Pse kaq shumë fe kur i njëjti Zot është për të gjithë?

Pyetje: Pse kaq shumë fe kur i njëjti Zot është për të gjithë?

Përgjigje: Shumë njerëz kanë një paqartësi të tillë për shkak të mosdijes apo mosnjohurive. Allahu nuk ka ligjësuar për njerëzit veçse një fe, se si duhet ta njohim e besojmë Allahun. Mirëpo, njerëzit pastaj kanë shpikur fe të tjera, ose fenë që ua ka ligjësuar Allahu e kanë shtrembëruar. Allahu te popujt e ndryshëm ka ligjësuar dispozita të ndryshme. Çdo Pejgamber (para Muhamedit salAllahu alejhi ue selem) ka qenë i dërguar te populli i tij për një kohë të caktuar. Pastaj ka ardhur Pejgamberi tjetër, e te ndonjë popull ka pasur më shumë se një Pejgamber, kështu ose është vazhduar me të njëjtat ligje ose ka abroguar disa gjëra. Kjo ka qenë sidomos e theksuar te beni Israilët. Allahu atyre vazhdimisht u ka dërguar Pejgamberë, kur ka vdekur një ua ka dërguar një tjetër. Të gjithë Pejgamberët e dërguar tek ta kanë punuar me sheriatin e Profetit Musa, me Tevratin, derisa ka ardhur Isa alejhi ue selem i cili ka sjellë shpallje të re, ligje të reja, të cilat i kanë abroguar (shfuqizuar) disa prej ligjeve që kanë qenë në Tevrat. Kjo ka qenë një prej arsyeve pse Beni Israilët nuk e kanë pranuar Isën si të Dërguar të Allahut. Ata kanë thënë për të se po ua ndryshon fenë e baballarëve të tyre. Inxhili i cili i është zbritur Isës ka qenë shfuqizues i ligjeve të Tevratit dhe ka qenë për një periudhë të caktuar deri sa të vinte Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Kur Allahu e ka dërguar Muhamedin salAllahu alejhi ue selem si të Dërguar, Kurani i ka shfuqizuar të gjitha shpalljet e ligjet e mëhershme dhe njerëzit e kanë obligim të pasojnë shpalljen e fundit, e jo të mbesin në shpalljet apo ligjet e mëhershme. Kjo sa i përket ligjeve e dispozitave.

E sa i përket çështjeve të besimit, të gjithë Pejgamberët kanë thirrur në një fe: që të adhurohet Allahu i Vetëm dhe të mos i shoqërohet Atij asgjë në adhurim. Mirëpo, pastaj shejtani i ka cytur njerëzit dhe i ka devijuar nga kjo rrugë duke i çuar drejt shirkut. Disa kanë adhuruar idhuj (të gdhendur me duart e tyre), disa gurë, disa pemë, disa kanë adhuruar engjëj (siç ka qenë gjendja e mushrikëve të Mekës të cilët engjëjt i kanë konsideruar bija të Allahut, e Ai është i pastër dhe i lartësuar nga ajo që ia kanë mveshur), kanë thënë se duke qenë se janë bija të Allahut janë afër Tij, e ne iu lutemi atyre që të na afrojnë tek Allahu apo që lutjet tona t’ia përcjellin Atij. Disa kanë adhuruar njerëz të devotshëm- Pejgamberë dhe të tjerë, siç është rasti me hebrenjtë të cilët kanë besuar se Uzejri është bir i Zotit dhe e kanë adhuruar, të krishterët e kanë konsideruar si bir të Zotit Isën dhe nënën e tij, e i kanë adhuruar krahas Allahut, e disa prej tyre e adhurojnë edhe Xhibrilin, thonë për të ‘shpirti i shenjtë’. E po ashtu adhurojnë dhe shenjtorët e tyre. Sipas tyre, sa herë që një shenjtor vërteton se ka pasur dy mrekulli gjatë jetës, atëherë kisha ose papa e shpallë si të shenjtë dhe pastaj lejohet që ai të adhurohet. Muhamedi salAllahu alejhi ue selem me shpalljen e fundit ka treguar se të gjitha këto gjëra janë shirk, devijime, shtrembërime, dhe se duhet të adhurohet vetëm Allahu i Vetmi.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në umetin islam. Kështu njerëzit kanë filluar të adhurojnë njerëzit e devotshëm, prej sahabëve, tabiinëve etj., sidomos prej familjes së të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem. Shumë njerëz kanë kaluar në ekstremizëm dhe i kanë hyjnizuar dhe i kanë adhuruar në vend të Allahut, sidomos Aliun radijAllahu anhu. Madje, disa prej tyre kanë shkuar deri aty sa kanë thënë se Allahu është mëshiruar në Aliun, ashtu siç besojnë (disa nga) të krishterët se Allahu është mishëruar në Isën.

Andaj, arsyeja pse njerëzit kanë kaq shumë fe e degëzime është se vetë ata nuk e kanë pranuar të vërtetën prej Allahut, mirëpo kanë shpikur fe nga vetja apo vetë fenë e Allahut e kanë shtrembëruar apo i kanë dhënë interpretime nga vetja. Porse, Allahu ka garantuar se feja e vërtetë do të mbetet e qartë, triumfuese, me argumentet e saj, deri në Ditën e Gjykimit. Kushdo që e kërkon atë e gjen. Por, njerëzit janë ata të cilët e pengojnë apo e ndalojnë veten e tyre për ta pranuar këtë të vërtetë. Gjithashtu ka dhe arsye të tjera.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit