Shkaqet për arritjen e të mirave në këtë botë dhe në ahiret

chuttersnap-jCHtY4w4YJo-unsplash

(Dersi) Shkaqet për arritjen e të mirave në këtë botë dhe në ahiret

 

  1. Besimi në Allahun dhe bërja e veprave të mira (shkaku bazë).

Allahu thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97. Dhe thotë: “Vërtet, për punëdrejtët është përgatitur e mira (Xheneti): kopshte dhe vreshta, vajza të reja, të së njëjtës moshë, dhe kupa të plota.” Nebe 31-34. Dhe thotë: “Për ata që ruhen (nga gjynahet), tek Allahu do të ketë kopshte të kënaqësive.” Kalem 34. Dhe thotë: “Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit…” Kehf 107.

 

  1. Pajisja me dije të dobishme (fetare).

Allahu na ka treguar se dija është shkak për ngritje në të dy botët. Allahu thotë: “…ata që kanë besuar në mesin tuaj, Allahu i ngritë, e ata të cilëve u është dhënë dija i ngritë edhe më lartë”, Muxhadile 11, i ngritë në shkallë edhe më të larta. Dhe thotë: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Zumer 9. Dhe thotë: “A është më mirë ai që shkon rrëshqanas e kokulur apo ai që ecën ballëlart në rrugën e drejtë?” Mulk 22. Dhe thotë: “Vallë, ai që di se ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt është e vërteta, a është njësoj me atë që është i verbër ndaj këtij fakti)? Vetëm njerëzit që kuptojnë ia vënë veshin kësaj.” Rad 19.

Për të arritur dijen, Allahu ka treguar se duhet vepruar disa shkaqe. Ajo nuk vjen vetëvetiu, apo siç pretendojnë disa sekte se Allahu u jep dije edhe pa e kërkuar dijen. Prej shkaqeve përmendim:

– Të pyeturit e njerëzve që dinë (që kanë dije fetare) për ato gjëra që nuk i di. Allahu thotë: “pyetni ata që dinë nëse ju nuk dini” Nahl 43.

– Dhënia e mundit në kërkimin e dijes, mësimi i saj, në mënyrën më të mirë, e pastaj vijnë rezultatet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dija arrihet veçse përmes mësimit dhe ëndrrat vijnë me ëndërrime.” Dija nuk vjen vetë, por sa më shumë që mëson njeriu, arrin prej dijes dhe pajiset me të, kurse të shpresosh të kesh dije e të pajisesh me të duke ëndërruar, kjo mbetet vetëm ëndërr nëse nuk e realizon këtë në praktikë dhe nëse nuk e kërkon dijen.

  1. Furnizimi (rrizku)

Prej Emrave të Allahut është err Rrezak – Furnizuesi. Kjo tregon se furnizimi është në Dorën e Allahut. Ai ka marrë përsipër furnizimin e robërve të Tij. Mirëpo, Allahu ka caktuar shkaqe për furnizimin, të cilat i ka sqaruar në Kuran dhe në sunetin profetik. Prej shkaqeve për arritjen e rrizkut janë:

– Besimi në Allahun, veprat e mira dhe frika ndaj Tij. Allahu thotë: “Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, ka falje dhe furnizim të bollshëm.” Haxh 50. Dhe thotë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” Talak 2-3.

– Mbështetja e vërtetë në Allahun, në mënyrën më të mirë e të saktë, duke ia dorëzuar e besuar Atij të gjitha çështjet, me besim e bindje të plotë në Allahun. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur ju t’i mbështetëshit Allahut ashtu siç e meriton Ai, Ai do t’iu furnizonte siç i furnizon shpendët të cilët dalin në mëngjes me barkun e zbrazur dhe kthehen në mbrëmje me barkun e mbushur.”

-Durimi. Ai është çelësi i lehtësimit prej Allahut, është dera përmes së cilës hyn njeriu dhe i lehtësohen çëshjet. Mirëpo, durim me tri llojet e tij: durim në Urdhrat e Allahut duke i zbatuar, durim në ndalesat e Allahut duke iu larguar dhe durim në fatkeqësitë e sprovat nga Allahu. Allahu thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” Zumer 10.

-Lutja tek Allahu për furnizim. Lutja tek Allahu është çelësi i të mirave në të dy botët. Pa dyshim se nëse njeriu dëshiron furnizim per vetën e tij duhet ta lusë Allahun vazhdimisht me këmbngulje e të mos heqë dorë prej lutjes. Atij të cilit Allahu ia ka mundësuar të bëjë lutje, nuk e privon nga përgjigja e saj. Allahu nuk e refuzon robin e Tij kur ai e thërret Atë dhe i lutet Atij. Allahu nuk e zhgënjen besimtarin kur ai bisedon fshehtas me Të dhe kërkon nga Ai. Allahu ka thënë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir 60. Dhe ka thënë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” Bekare 186. Dhe: “Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet!” Ibrahim 39. Kuptimi është: i përgjigjet të gjitha lutjeve. Çdo mirësi që e dëshiron në këtë botë dhe në tjetrën, së pari duhet ta kërkosh përmes lutjes tek Allahu. Dhe pa dyshim këtu hyn edhe rizku, për të cilin jemi duke folur. Allahu tregon për besimtarët të cilët janë lutur: “dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!” Maide 114.

Për atë që ka borxhe

Ai që ka borxhe dhe kthehet tek Allahu me lutje të sinqert, Ai ia mundëson shlyerjen e tyre. Transmetohet se një prej robërve ka qenë rob i cili e ka blerë veten e tij prej zotërisë së tij. Allahu ka urdhëruar (atëherë kur kishte robër) që nëse robi kërkon nga zotëria i tij ta blejë veten e tij përmes punës, ai e ka për obligim t’i përgjigjet kësaj kërkese të robit. Ai ka ardhur te Aliu radijAllahu anhu dhe i ka thënë: “Nuk po kam mundësi ta blej veten time (të punoj për ta fituar lirinë). Më ndihmo me çfarë të kesh mundësi!” Aliu i thotë: “A dëshiron të t’i mësoj disa fjalë të cilat vetë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem m’i ka mësuar mua, që edhe nëse ke borxh sa mali Sirë (mal i madh), Allahu ta mundëson ta paguash atë? Thuaj: “اللَّهُمَّ اكْفِنِي بِحَلَالِكَ عَنْ حَرَامِكَ، وَأَغْنِنِي بِفَضْلِكِ عَمَّنْ سِوَاكَ – O Allah, më mjafto me hallallin Tënd ndaj haramit Tënd* dhe më jep prej mirësive Tua që të mos kem nevojë për të tjerët!”* Tirmidhiu. Nëse lutesh me këtë lutje me bindje të plotë në Allahun, Ai ta mundëson larjen e borxheve.

Kur merr borxh njeriu, duhet të ketë qëllim të mirë e të sinqert që ta kthejë atë, duke e marrë atë borxh si ndihmesë për një periudhë të caktuar e pastaj ta kthejë. Nëse e merr atë me qëllim të keq, Allahu ia shkatërron pasurinë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush merr pasurinë e njerëzve (borxh) me qëllim ta kthejë atë posa të ketë mundësinë, Allahu do ta shlyejë atë borxhë për të (d.m.th. Ai e merr përsipër). Dhe kush merr pasurinë e njerëzve me qëllim t’i shpenzojë e të mos ua kthejë kurrë, Allahu ka për ta shkatërrruar atë dhe pasurinë që e ka marrë.” Buhariu. Dhe ka thënë: “Çdo njeri i cili ka qëllim të mirë për ta larë borxhin (të mos e vonojë), Allahu ka për ta ndihmuar atë (ta lajë atë).” Imam Ahmedi.

*Më mjafto me gjërat e lejuara që të mos kem nevojë për gjëra të ndaluara.

* Që të mos kem nevojë të kërkoj prej krijesave.

 

-Falënderimi e mirënjohja ndaj Allahut për të mirat që na ka dhënë. Nëse njeriu është mirënjohës, atëherë ky falënderim është si lloj kujdesi e ruajtje e mirësive që i posedon. Falënderimi ndaj Allahut përveç që t’i ruan mirësitë të cilat i ke pran vetes, po ashtu t’i shton ato që nuk i ke, që i dëshiron. Mjafton si argument për këtë Fjala e Allahut: “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia, por nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. Ibrahim. 7.

– Kthimi tek Allahu me pendim të sinqert dhe kërkim falja prej Tij. Allahu është el Gaffar el Gafur – Falës i Madh, është Et Tewwab – Ai që pranon pendimin. Ky është prej shkaqeve për shtimin e rizkut dhe të gjitha mirësive të tjera. Allahu thotë:  “…të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukur…” Hud 3. Dhe thotë se Profeti Nuh ka thënë: “…e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” Nuh 10-12. Kur një person i është ankuar te Hasan el Basriu rahimehullah se nuk po ka shira të bollshëm, i ka thënë: “Kërko falje tek Allahu!” Ka ardhur një tjetër e i ka thënë se është i varfër, i ka thënë: “Kërko falje!” Ka ardhur i treti i ka thënë se nuk ka fëmijë, e ai i ka thënë: “Kërko falje tek Allahu!” I katërti i ka thënë se kopështi nuk i jep fruta të bollshëm dhe i ka thënë: “Kërko falje tek Allahu!” Të pranishmit e kanë pyetur Hasan el Basriun se pse të gjithëve u the njëjtë: “Kërko falje tek Allahu!”, ka thënë: “Nuk kam shtuar më shumë përveç asaj që ka thënë Allahu.” Pastaj ka lexuar këto ajete të mësipërme të sures Nuh.

– Mbajtja e lidhjeve farefisnore. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush dëshiron shtimin e rizkut dhe të jetës, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.” Buhariu dhe Muslimi.

– Dhënia. Nëse jep sa më shumë lëmoshë e u ndihmon të tjerëve, dije se kjo do të ta shtojë pasurinë, rizkun dhe të mirat, që është e kundërta nga ajo që mendojnë njerëzit duke i cytur shejtani se nëse japin do t’u pakësohet pasuria. Por, Allahu dhe Pejgameri i Tij na kanë mësuar se nëse japim, Allahu na shton. Allahu thotë: “Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë.” Sebe 39. Qëllimi me “ua zëvendëson” është: ua shton, sepse kur Allahu ua zëvendëson u jep shumë fish. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Asnjë lëmoshë nuk e pakëson pasurinë.” Nuk ka ndodhur e as që do të ndodhë që lëmosha ta pakësojë pasurinë, përkundrazi ajo e shton atë.

-Bërja sa më shpesh e haxhit dhe umres. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Pasojeni haxhin me umre dhe umren me haxh…” Pra e kryen haxhin, dhe pas haxhit shkon për umre. Pastaj pas umres shkon për haxh. “…ngase haxhi dhe umreja largojnë prej jush varfërinë dhe mëkatet…”

-Martesa dhe fëmijët e shumtë. Këtë na ka premtuar Allahu. Ai thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij…” Nur 32. Dhe thotë: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë” Isra 31. Kjo përveç që tregon se çfarë kanë vepruar idhujtarët e Mekës, të cilët i kanë mbytur vajzat e tyre për së gjalli nga frika se sjellin varfëri në të ardhmen, përfshin edhe ata që bëjnë planifikim familjar për shkak të frikës nga varfëria, se nuk do të kenë mundësi t’i furnizojnë fëmijët. E Allahu thotë të mos i vrisni fëmijët nga frika e varfërisë. Pse? Vazhdon ajeti: “Ne u sigurojmë ushqim atyre dhe juve.” Së pari fillon me “atyre”, me fëmijët.

-Bërja hixhret për hir të Allahut. Në shumë vende në Kuran e përmend Allahu këtë gjë. Thotë: “Kush mërgon për çështjen e Allahut, ai gjen shumë vendbanime dhe begati në tokë.” Nisa 100.

– Zgjimi herët (mosfjetja në mëngjes). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “O Allah, jepi bereqet umetit tim në fillimin e ditës (mëngjesin e hershëm)!” Tirmidhiu. Mëngjesi i hershëm (arabisht: bukuur) është pasi falet sabahu derisa të lindë dielli. Ibn Kajjim rahimehullah ka thënë: “Ai që fle në mëngjes e privon veten prej rizkut ngase kjo është koha kur ndahet rizku mes krijesave.” Zadul mead. Tregohet se Ibn Abbasi ka parë njërin nga bijt e tij duke fjetur në këtë kohë dhe i ka thënë: “Zgjohu!  Si flen në një kohë kur ndahet rizku mes krijesave?!”

– Ndihma ndaj të tjerëve. Sa më shumë që u ndihmon të tjerëve, Allahu të ndihmon ty. Ky është premtim prej Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu e ndimon robin e Tij për aq sa ai e ndihmon vëllanë e tij.” Ibn Kajim tregon për ibn Tejmije rahimehullah se duke e ditur këtë fakt u ka ndihmuar shumë njerëzve, ka qenë gjithmonë në shërbim të tyre, se e ka ditur se nëse iu ndihmon atyre patjetër ka për ta ndihmuar Allahu atë. Dhe e dimë se çfarë jete e dije të bereqetshme ka pasur ai.

-Veprimi (punimi). Allahu e ka bërë shkak për fitimin e rizkut përpjekjen, lëvizjen, e jo të jemi dembelë. Allahu thotë: “…ecni nëpër viset e

saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai.” Mulk 15. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selam  ka thënë: “Kujdesu për gjërat që të bëjnë dobi (pra merri shkaqet) dhe kërko ndihmën e Allahut.” Këto dy gjëra duhet të shkojnë bashkë.

– Shtimi i salavateve për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem.

Në të gjitha këto pika që përmendëm, njeriu nuk duhet të mbështetet në jetën e kësaj e bote, as të jetë kjo botë qëllimi parësor i tij e gjëja për të cilën më së shumti shqetësohet.

 

Allahu thotë: “Për natën që mbulon (me terr), për ditën që agon dhe për Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën! Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme. Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.” Lejl 1-7.

  1. Dhënia– (“Sa për atë që jep”).

Allahu këtu nuk ka treguar se çfarë jep ai, e ka lënë këtë gjë të hapur, që të tregojë se ajo që duhet ta japë besimtari nuk është vetëm nga pasuria e tij, por shumë gjëra. Prej këtyre gjërave është dhe pasuria (duke dhënë lëmoshë), e gjithashtu duhet të japë edhe vepra të mira, si: namaz, agjërim, zekat, haxh (i vepron) etj. Përderisa Allahu e ka lënë të hapur çështjen e dhënies, kjo tregon se është e përgjithshme. Allahu na tregon këtu se nefsi i besimtarit duhet të jetë fisnik, bujar, i cili është i lehtë, e dëshiron të mirën e kthehet kah ajo dhe vazhdimisht jep, pra i bindet Allahut, kryen urdhrat e Tij dhe largohet nga ndalesat e Tij, e gjithashtu jep edhe gjëra të tjera, jo vetëm ato vepra që janë prej shtyllave apo obligimeve të Islamit, p.sh.: jep prej kohës së Tij, kështu qëndron zgjuar natën për namaz nate, lexim të Kuranit, dhikër e lutje, po ashtu gjatë ditës agjëron, jep prej pendimit (sa më shumë pendohet tek Allahu), prej falënderimit, prej pozitës dhe fuqisë që ka (duke i shfrytëzuar në dobi e ndihmë ndaj të tjerëve), prej sinqeritetit (duke qenë i sinqertë në adhurimin ndaj Allahut) etj. Dhe në këtë mënyrë kanë ardhur komentime të ndryshme prej selefit mbi këtë ajet.

  1. …ka frikë (nga Allahu)…” Pra, ai është ruajtur nga mëkatet dhe nga gjërat që e zemërojnë dhe e hidhërojnë Allahun, është larguar prej të gjitha shkaqeve që dërgojnë te zemërimi i Tij. Kjo gjë kërkon angazhim të vetës, që të largohet prej mëkateve, të ruhet prej tyre. Njeriu nëse largohet prej tyre arrin ta realizojë devotshmërinë, të pasurit frikë ndaj Allahut. Kjo është prej shkaqeve më madhore të arritjes së lehtësimit të çështjeve të tij. Pastaj pasi arrin këtë (largimin prej mëkateve) ngritët në nivel edhe më të lartë, pra largohet edhe prej gjërave të papëlqyera, mekruhate, që janë të urryera në Islam. Pastaj largohet prej gjërave të dyshimta, se a janë të lejuara a të ndaluara. Dhe së fundi ka prej besimtarëve që largohen edhe prej gjërave të lejuara – mubah, ngase në këtë mënyrë e dinë se veprat e mira do të qëndrojnë të pranuara tek Allahu. Kjo sepse shumë herë njeriu ka mundësi që përmes teprimit në gjëra të lejuara (mubahate) të shkatërrojë disa prej veprave të mira që ka bërë. Sufjan eth Theuri rahimehullah ka thënë: “Janë quajtur muttekiinë – të ruajtur, ngase janë ruajtur edhe prej gjërave të cilat nuk janë gjëra që duhet ruajtur prej tyre (prej gjërave të lejuara).”
  2. “…dhe dëshmon për vertetësinë e më të bukurës…” E më të bukurës është komentuar nga disa se është për qëllim fjala La ilahe ilAllah. Disa të tjerë kanë thënë se janë gjërat që i kërkon fjala La ilahe ilAllah, andaj kanë përmendur: namazin, agjërimin, zekatin, haxhin etj. Disa kanë thënë se është shpërblimi i madh dhe i bukur: xheneti, të cilin Allahu e ka përgatitur për besimtarët, që është pëfundimi i mirë. Për të arritur lehtësimin, njeriu duhet të ketë besim të saktë, të vërtetë, besim të paluhatshëm dhe bindje. Kjo pa dyshim që do të jetë prej shkaqeve kryesore për arritjen e lehtësimit dhe suksesit

 

  1. Mbështetja në Allahun

Nëse njeriu i mbështetet Allahut, e adhuron dhe i bindet Atij, kjo është shkak që Ai t’i mjaftojë atij. Kur Allahu i mjafton njeriut, është për qëllim se e ndihmon. Allahu thotë: “A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?!” Zumer 36. Me “robit të Vet” është për qëllim ai njeri që e adhuron Allahun, që është rob i vërtetë i Tij, që i bindet Atij. Dhe thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” Talak 3.

 

  1. Ihsani, me dy llojet e tij.

Lloji i parë: në kuptimin e përkryerjes, ky lloj është në raport me Allahun. Besimtari duhet të mundohet që veprat e adhurimet e tij t’i kryejë në mënyrën më të përkryer, më të mirë, më të plotë.

Lloji i dytë: është në raport me krijesat, bamirësia ndaj tyre.

Allahu thotë: “Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve (bamirësve në raport me Allahun dhe krijesat).” Dhe thotë: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” Rrahman 60. Nëse je bamirës ndaj të tjerëve, atëherë edhe Allahu do të jetë bamirës ndaj teje. Nëse mundohesh që adhurimet t’i kryesh në formën më të mirë e më të përkryer, Allahu do të ta japë shpërblimin më të plotë.

 

  1. Devotshmëria dhe durimi me të tri llojet e tij.

Durim ndaj kryerjes së urdhrave të Allahut, durim në mosveprimin e mëkateve, durim përballë sprovave e fatkeqësive me të cilat goditemi. Allahu thotë: “Fundi i lumtur i përket të devotshmëve (atyre që kanë frikë Allahun).” Ta ha 132. Të jesh i bindur se, pavarësisht sprovave e vështirësive, me të cilat je goditur ti apo umeti, nëse e kemi frikë Allahun dhe ruhemi prej veprimit të mëkateve dhe hidhërimit e zemërimit të Allahut, atëherë fundi i lumtur na takon neve. Ky është premtim prej Allahut, e Ai nuk e shkel premtimin e Tij. Dhe thotë: “Atë që ruhet (nga mëkatet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve.” Jusuf 90.

 

  1. Lutja tek Allahu

Lutja tek Allahu që sa më shumë të të japë prej të mirave të Tij. Allahu thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir 60. Dhe: “Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet!” Ibrahim 39. “i dëgjon lutjet” në kuptimin: u përgjigjet lutjeve. Dhe: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” Bekare 186.

  1. Pendimi, sinqerisht, për të gjitha mëkatet dhe lëshimet e bëra.

Allahu thotë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” Ta he 82. Që pendimi të  jetë pranuar tek Allahu duhet të përmbushen disa shkaqe.

Në të gjitha këto shkaqe njeriu duhet t’i mbështetet Allahut e të kërkojë mbrojtje tek Ai.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva