Ramazani ndryshon të folurin tonë

Ramazani ndryshon të folurin tonë

Ashtu siç ndryshon moralin tonë në përgjithësi, Ramazani ndryshon edhe mënyrën se si flasim dhe u drejtohemi të tjerëve. Rreziku i gjuhës është shumë i madh. Gjuha mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme e të pariparueshme. Për këtë arsye, kur Muadhi ibn Xhebeli radijAllahu anhu e pyeti  Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem se a do të merremi në llogari edhe për fjalët që flasim, i tha: “Të pastë nëna o Muadh! A i hedh njerëzit me fytyra në zjarr diçka tjetër përveçse pasojat e gjuhëve të tyre?!”

Pasojat e gjuhës dhe defektet e saj janë të shumta. Ndodhë që njeriu të flasë një fjalë që i duket e lehtë mirëpo ajo bën që ai të rrëshqasë në zjarrin e xhehenemit 70 vite apo në një hapësirë që është më e largët sesa hapësira mes lindjes e perëndimit (siç transmetohen hadithet e sakta).

Për këtë ne duhet të ndryshojmë të folurit gjatë Ramazanit, përndryshe nuk kemi përfituar nga agjërimi jonë. Personi që e ka shprehi të gënjejë, duhet ta ketë frikë Allahun dhe të përmbahet nga gënjeshtra. Personi që bart fjalë mes njerëzve duhet ta braktisë këtë moral të ulët. Personi që përgojon të tjerët duhet ta kontrollojë dhe korrigjojë vetveten. Personi që e ka gjuhën e gjatë duhet të pakësojë fjalët. Ata duhet të sjellin ndërmend që do të merren në llogari para Allahut për çdo fjalë që flasin. Allahu thotë: “…dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” Surja Kaf 18.

Shkaqet që të ndihmojnë në ruajtjen e gjuhës (gjatë Ramazanit dhe gjatë jetës):

◇ Të agjërosh me agjërim të vërtetë, të sinqertë, për hir të Allahut, duke plotësuar kushtet dhe edukatat e agjërimit.

◇Të angazhosh gjuhën me përmendjen e Allahut, me leximin e Kuranit etj.

◇ Të largohesh nga ndejat e kota e të angazhohesh me çështje serioze (të mira), si: leximi i një libri të dobishëm, shoqërimi me njerëz të mirë, pjesëmarrja në projekte bamirësie etj.

◇Të luftojsh vetveten, sepse ndryshimi prej një gjendje në një gjendje tjetër është i vështirë dhe ka nevojë për durim e luftim të vetvetes.

◇Të sjellësh ndërmend pasojat nëse e lë gjuhën të lirë.

Ramazani përmban të gjithë faktorët që ndihmojnë njeriun të arrijë këtë ndryshim të vetvetes

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit