Ruajtja e dëgjimit nga gjërat e ndaluara

Ruajtja e dëgjimit nga gjërat e ndaluara

Të mirat dhe dhuntitë e Allahut ndaj nesh janë të shumta, të llojllojshme dhe të mëdha. Allahu thotë: “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu.” Nahl 53. Duhet të jemi falënderues e mirënjohës për to, ngase kjo bën që ato të mbesin dhe të shtohen. Prej dhuntive e mirësive të mëdha është dëgjimi. Allahu në disa ajete na kujton këtë mirësi, si: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” Nahl 78. “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë.” Insan 2. “Thuaju: “Është Ai që ju ka krijuar dhe ju ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrat, e megjithatë ju pak e falënderoni!” Mulk 23.

Përmes dëgjimit, njeriu di se cilat janë gjërat e mira e të dobishme për të. Përmes tij udhëzohet në rrugët e devotshmërisë dhe hyn në dyert e veprave të mira dhe adhurimeve të shumta. Përmes tij gjithashtu dëgjojmë Fjalën e Allahut (Kuranin), dëgjojmë fjalët e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (hadithet profetike). Përmes dëgjimit pajisemi me dituri.

Nëse dikujt Allahu i jep sukses dhe e inspiron në ruajtjen e dëgjimit të tij, me këtë e ka orientuar dhe udhëzuar drejt një mirësie të madhe, ngase përmes ruajtjes së dëgjimit e ruajmë zemrën, veten dhe moralet tona, për dallim prej atij i cili ia lëshon frerët të dëgjuarit dhe dëgjon çdo gjë që i vjen pa kritere, pa kufizime, pa frikë ndaj Allahut dhe pa besimin se Ai është duke e mbikëqyrë.

Për mirësinë e dëgjimit do të merremi në llogari para Allahut në Ditën e Gjykimit. Allahu thotë: “Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për mirësitë/kënaqësitë (e kësaj bote)!” Tekathur 8. Ibn Abbasi radijAllahu anhu rreth këtij ajeti thotë: “Këtu hyn shëndeti i trupave, i shikimit dhe i dëgjimit. Atë Ditë Allahu do t’i pyesë robërit e Tij se në çfarë vepra i kanë shfrytëzuar këto mirësi, edhe pse Ai e di më mirë këtë. Për këtë tregon fjala e Allahut: Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” Isra 36.” Prandaj është detyrë për besimtarin që këtë mirësi ta shfrytëzojë vetëm në adhurim ndaj Allahut, e jo në gjëra që e zemërojnë atë. Kjo është prej falënderimit ndaj Tij për këtë mirësi.

Gjërat që i dëgjojmë ndahen në tri lloje:

  1. Gjërat që i do Allahu dhe është i kënaqur me to (Kurani, dhikri, ligjëratat etj.).
  2. Gjërat që janë të ndaluara.
  3. Gjërat e lejuara (mubah- as nuk ke shpërblim e as dënim për to).

Kush i shfrytëzon organet e tij në gjëra që Allahu i ka bërë obligim dhe largohet me to prej gjërave të ndaluara, atëherë ai ka arritur të jetë falënderues e mirënjohës ndaj Tij për ato organe që ia ka dhuruar (në trupin e tij).

Nëse të dëgjuarit nuk e shfrytëzon në gjëra që e kënaqin Allahun, por në gjëra që e zemërojnë Atë, le ta dish se e ke ekspozuar veten ndaj një dënimi të dhembshëm në Ditën e Kiametit. Shtoja kësaj dhe pasojat e dëmet e shumta në jetën e kësaj bote prej kësaj, duke u përshpejtuar me këtë dënimi në jetën e kësaj bote para se të kalosh në botën tjetër.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që dëgjon bisedën e disa njerëzve duke qenë se ata nuk e dëshirojnë këtë apo ikin prej tij, atij në Ditën e Gjykimit do t’i hidhet plumb i shkrirë në veshin e tij.” Ka forma apo mënyra të ndryshme se si njerëzit dëgjojnë bisedat e të tjerëve fshehtas, duke mos e dëshiruar ata këtë, apo duke e urryer. Prej tyre përmendim:

-Kur dy persona janë të ndarë në një qoshe të dhomës, apo një vend veçmas të tjerëve, në këtë rast nuk i lejohet tjetrit të shkojë të dëgjojë fshehtas bisedën e tyre, apo të dëgjojnë disa fjalë e pastaj me to të formulojë bisedën e tyre (duke arritur në përfundim se çfarë po bisedojnë).

-Dëgjimi i të tjerëve prapa derës duke e afruar veshin, apo pas murit.

-Dëgjimi i tjetrit se çfarë po flet me dikë tjetër në telefon.

-(Forma më e rëndë) Parashtrimi i pyetjeve të ndryshme fëmijëve për të nxjerrë prej tyre se çfarë ndodhë në shtëpitë tyre. Fëmija tregon zakonisht se çfarë ndodhë brenda shtëpisë së tij, e ndërsa të tillët e shfrytëzojnë këtë gjë, e pastaj ata që janë shpirtligë i përdorin këto informata dhe i përhapin në mesin e njerëzve duke u shkaktuar urrejtje e përçarje.

Ai që dëgjimin e tij e shfrytëzon në gjëra të mira, si: dëgjon Kuran, këshilla të fuqishme, ligjërata etj., kjo do të ketë ndikim të madh tek ai, kështu do t’i forcohet besimi, bindja, dëshira për kujdesin ndaj adhurimeve e veprave të mira. Kjo i sjell dobi dhe të mira në të dy botët. Dobitë e këtij dëgjimi janë shumë të mëdha. E ai që dëgjon gjëra të ndaluara, mëkate, paturpësi etj., kjo do t’i ndikojë negativisht dhe do ta largojë prej mirësive e adhurimit, si dhe do ta nxisin drejt mëkateve e ndalesave, sepse ai që dëgjon gjëra të tilla kjo do t’ia nxisë dëshirën për t’i vepruar.

Besimtari duhet të dijë se në këtë botë vazhdimisht është në provim. Sidomos me këtë mirësi- dëgjimin. Kështu Allahu na sprovon se çfarë po dëgjojmë, se cilave gjërave po ua vëmë veshin. Andaj, gjithherë duhet ta marrim veten në llogari për dëgjimin dhe të mundohemi që sa më shumë ta përmirësojmë gjendjen tonë dhe dëgjimin tonë, në mënyrë që të arrijmë lumturinë në të dy botët.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit