Rezultati i diturisë është vepra-6

Çështja e pestë

GATISHMËRIA E SELEFËVE PËR TË VEPRUAR ME DITURI

Ajo që e sqaron edhe më tepër këtë, është gjendja mahnitëse e selefëve, të cilët me të dëgjuar diçka nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tregonin gatishmëri të plotë për të vepruar, për më tepër, vepronin në mënyrë të vijueshme.

Në këtë kuptim, janë transmetuar shumë transmetime, të cilat tregojnë se ata kanë pasur shumë përkujdesje për veprat.

Ndër to është transmetuar nga Aliu (radij Allahu anhu), kur Fatimeja erdhi tek Pejgamberi për të kërkuar shërbëtor, ai i thotë: “A të tregoj për një gjë që është më e mirë sesa shërbëtori? Kur të shkosh për të fjetur thuaj: subhanallah 33 herë, elhamdulilah 33 herë, Allahu ekber 33 herë”. Aliu (radij Allahu anhu thotë: “Që atëherë kur e kam dëgjuar Pejgamberin (salallahu alejhi ve selem), asnjëherë nuk e kam lënë pa e vepruar këtë”.[1] Njëri nga të pranishmit zgjodhi një natë të vështirë, në të cilën njeriu mund të jetë i hutuar; dhe i tha: As natën e Sifinit nuk i ke lënë pa i lexuar? – kjo është një natë kur ndodhi një luftë dhe betejë e njohur – ai tha: As natën e Sifinit nuk i kam lënë pa i lexuar.

Ebu Davud ibën Ebi Hindi transmeton nga Nu’man bin Salimi, i cili transmeton nga Amër bin Evsi, i cili thotë: Kur Anbese bin Ebi Sufjan ishte i sëmurë në prag të vdekjes, më tregoi një hadith që të kënaqë kur ta dëgjosh, ai më tha: E kam dëgjuar Ummu Habiben duke thënë: E kam dëgjuar Pejgamberin të thotë: “Kush i falë dymbëdhjetë rekate gjatë ditës dhe natës, atij do t’i ndërtohet një shtëpi në xhenet”. Ummu Habibe thotë: Prej se kam dëgjuar Pejgamberin për këtë, asnjëherë nuk i kam lënë pa i falë. Anbese thotë: “Prej se kam dëgjuar Ummu Habiben për këtë, asnjëherë nuk i kam lënë pa i falë. Dhe Amër ibën Evsi thotë: Prej se kam dëgjuar Anbese të më tregoj për këtë hadith, asnjëherë nuk i kam lënë pa i falë. Kurse Nu’man bin Salim thotë: Prej se kam dëgjuar Amër ibën Evsin të më tregoj për këtë, asnjëherë nuk i kam lënë pa i falur”. Transmeton Muslimi [2]

Ky nxitim është një vullnet i madh për t’i kryer veprat sa më parë dhe për të vijuar me to.

Gjithashtu është transmetuar tek Buhariu[3] nga Ebu Hurejre, i cili thotë: “Miku im më i afërt (Pejgamberi) më ka porositur për tri gjëra, të cilat nuk do t’i lë derisa të vdes: “T’i agjëroj tri ditë në çdo muaj, të falë namazin duha, dhe të mos fle pa e falur vitrin”.

I njëjtë me këtë hadith është transmetimi i Muslimit[4] nga Ebu Derdai, i cili thotë: “Më ka porositur i dashuri (Pejgamberi) për tri gjëra, të cilat nuk do t’i lë pa i bërë derisa jam gjallë” dhe i përmendi ato.

Një shembull i ngjashëm me njërin ndër sahabet e rinj – Umer bin Seleme – i cili thotë: “Në kohën kur kam qenë fëmijë, njëherë ndodhesha në prehrin e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) duke ngrënë, dhe nuk po merrja ushqim përpara vetes, kështu që ai më tha: “O çun! Kur të hash thuaj bismilah, ha me dorën e djathtë dhe merr para vetes”[5]. Kurse Buhariu në transmetimin e tij shton fjalët e këtij sahabiu: “Akoma edhe tani vazhdoj të ha ashtu siç më porositi Pejgamberi”.

Shpesh vërejmë se si të vegjlit qortohen apo ndalohen për një gjë, nga dy e tri herë, por prapë nuk bëhen të dëgjueshëm, kurse ky djalosh, i cili ishte sahabij i ri në moshë, një herë i është tërhequr vërejtja; ai tha: “Akoma tani ha ashtu si më porositi Pejgamberi”. Kjo tregon për nxitimin e tyre nga njëra anë, dhe vazhdimësinë e tyre deri në vdekje nga ana tjetër.

Nëse shikojmë në jetën e selefu-salih pas sahabeve, shohim se prej tyre transmetohen shumë fjalë në këtë kuptim, sikurse është thënia e Sufjan Thevriut: “S’ka asnjë hadith që më ka mbërritur nga Pejgamberi, veçse kam vepruar me të”.

Amër ibën Kajs el Melai thotë: “Nëse të arrin hadithi nga Pejgamberi, vepro me të qoftë vetëm një herë, do të bëhesh nga pasuesit e hadithit”. Thënia e tij: “Vepro me të qoftë vetëm një herë” ka për qëllim sunetet dhe mustehabet, sepse vaxhibet dhe farzet nuk mjafton që të veprohen vetëm një herë.

Kur Ibën Kajimi përmend hadithin e transmetuar nga Ebu Umame, se Pejgamberi ka thënë: “Kush e lexon ajetul kursinë pas çdo namazi, nuk mbetet mes tij dhe xhenetit pengesë tjetër veç pos vdekjes”, ai thotë: Kam dëgjuar se shejhul Islam Ibën Tejmije ka thënë: “Asnjëherë nuk e kam lënë pa e thënë pas çdo namazi”[6].

Nga Imam Ahmedi është transmetuar të ketë thënë: “Nuk kam shënuar asnjë hadith pa vepruar me të” – ka shkruar Musnedin, i cili dihet se sa voluminoz që është dhe sa numër të madh të haditheve përmban -, pastaj shton: “Saqë, kam
dëgjuar se kur Pejgamberi kishte bërë hixhamen, i kishte dhënë hixhamgjiut një dinar, po kështu edhe unë kur bëra hixhamen i dhashë një dinar”.

Ky ishte pra përkushtimi i selefëve ndaj diturisë dhe kjo ishte gatishmëria e tyre për të vepruar dhe vijuar me të.

___________________________________________________

[1] Transmeton Buhariu (5362), Muslimi: (2727).

[2] (1722).

[3] (1178).

[4] (728).

[5] Buhariu (5376), Muslimi (2022).

[6] Zadul Mead (1/285).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit