Shembulli i Dritës së Allahut dhe kategorizimi i njerëzve në raport me të-1

Ibn Kajim el Xheuzije

Fjalët e Allahut të lartësuar: ‘Shembulli i Dritës së Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë.’ (Kurani, 24:35) Ky shembull tregon për dritën që Ai ka vënë në zemrën e robit besimtar, siç ka thënë Ubej bin Kabi e të tjerë. Pati mospajtime sa i takon aludimit të përemrit te fjalët e Tij: ‘Dritës së Tij’. U tha se është për qëllim Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), d.m.th. shembulli i dritës së Muhamedit (salallahu alejhi ue selem); por gjithashtu u tha se është për qëllim besimtari, d.m.th. shembulli i dritës sëbesimtarit.

E vërteta është se përemri i referohet Allahut dhe domethënia është kjo: Shembulli i dritës së Allahut në zemrën e robit të Tij. Dhe robi me hisen më të madhe në këtë dritë është i Dërguari (salallahu alejhi ue selem). Edhe pse aludimi i përemrit përfshinë të gjitha ato kuptime që u përmendën më lartë, megjithatë konteksti i fjalisë përfshinë të tria këto shpjegime dhe kështu konsiderohet më i plotë tekstualisht dhe përmbajtësisht.

Drita i adresohet Allahut të lartësuar, meqë Ai i jep dhe i dhuron prej saj robit të Tij. Po ashtu i adresohet robit, sepse ai është vendi dhe pranuesi i saj. Pra, i adresohet Vepruesit dhe pranuesit. Për këtë themi që Dritë posedon Vepruesi, pranuesi, vendi, bartësi, dhe lënda. Dhe ajeti në fjalë, i përfshinë në vete të gjitha këto në mënyrë të detajuar. Vepruesi është Allahu, që e lëshon dritën dhe që udhëzon drejt saj kë të dojë. Pranues është robi besimtar. Vendi është zemra. Bartësi: ambiciet, vullneti dhe dëshirat e tij. Lënda janë fjalët dhe punët e tij.

Kjo përqasje e mahnitshme që pasqyrohet në këtë ajet, ngërthen mistere e kuptime, përçon përsosmërinë e mirësive të Zotit ndaj robit të Tij besimtar, i Cili u fali prej dritës së Tij, me çka ua kënaq syrin dhe ua ngazëllen zemrat.

Sa i takon krahasimit në fjalë, njohësit e semasiologjisë përdorin dy metoda:

E para: Krahasimi i kombinuar, i cili është më i lehtë për t’u kuptuar dhe më pak i komplikuar. Ky krahasim realizohet duke e krahasuar një fjali të tërë (në rastin tonë) me dritën e besimtarit, pa u thelluar në çdo detaj dhe pa përqasur çdo element të të krahasuarve (me njëri-tjetrin). Të kësaj natyre janë shumica dërmuese e shëmbëllimeve në Kuranin fisnik.

Medito rreth veçorive të kamares (mishkat), e cila duke qenë se nuk ka vrimë, mundëson që drita të jetë më e bashkuar. Në të është vendosur llamba; llamba është vënë brenda kristalit që për nga pastërtia dhe bukuria i shëmbëllen një ylli të shndritshëm. Burim i saj është vaji më i kulluar (më cilësor) që digjet më së miri; është vaji i një druri që bëhet në mes të një are (të shkretë), që nuk është as i lindjes, as i perëndimit ashtu që ta kap dielli në njërën nga pjesët e ditës. Madje, ai ndodhet në mes të saj duke bërë që dielli ta kap mesin e tij dhe anët t’i mbesin të mbrojtura. Prandaj vrugu mund t’i zë vetëm anët e tij (duke mbetur mesi i ruajtur). Dhe nga ndriçimi i fortë që prodhon vaji, nga dëlirësia dhe bukuri e tij, të lë përshtypjen se ai shndritë edhe pa e prekur zjarri. Pra, kjo tërësi e kombinuar është shembulli i dritës së Allahut të vendosur në zemrën e besimtarit, me të cilën e ka veçuar atë.

E dyta: Krahasimi i detajuar. Kështu, thuhet që kamarja është gjoksi i besimtarit, ndërsa kristali është zemra e tij. E krahasoi zemrën e tij me kristalin për shkak të delikatesës, dëlirësisë dhe qëndrueshmërisë së saj. Dhe e këtillë është zemra e besimtarit. Përmblodhi këto tri virtyte, sepse vërtet që me delikatesën e tij ai tregohet i mëshirshëm, bamirës, ndien dhembshuri dhe ua qan hallin krijesave. Dhe me dëlirësin e saj bën që gjërat të shfaqen në formën reale dhe dijet ashtu siç janë. Ajo rri larg gjërave të turbullta, të pista dhe të fëlliqura, aq sa është e dëlirë. Me qëndrueshmërinë e saj tregohet e fuqishme në urdhrat e Allahut, e palëkundur për hir të Allahut, e ashpër ndaj armiqve të Allahut dhe i çon në vend detyrimet ndaj Allahut. Allahu i lartësuar i bëri zemrat si puna e një ene, siç u shprehën disa prej selefëve: Zemrat janë enët e Allahut në tokë dhe më e dashura për Të është ajo që është më e buta, më e qëndrueshmja dhe më e dëlira.

‘Llamba’ është drita e besimit në zemrën e tij, ndërsa ‘druri i bekuar i ullirit’ është shpallja që përmban udhëzimin dhe fenë e vërtetë. Ai (druri i bekuar i ullirit) është burimi (lënda) i llambës që ndizet prej tij. ‘Dritë sipër dritës’: natyrshmëria e shëndoshë, intelekti i zhvilluar dhe drita e shpalljes dhe Librit, kur njëra dritë i shtohet tjetrës, robit i shtohet dritë sipër dritës. Për këtë ai është gati të flasë me të vërtetën dhe me urtësinë para se të dëgjojë çfarë është transmetuar, dhe që pastaj i vjen transmetimi i njëjtë, që i konfirmon atë që kishte në zemër dhe kishte pohuar. Kështu, te ai pajtohen dëshmia e mendjes dhe sheriati, natyrshmëria dhe shpallja. Pra, mendja e tij, natyrshmëria dhe prirja, ia paraqesin të vërtetë atë me të cilën erdhi Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem). Te ai nuk bien në kontradiktë asnjëherë mendja dhe shpallja, por e konfirmojnë njëra-tjetrën dhe pajtohen. Kjo pra është shenja e dritës sipër dritës.

Ndërsa i kundërt me të është ai në zemrën e të cilit përplasën dallgët e dyshimeve boshe dhe iluzioneve shkatërruese, prej hamendjesh injorante, të cilat ata i quajnë argumente të pakontestueshme logjike, që në zemrat e tyre janë ashtu siç thotë Allahu i lartësuar: ‘Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë.’ (Kurani, 24:40)

Shiko në ç’mënyrë këto ajete kanë përmbledhë të gjitha kategoritë e bijve të Ademit, me një rregull të përkryer duke i përfshirë në formën më të plotë.

-Kategorizimi i njerëzve në raport me shpalljen me të cilën u dërgua Pejgamberi –

Kemi dy kategori njerëzish: 1) pasuesit e udhëzimit dhe provave të dukshme, të cilët e kuptuan se e vërteta ndodhet në atë me të cilën erdhi Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nga Allahu dhe, të gjitha ato që i kundërvihen kësaj të vërtete janë dyshime që u shfaqen mendjelehtëve dhe atyre që janë me pak njohuri (të sheriatit). Ata i mendojë ato (dyshimet) si një arritje prej së cilës kanë dobi, por që në realitet ‘veprat e tyre janë si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë. Aty do të hasë në dënimin e Allahut, i Cili ia paguan llogarinë e tij të plotë, se Allahu është i shpejtë në llogari. Ose janë si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë: shtresa errësire njëra mbi tjetrën, aq sa kur e nxjerr dorën e vet, njeriu pothuajse nuk e sheh fare atë. Ai, të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk do të gjejë më dritë.’ (Kurani, 24:39-40)

Këta janë të udhëzuarit në fenë e vërtetë, që zotërojnë dije të dobishme dhe vepra të mira, që i besuan lajmeve të Pejgamberit dhe nuk i kundërshtuan me dyshime, që iu bindën urdhrave të tij dhe nuk i humbën për shkak të epsheve. Pra, sa i takon veprave të tyre, ata as nuk janë prej të zhyturve në trillime duke qëndruar të shkujdesur në padijen e tyre, dhe as nuk janë prej atyre që u vetëkënaqën me pjesën e tyre, të cilëve u janë asgjësuar veprat e tyre në këtë botë dhe botën tjetër dhe janë të shkatërruar.

Kështu, të ndriçuar nga shkëlqimi i shpalljes, i shohin ata të territ në errësirën e iluzioneve të verbëruar, në humbjen e tyre të sillen vërdallë dhe në dyshime e tyre të sorollaten, të mashtruar nga mirazhi, duke jetuar në thatësira dhe të etur për urtësinë dhe fjalët e Allahut me të cilat erdhi Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem). Ata s’posedojnë gjë tjetër veç llumit të mendimeve dhe mbeturinave të intelektit, me të cilat u kënaqën dhe u ndien të qetë dhe që u dhanë përparësi ndaj Sunetit dhe Kuranit. Në zemrat e tyre ka vetëm mendjemadhësi, e cila nuk i çon drejt qëllimeve të tyre, por i detyron të pasojnë epshet dhe të yshten pas shejtanit. Për këtë polemizojnë rreth ajeteve (shpalljes) të Allahut pa pasur kurrfarë prove.[1]

vazhdon…

———————————————————-
[1] Burimi: Ixhtima el Xhujush el Islamije… – përktheu: B. K

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit