Rregulla për davetxhiun

  • Rregulla për davetxhiun

-T’u flitet njerëzve vetëm për gjërat që ka dije, d.m.th. të mos u flitet atyre për gjërat që nuk ka dije apo që ka dije të paktë rreth atyre gjërave. Nuk lejohet të flasim pa dije.

-Duhet marrë parasysh gjendja e atyre që u flitet, se çfarë është më e rëndësishme e primare t’iu flitet, siç e dimë çështja më primare është t’iu flitet për besimin, teuhidin, për largimin prej besimeve të kota e besëtytnive, pastaj për namazin, e të tjera prej obligimeve.

-Duhet pasur parasysh mënyrën se si u përcillet thirrja. Të mos jetë e dhunshme, imponuese, me arrogancë, por duhet të bëhet butësisht, sidomos në këtë kohë kur është përhapur injoranca. Dijetarët dhe përmendin: “Kjo kohë nuk është kohë e ashpërsisë, por është e butësisë.” Sot nuk qëndron puna që njerëzit kanë dije porse u mungon dikush t’i shtyjë me “forcë” për të praktikuar atë që dinë. Nëse tenton që në mënyrë të vrazhdë t’iu bësh davet, nuk e pranojnë atë që ua mëson. Në Kuran lexojmë: “…Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë.” Muzzemil 5. Mos bëj bashkë mes kësaj dhe ashpërsisë në davet, duke bërë dy barra për njerëzit. Duhet bërë daveti në mënyrë të lehtë, të butë.

-Duhet treguar durim (ndaj fjalëve e kundërshtimeve). Nëse nuk tregon durim, ke dështuar në këtë mision. Dijetarët përmendin: “Thirrësi duhet të jetë sikurse mjeku.” Së pari të bëjë diagnozën (ku e ka problemin personi), pastaj t’i përshkuhet ilaçi, madje nganjëherë duhet t’i shpjegohet marrja e mënyrës së ilaçit.

-Thirrësi në përgjithësi, nuk duhet t’i kundërshtojë njerëzit në adetet e traditat e tyre, të cilat nuk bien ndeshë me Islamin. Duhet lërë në ato adete që janë, ngase e kanë të vështirë të largohen prej tyre. Pastaj nuk do të ta marrin fjalën, duke gjykuar se “ke ardhur me diçka të re”.

-Nuk duhet filluar me gjëra që janë më pak të rëndësishme sesa ajo që është kryesore t’iu flitet, duke u bërë shkak kjo që mos ta pranojnë kryesoren/parësoren.

-Duhet pajisur sa më shumë me dije.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit