaj”.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit