Ramazani ndryshon moralin e njeriut

Ramazani ndryshon moralin e njeriut

Ramazani ndryshon sjelljen dhe edukatën e njeriut. Morali është ajo që ai shfaq para të tjerëve dhe në bazë të tij pastaj të tjerët gjykojnë për të se a është i sjellshëm apo i pasjellshëm. Kur njeriu ka moral të mirë, ngritët dhe lartësohet, si tek Allahu po ashtu dhe te njerëzit, në të kundërt do të ulet ai dhe pozita e tij (në varësi të moralit të keq që ka). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu me moralin e tij të mirë arrin gradën e atij personi i cili agjëron dhe falet vazhdimisht gjatë natës (nafile).”

Se çfarë është morali i mirë, brezat e parë të Islamit e kanë përmbledhur në me pak fjalë, si: takimi i njerëzve me fytyrë të qeshur, të hapur, ndihma ndaj tyre dhe moslëndimi i tyre.

Për të gjitha këto kuptime, besimtari ka nevojë në Ramazan. Në këtë muaj zemra e tij hapet dhe ndjen autoritetin e këtij muaji dhe mirësinë e tij. Andaj është e domosdoshme që të përmirësojë shpirtin, të gdhendë sjelljet e moralin dhe të ruajë gjuhën. Ramazani ndalon nga polemikat, nga debatet, nga armiqësitë e ndryshme. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse dikush e lëndon agjëruesin apo e armiqëson atë, le t’i thotë: “Unë jam agjërueshëm!” Këtë shprehje na ka mësuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në mënyrë që të tërhiqemi, të ruajmë gjuhën dhe të largohemi nga gjë që shkakton polemika e armiqësi.

Dhe ka thënë: “Kush nuk braktisë gënjeshtrën dhe të vepruarit me të si dhe injorancën, le të dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen e tij.” Agjërimi frenon shpirtin, mban nën kontroll sjelljen e njeriut. Nuk është në rregull që së bashku me agjërimin të merret me gjëra të kota, t’i shpeshtojë fjalët dhe të veprojë të këqija. Për këtë arsye, kjo gjendje shpirtërore gjatë Ramazanit e thërret njeriun të përmirësojë moralin e të gdhendë sjelljet e tij. Kështu, ai do të tërhiqet nga gënjeshtra, nga të metat e gjuhës, do ta ruajë atë, do të angazhohet me përmendjen e Allahut dhe me fjalë të dobishme. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!”

Gjithashtu vërejmë se gjatë Ramazanit edhe personi i vrazhdë i cili flet fjalë të rënda, qetësohet, përulet, angazhohet me dhikër, me lexim të Kuranit etj.

Andaj, sezoni i Ramazanit është një rast i artë e i volitshëm për ndryshimin e sjelljeve tona, për ripërtëritjen e tyre, kjo për shkak të disa aspekteve, si:

-Muslimani është urdhëruar të ketë moral të mirë gjithmonë, mirëpo në Ramazan edhe më shumë.

-Atmosfera e Ramazanit është e atillë e cila njeriut ia imponon qetësinë e butësinë dhe pakësimin e zemërimit e të hidhërimit. Ai që sillet keq gjatë Ramazanit, është ai i cili nuk ia di vlerën atij dhe nuk e shijon siç duhet.

-Edhe nëse njeriu në fillim tregohet i papërmbajtur, flet fjalë të këqija, ngreh zërin, zemërohet shpejt, ai korrigjohet dhe kthehet pastaj, duke sjellë ndërmend pozitën e lartë që ka Ramazani, se patjetër duhet të bëjë durim dhe duhet të ruajë gjymtyrët e veprimet e tij.

-Ramazani me të gjitha mirësitë që përmban e edukon shpirtin me durim. Ai është muaji i durimit, muaji i përmbajtjes. Allahu thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. Zumer 10. E në mesin e të durueshmëve hynë dhe agjëruesit, siç thonë dijetarët. Nga durimi buron çdo moral i mirë dhe i lartë.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit