Ramazani dhe namazi

● Namazi është vepra më e madhe të cilës besimtari duhet t’i kushtojë rëndësi.

● Namazi ka pozitë madhështore në Islam. E sidomos në Ramazan, ne duhet ta përjetojmë dhe ta ndjejmë atë.

● Edhe në ditët dhe çastet e fundit të jetës së tij, Muhamedi salAllahu alejhi ue selem e porositi ummetin e tij për kujdesin ndaj faljes së namazit. Namazi ishte prej amaneteve të fundit të tij salAllahu alejhi ue selem.

● Namazi është veçuar nga të gjitha obligimet e tjera. Ai është bërë obligim kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ishte lartë mbi shtatë qiej dhe urdhërin për të e dëgjoi nga Allahu. Ndërsa për obligimet e tjera Allahu e dërgoi engjëllin Xhibril te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem.

● Sot shohim njerëz që për gjëra të pavlera e braktisin namazin, apo nuk e falin me xhemat në xhami, duke e konsideruar atë si gjë të lehtë.

● Ne duhet ta falim namazin në mënyrën më të përkryer, me përuljen dhe përqendrimin e plotë që kërkohet nga ne, duke e shfrytëzuar muajin e Ramazanit në të cilin shejtanët nuk mund të bëjnë shumë vesvese. Kjo gjendje pastaj të vazhdojë edhe pas Ramazanit. Andaj ta shfrytëzojmë atë për t’u përmirësuar në këtë gjë.

● Përuljen në namaz Allahu ua jep atyre që janë të sinqert në adhurimin ndaj Allahut dhe që punojnë me urdhërat e ju largohen ndalesave të Tij jashtë namazit.

● Namazi e largon prej shthurjes dhe gjërave të ulta atë njeri i cili ka përulje gjatë faljes së tij (e jo ta falë veç si adet). Përulja në namaz është obligim. Ata që janë të përulur në namazin e tyre, arrijnë të përfitojnë edhe jashtë tij.

● Sa më shumë që kujdesesh ndaj faljes së namazit (në mënyrën më të mirë), aq më shumë të lehtësohet qëndrimi në Ditën e Gjykimit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit