Sa e sa njerëz i shohim duke vrapuar me nxitim pas dynjasë nga frika…

  • Post category:Këshilla
Sa e sa njerëz i shohim duke vrapuar me nxitim pas dynjasë nga frika…

Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Sa e sa njerëz i shohim duke vrapuar me nxitim pas dynjasë nga frika se mos u ikën, ndërsa në anën tjetër, i shohim sesi nuk vijnë në xhami për t’i falur pesë kohët e namazit, që janë boshti i fesë! Sa e sa njerëz i shohim që bredhin rrugëve dhe rrinë ulur nëpër dyqane për orë të tëra, madje ndodh që edhe e durojnë vapën dhe të ftohtin e madh; tërë këtë e bëjnë duke kërkuar dynjanë, mirëpo i shohim se si nuk mund të durojnë disa minuta të caktuara në xhami për ta falur namazin apo për të lexuar Kuran! Sa të rinj muslimanë i shohim duke nxituar drejt fushave të futbollit dhe japin para për të blerë biletat e hyrjes, pastaj mblidhen me mijëra. Madje, ndodh që e kalojnë tërë ditën e rrinë zgjuar gjatë natës në këmbë, duke shikuar me vëmendje, zëri iu ngjiret duke bërtitur, ndërkohë që shikojnë ekipet se cili do të fitojë! Të gjitha këto vështirësi i përballojnë në rrugë të shejtanit, mirëpo kur thirren në namaz me “hajje ‘ales-salah, hajj ‘alel-felah” (ejani në namaz, ejani në shpëtim) hiqen si të verbër e të shurdhër dhe e kthejnë shpinën, sikur myezini i thërret drejt burgut, apo sikur është duke i ofenduar. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur atyre u thuhej: “Përkuluni (në namaz para Allahut)!” ata nuk përkuleshin.” (El-Murselat, 48). Po ashtu thotë: “…dhe ata do të thirren që të përulen në sexhde (në ditën e Kiametit), por nuk do të munden! Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin në sexhde, sa qenë shëndoshë (në këtë botë, dhe nuk kanë pranuar).” (El-Kalem, 42-43). O muslimanë! Kjo është gjendja e shumicës sonë sot!  Vrapojmë pas dunjasë dhe ikim nga jeta tjetër! Nuk po marrim mësim nga ata që ishin para nesh! Nuk po marrim mësim nga ata që janë përreth nesh! Nuk po ndikohemi nga këshillat! Nuk po kemi dobi nga përkujtimi! Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! E lusim Allahun që me mirësinë e Tij të na mundësojë të pendohemi dhe t’i zgjojë zemrat tona nga pakujdesia! Vërtetë, Ai dëgjon gjithçka dhe i përgjigjet lutjeve!” El-Hutab El-Minberijje, 313-314.